Prokurori Ervin Karanxha pas njoftimit te vendimit nga KPK. Foto:Vladimir Karaj
Analiza Korrupsioni KPK Vendi

Vendimi i KPK: Ervin Karanxha, i papërshtatshëm profesionalisht

Në vendimin e shkarkimit, KPK konstaton mangësi serioze dhe të qëllimta në hetimet e prokurorit Ervin Karanxha. Qëndrimi i tij gjatë procesit të vetingut u konsiderua si cenim i besimit te drejtësia.

Prokurori Ervin Karanxha pas njoftimit te vendimit nga KPK. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli më 7 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Ervin Karanxha për deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë të burimeve financiare.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Karanxha u cilësua gjithashtu i papërshtatshëm në aspektin profesional dhe u cilësua se kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia ‘me veprimet dhe mosveprimet e tij gjatë procesit të vetingut.

Ndërkohë, Karanxha u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Komisioni vëren se Karanxha nuk ka qenë gjithmonë bashkëpunues në procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij, duke mos iu përgjigjur në mënyrë direkte të gjitha pyetjeve të dërguara si dhe duke mos depozituar në çdo rast dokumentacionin e kërkuar.

“Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet kërkesave procedurale të shumta dhe të përsëritura, ka synuar zvarritjen e procesit, në kushtet kur Komisioni i ka garantuar të gjitha të drejtat për një proces të rregullt ligjor – madje duke i dhënë kohë të mjaftueshme shtesë për të paraqitur provat dhe shpjegimet e tij në lidhje me rezultatet e hetimit administrative,” thuhet në vendim.

Sipas KPK-së, kundërshtitë dhe kërkesat e njëpasnjëshme të Karanxhës ishin të qëllimta dhe kishin si synim shtyrjen dhe zgjatjen në mënyrë të padrejtë të procesit.

Procesi i vetingut për prokurorin Ervin Karanxha u krye nga trupa e drejtuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Probleme me hetimet

Ndryshe nga raporti pozitiv i mbajtur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, i miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KPK e cilëson subjektin të papërshtshëm për profesionalizmin. Konstatimet e KPK-së janë bazuar në shqyrtimin e katër prej 26 denoncimeve nga publiku, ku janë gjetur probleme në qëndrimin dhe hetimet e kryera nga Karanxha.

Pozita e Karanxhës, sipas vendimit të zbardhur, është rënduar edhe nga mungesa e bashkëpunimit me KPK. Sipas vendimit, ai nuk ka dhënë shpjegime dhe nuk ka depozituar dokumentacionin e kërkuar për çështjet e shqyrtuara në kriterin profesional.

Nga verifikimi i ankesave të depozituara nga shtetasit E.K. dhe F.O, ka rezultuar se ata kanë kryer kallëzime penale që janë shqyrtuar nga prokurori Ervin Karanxha, ndërkohë që kanë pasur si objekt konflikte administrative me ALUIZN-in të shqyrtuara nga bashkëshortja e tij, gjyqtarja Bernina Kondi.

Në vendim thuhet se subjekti ka marrë dijeni për këto fakte dhe duhej të kishte hequr dorë nga hetimi i çështjeve, pasi e vendosin në kushtet e cënimit të paanësisë, të etikës dhe vlerave profesionale.

Në një denoncim të dytë është pretenduar se Karanxha nuk ka kryer hetime për një kallëzim penal ndaj një përmbaruesi gjyqësor për shpërdorim detyre. Sipas denoncuesit, vendimi i prokurorit për mosfillimin e procedimit penal është marrë pa kryer ndonjë hetim ose verifikim, si dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Denoncuesi ka pretenduar se nëse prokurori do kishte kryer hetime, do arrinte një përfundim të ndryshëm.

Komisioni vëren se Karanxha nuk ka dhënë shpjegime për këtë denoncim dhe se ka demonstruar minimalisht mangësi të theksuara të njohurive ligjore nëpërmjet rolit të tij pasiv në kryerjen e veprimeve hetimore, në funksion të zbardhjes së çështjes.

Çështja tjetër e denoncuar lidhej me një hetim për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, të transferuar në Prokurorinë e Tiranës nga Krimet e Rënda.

Brenda një jave nga caktimi i çështjes, subjekti i rivlerësimit i ka kërkuar gjykatës ndryshimin e masën e sigurisë ndaj personave nën hetim nga “arrest në burg” të caktuar më parë në “arrest në shtëpi”.

“Brenda 24 ditësh nga caktimi i çështjes, ka urdhëruar kthimin e tre telefonave celularë dhe të automjetit të sekuestruar të njërit prej personave nën hetim (pikërisht H.M.), me motivacionin ‘nuk janë të përshtatshme si prova materiale dhe nuk kanë lidhje me veprën penale,” evidenton KPK, duke i quajtur të dyshimta veprimet e kryera nga Karanxha.

“Ndërkohë, rezulton se këta telefona u sekuestruan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në cilësinë e provës materiale, si mjete komunikuese për organizimin e ndihmës ndaj personave për kalimin e paligjshëm të kufirit jashtë shtetit dhe të përdorura personalisht nga i hetuari. Edhe automjeti i kthyer u sekuestrua nga Krimet e Rënda, bazuar në dyshimin se automjeti ishte përdorur për transportim[…],” shton KPK, duke ngritur pikëpyetje për urgjencën e heqjes së sekuestrove.

Trupi gjykues ka gjetur gjithashtu se Karanxha ka shtyrë hetimet për më shumë se një vit me arsyetimin se ishte e nevojshme të merreshin dëshmi dhe të përkthehej në frëngjisht letërporosia e çështjes, ndërkohë që në dosje janë gjetur 57 faqe të përpiluara në gjuhën frënge nga autoritetet franceze, ndërsa letërporosia dhe përkthimi i saj ishin realizuar më parë nga ish-Krimet e Rënda.

Më tej, Karanaxha i ka kërkuar gjykatës një dënim në minimumin e parashikuar nga ligji duke e bazuar në pendimin e thellë nga ana e të pandehurit. “…pendim ky që nuk rezulton të jetë shprehur apo pasqyruar nga asnjë dokument të dosjes, përkundrazi… rezulton e kundërta,” vëren trupi gjykues.

Komisioni çmon se këto rrethana e vendosin subjektin në kushtet e defekteve të rënda në drejtim të aspektit të njohurive ligjore –por që sipas trupës janë bërë në mënyrë të qëllimshme nisur nga përvoja dhe eksperienca e subjektit.

Hetimi pasuror

Komisioni konstaton pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90.12 m2 me vlerë 8.2 milionë lekë të porositur në tetor të vitit 2011, si dhe ngre dyshime për kryerjen e veprimeve fiktive me qëllim përfitimin e burimeve të krijimit të kësaj pasurie.

Si burim të krijimit të këtij apartamenti, në deklaratën “veting” subjekti ka pasqyruar një kredi me kushte lehtësuese në shumën 5 milionë lekë të marrë nga bashkëshortja si dhe kursimet familjare në vite. Në deklaratat periodike ka shënuar se kjo pasuri është blerë me shumën e siguruar nga revokimi i një kontrate sipërmarrje të mëparshme të nënshkruar nga bashkëshortja për blerjen e një apartamenti tjetër në Berat, si dhe kursimet familjare.

Ndërkohë, Komisioni ka konstatuar se subjekti e ka filluar marrdhënien me shoqërinë ndërtuese para kontratës së porosisë për apartamentin, pasi rreth dy muaj më parë, në gusht të 2011-ës bashkëshortja ka lidhur kontratë me OSHEE.

Bashkëshortja e Karanxhës, gjyqtarja e Apelit Administrativ, Bernina Kondi u shkarkua nga KPK më 15 qershor 2020 pasi u konstatuan probleme në praktikat e blerjes së dy apartamenteve në Tiranë. KPK konkludoi tejkalim të parashikimeve ligjore në veprimet e gjyqtares Kondi për përfitimin e kredisë së butë të marrë për strehimin në qytetin e Beratit, ku ushtronte detyrën – të përdorur më pas për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Megjithëse Karanxha ka pretenduar se kredia nga BKT-ja është marrë nga bashkëshortja për shkak të funksionit si gjyqtare dhe nuk mund të sjellë pasoja mbi procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij, Komisioni, duke ju referuar Kodit të Familjes sjell në vëmendje se “bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi për çdo detyrim kontraktues”. Gjithashtu, KPK evidenton faktin se subjekti ka qenë në cilësinë e dorëzanësit në këtë kredimarrje dhe se është përfitues i drejtëpërdrejtë.

KPK i qëndron konstatimit se veprimet juridike të kryera në funksion të përfitimit të kësaj kredie me kushte lehtësuese janë kryer në tejkalim të parashikimeve ligjore mbi përfitimin e saj dhe se janë kryer me dijeninë e plotë të prokurorit Karanxha.

Sipas KPK, deklarimet e paqarta dhe kontradiktore të bëra ndër vite nga subjekti i rivlerësimit lidhur me ecurinë e likuiditeteve cash dhe në bankë, e vendosin në vështirësi trupin gjykues për të analizuar saktë burimet financiare.

Nga analiza financiare për përiudhën 2003-2016 janë konstatuar balanca negative në vitet 2006, 2008, 2010, 2011 dhe 2012 në shumën totale rreth 3.4 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *