Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella në KPK. | Foto : LSA
Korrupsioni KP Lajme Në Fokus

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella ankimohet në Kolegj

Pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik ankimoi konfirmimin në detyrë të prokurores Anita Jella, duke kërkuar në Kolegj shkarkimin e saj nga detyra.

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella në KPK. | Foto : LSA

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella do të përballet sërish me vetingun, pasi Komisioneri Publik vendosi të martën që të ankimojë në Kolegj konfirmimin e saj në detyrë. Në gjykimin e komisionerit Darjel Sina, Jella nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit, ndërsa i kërkon Kolegjit shkarkimin e saj nga detyra.

Ankimi në Kolegj i Komisionerit Publik ndjek rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili kërkoi gjithashtu trajtimin me prioritet të çështjes së Jellës në shkallën e dytë të rivlerësimit – duke kërkuar shkarkimin.

Komisioneri kërkon rivlerësimin tërësor të kreut të Prokurorisë së Durrësit, ndërkohë që pika e rëndesës bie mbi rolin e saj si drejtuese në menaxhimin e hetimeve për zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës në verën e vitit 2019. Jella konsiderohet gjithashtu përgjegjëse për vonesën e urdhër-arrestit për kreun e Kadastrës, Liridon Pula.

“Nga kronologjia e ecurisë së veprimeve proceduriale të ndërmarra në muajin gusht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës bie në sy mungesa e organizimit të një sistemi efektiv dhe eficent, që më së paku  ka vënë në rrezik cilësinë dhe rezultatet për procedime penale aktive,” thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik evidenton se çështja në fjalë është trajtuar nga tre prokurorë të ndryshëm, të cilët kanë kryer veprime proceduriale të ndryshme dhe në disa raste të paregjistruara. Sipas tij, përfshirja e tre prokurorëve të ndryshëm nuk tregon menaxhimin e duhur të burimeve të institucionit dhe sistemit të gatishmërisë, pasi “mund të çojnë përfundimisht në dëmtim të vetë hetimit”.

Njësoj si ONM, edhe Komisioneri Publik argumenton ndryshe nga KPK në lidhje me një denoncim të mbërritur në adresë të Jellës, përmes së cilës ajo akuzohej se kishte vonuar me 5 ditë urdhër-arrestin e kërkuar nga prokurori Arjan Ndoj për kreun e Kadastrës, Liridon Pula.

Jella ka sqaruar në KPK se drejtuesi i seksionit ekonomik e kishte informuar se ishin në proces dy hetime të tjera proaktive ndaj zyrtarëve të Kadastrës dhe se veprimet në lidhje me kreun e Kadastrës mund të prishnin provat e dy procedimeve të tjera.

Ajo ka shtuar gjithashtu se kishte thirrur në një mbledhje prokurorët për të bashkërenduar hetimet, por Ndoja nuk ishte paraqitur.  Në këto kushte, Jella ka shtuar për KPK se kishte nxjerrë një udhëzim me karakter jo-detyrues, i cili nuk ishte marrë parasysh nga Ndoja. Më pas, ajo ka firmosur shkresën përcjellëse në gjykatë për masën e sigurisë.

Pas analizimit të këtij rasti, KPK ka argumentuar se mosveprimet e subjektit (në dy raste) nuk mund të përbëjnë shkak për vlerësimin me mangësi apo papërshtatshmëri të saj, duke i referuar ato për procedim disiplinor.

Por Komisioneri Publik argumenton se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës dhe se vendimarrja e Komisionit është rrjedhojë e interpretimit të gabuar të nenit 59 për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale.

Në ankimin ndaj Jellës përfshihet edhe mbyllja e hetimeve për një gjyqtare të Apelit si dhe një çështje e dytë hetimore, e shqyrtuar nga KPK pas një denoncimi.

Komisioneri Publik kërkon që Kolegji të rishqyrtojë edhe pasurinë e drejtueses së Prokurorisë së Durrësit dhe bashkëshortit të saj, nisur nga ajo që u quajt mosdeklarim i përdorimit të një apartamenti në pronësinë e kunatit si dhe paqartësia e pagesës së këstit të parë në blerjen e një apartamenti prej 2.5 milionë lekësh.

KPK nga ana e saj ka marrë të mirëqena deklarimet e Jellës se apartamenti ishte deklaruar si adresë në deklaratat vjetore të pasurisë. Sipas Komisionerit kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe se kjo adresë mund t’i përkiste edhe apartamenteve të tjera në atë pallat.

Ndërkohë, deklarimi vjetor për pagesën e këstit të parë kishte një diferencë prej 300 mijë lekësh me deklaratën në veting. Në deklarimin vjetor ishte deklaruar pagim kësti prej 2.2 milionë lekësh, ndërsa në deklaratën veting shuma ishte 2.5 milionë lekë –diferencë të cilën Jella e shpjegoi me shpenzimet për ta bërë të jetueshëm apartamentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *