Trupa e KPA gjatë vendimit për ish-inspektorin Pirro Samara. Screenshot nga trasmetimi i KPA në Youtube.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Ankimi i ish-prokurorit Bilbil Mete ndan në qëndrime anëtarët e Kolegjit

Shumica e Kolegjit e vlerëson procesin e vetingut të pavarur nga proceset e gjykatave të tjera dhe e quan të drejtë vendimin e Komisionit për ndërperjen e procesit të rivlerësimit prokurorin Bilbil Mete, si dhe sanksionin që i ndalon rikthimin në sistetmin e drejtësisë.

Trupa e KPA gjatë vendimit për ish-inspektorin Pirro Samara. Screenshot nga trasmetimi i KPA në Youtube.
Trupa e KPA-së gjatë shpalljes së një vendimi. Screenshot nga trasmetimi i KPA në Youtube.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u nda në vendimarrjen lidhur me ankimin e kryer nga ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Bilbil Mete ndaj vendimit të Komisionit të Kualifikimit, KPK që vendosi vendosi më 10 dhjetor 2020 të deklarojë ndëprerjen e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes dhe i hoqi të drejtën të emërohet në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Kryesuesja e trupit gjykues, Rezarta Schuetz relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarja Ina Rama e quajnë të drejtë vendimin e KPK, ndërsa anëtarët në pakicë, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo kërkojnë ndryshimin e vendimit.

Mete ushtroi ankim në Kolegj ku kërkoi shfuqizimin e pikës së dytë të vendimit të Komisionit që sanksionon heqjes e të drejtës për t’u riemëruar, duke pretenduar se nuk e gëzonte statusin e magjistratit dhe nuk duhet t’i ishte drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë me kërkesën për mbarimin e statusit.

Por Kolegji vlerëson se, nisur nga fakti që subjekti i rivlerësimit ka qenë duke ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, e ka fituar statusin e magjistratit për shkak të këtij ligji.

Sipas KPA-së, ky parashikim nuk do të thotë që gjyqtari apo prokurori në detyrë që nuk i është nënshtruar ende procesit të rivlerësimit, nuk gëzon statusin e magjistratit – por që ky status do të vijojë të mbahet vetëm nëse subjekti kalon me sukses procesin e rivlerësimit dhe konfirmohet në detyrë.

“Për më tepër, nëse subjekti nuk do të ishte magjistrat, nuk do të kishte përfituar pagën e magjistratit[…]”, vijon argumentimin shumica.

Lidhur me pretendimin tjetër të subjektit se është larguar nga funksioni i prokurorit për shkak të daljes në pension sipas ligjit për sigurimet shoqërore dhe në kushtet kur nuk gëzonte statusin e magjistratit mungonte dorëheqja, Kolegji sjell në vëmendje ndryshimet e kryera nga Gjykata Kushtetuese në ligjin e vitit 2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Një prej parashikimeve në këtë ligj, sipas të cilit statusi i magjistratit përfundonte me mbushjen e moshës së pensionit, u zëvendësua me përcaktimin se statusi përfundon kur “mbush moshën 67 vjeç”.

“Për sa më sipër, subjekti i rivlerësimit mund t’i referohej ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar në ato raste kur do të mungonte parashikimi ligjor në ligjin nr. 96/2016, për qëndrimin në detyrë të magjistratit”, citohet në vendim.

Sipas KPA, në kushtet kur Mete me veprime konkrete ka hequr dorë nga ushtrimi i detyrës së prokurorit ndërkohë që ende nuk kishte mbushur moshën 67 vjeç, ai e ka lënë detyrën me vullnetin e tij.

Bazuar në këto argumente, shumica e vlerëson të drejtë vendimin e KPK-së se procesi i vlerësimit duhet ndëprerë për shkak të dorëheqjes nga statusi i magjistratit dhe se duhet vendosur sanksioni që e ndalon prokurorin Mete të kthehet në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Vlerësimi ndryshe

Anëtarët e Kolegjit kanë pasur qëndrime të ndryshme edhe mbi pretendimin e subjektit se ka ngritur padi përpara Gjykatës së Apelit Administrativ.

Shumica vlerëson se procesi i rivlerësimit është i pavarur nga proceset e tjera gjyqësore administrative dhe civile, që subjekti i rivlerësimit mund të ketë ngritur për të kundërshtuar aktin administrativ të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjithashtu, shumica konstaton se subjekti edhe gjatë seancës gjyqësore publike në Kolegj u shpreh se, kjo çështje mund të zgjidhet pa u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë vendimi i Apelit Administrativ lidhur me ankimin e kryer prej tij ndaj vendimit të KLP-së për përfundimin e statusit të magjistratit.

Gjyqtarët Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo në pakicë, shprehen se nuk janë dakord me vlerësimin e shumicës lidhur me procesin për padinë e kryer nga Mete ndaj vendimit të KLP-së.

Ata sjellin në vëmendje se Gjykata e Apelit Administrativ ka vendosur në dhjetor të 2020-ës të rrëzojë padinë e subjektit dhe se ky i fundit ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.

Duke ju referuar parashikimit ligjor se Gjykata e Lartë i shqyrton çështjet administrative brenda 90 ditëve nga data e ardhjes së rekursit, Hajdari dhe Çomo shprehen se i kanë kërkuar shumicës pezullimin ‘ex officio’ të gjykimit të çështjes, deri në përfundimin e kontrollit gjyqësor edhe nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.

Hajdari dhe Çomo theksojnë se vlerësimi i tyre për mënyrën e zgjidhjes së çështjes mund të ishte krejt i ndryshëm, në rast se gjykimi në KPA do të pezullohej deri në pritjen e vendimit të Gjykatës së Lartë lidhur me vlerësimin e vlefshmërisë së aktit administrativ të KLP-së.

“[…]ekziston mundësia që Gjykata e Lartë të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ të kundërshtuar”, vëren pakica.

Ata përfundojnë se në kushtet që shumica mori vendim pa pritur vendimarrjen e Gjykatës së Lartë, e vetmja zgjidhje e drejtë mbetet prishja e vendimit të KPK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *