Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK | LSA
Lajme

SPAK dërgon në gjyq Shkëlzen Selimin për deklarim të rremë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 31 tetor se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, të akuzuar për veprën penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Rreth dy vjet më parë, SPAK regjistroi procedim penal për “…deklarim të rremë…” ndaj disa ish-gjyqtarëve, konkretisht për ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo dhe Bashkim Dedja, si dhe për  Selimin. Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.

Për këtë arsye, SPAK paraqiti një vit e gjysmë më parë kërkesat për sekuestrimin e pasurive të këtyre subjekteve. Gjykata e Posaçme vendosi më 20 prill 2021 që të pranojë kërkesën e prokurorisë respektive për vendosjen e sekuestros mbi pasuritë në zotërim të Selimit,  ½-ës së një trualli 432 m2 dhe objekt 132.25 m2, pikë tregtimi karburantesh, me vendodhje në shtëtitoren Lungomare Vlorë; një truall me sipërfaqe 2400 m2 në Jonufër të Vlorës dhe të një trualli tjetër dhe karburanti e ndodhur në “Rrugën Transballkanike”, po në Vlorë. Po ashtu, u sekuestruan pasuritë e Lulos dhe Dedjas.

Shkëlzen Selimi ishte anëtar i Gjykatës së Lartë që nga viti 2011. Ai është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Në tetor 1999 deri në shtator 2000, ushtroi detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe gjatë periudhës 2000-2011 në Gjykatën e Vlorës.

Selimi u shkarkua nga detyra më 30 korrik 2018 prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi ai u gjet me kontakte me persona të “përfshirë në krimin e organizuar” dhe se ai ishte “përpjekur t’i fshihte këto kontakte”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *