Çështja Islamaj: Kolegji vendos vijën e kuqe ndaj Komisionerit Publik

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Pas katër seancash Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka dhënë fund insistimit të vazhdueshëm të Komisionerit Publik Florian Ballhysa për prova dhe hetime të reja, në ankimin e vendimit kundër gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.   

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duke dalë pas një seance të Kolegjit të Apelimit, KPA| Foto nga : LSA

 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të hënën seancën e katërt, si pjesë të ankimit të Komisionerit Publik Florian Ballhysa kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.

Edhe kjo seancë, ashtu si dy të mëparshmet u karakterizua nga kërkesat procedurale të Komisionerit Publik ndaj Kolegjit për të administruar më shumë prova dhe dyshimet e këtij të fundit mbi informacionet e dhëna nga institucionet publike.

Duke kërkuar të kuptojë nëse kërkesat e Komisionerit ishin të legjitimuara, Kolegji i drejtoj një seri pyetjesh nëpërmjet relatorit të çështjes dhe pasi u tërhoq për vendim, e hodhi poshtë kërkesën e këtij të fundit si të ‘panevojshme dhe të pajustifikuar’.

Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.

Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të funksioni dhe hetimi administrativ i udhëhequr nga relatorja Genta Tafa Bungo, arriti në përfundimin se i përmbushte të tre kriteret e vetingut, përfshirë integritetin e figurës, profesionalizmin dhe kontrollin e pasurisë.

Megjithatë, përfundimi i KPK-së për sa i përket kontrollit të pasurisë u kontestua nga Komisioneri Publik, i cili çmoi se “procesi i hetimit i Komisionit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij.”

Kërkesa për prova dhe hetime të reja

Trupa gjyqësore e përbërë nga Luan Daci si kryesues, Sokol Çomo relator, si dhe gjyqtaret Ina Rama, Rezarta Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla, vendosi me 16 nëntor rihapjen pjesërisht të hetimit për disa elementë të pasurisë së Islamajt. KPA vendosi të hetonte pasuritë e paluajtshme në emër të bashkëshortes së Islamajt, për të cilat Komisioneri ka ngritur dyshime se nuk justifikoheshin nga të ardhurat. Po ashtu do të hetohet origjina e pronës dhe vlera e një toke kullotë në Karpen të blerë nga subjekti, për të cilën Komisioneri ka ngritur dyshime pasi ndodhet në një zonë turistike. Subjektit iu kalua barra e provës për të ardhurat e babait, i cili rezulton pjesëtar në një transaksion për blerjen e një makine dhe po ashtu në dhurimin e dy apartamenteve për fëmijët e gjyqtarit

Seanca e katërt e mbajtur të hënën u hap me njoftimin e kryesuesit të trupës gjyqësore Luan Daci, se po në këtë ditë Kolegji kishte marrë një vendim të ndërmjetëm për pranimin e provave të marra nga një numër institucionesh publike si dhe subjekti i rivlerësimit.

Më tej Daci listoi një numër i institucionesh që i ishin përgjigjur kërkesës së Kolegjit për informacion dhe dokumente, përfshirë Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Durrës dhe Kavajë, Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës, Prokurorinë e Përgjithshme dhe të tjera institucione, gatishmërinë e të cilave kryesuesi i trupës  e kishte njoftuar me vetëkënaqësi gjatë seancës së tretë të mbajtur me 12 dhjetor.

Megjithatë, kjo listë provash nuk e kënaqi Komisionerin Publik Ballhysa, i cili pasi u ftua të jepte qëndrimin e tij nga Kolegji, u shpreh se nuk ishte dakord me një pjesë të akteve, për të cilat sipas tij ishin të paplota ose binin ndesh me formatin që disa institucione kishin raportuar më përpara për KPK-në.

Komisioneri Ballhysa u mor në detaje me provat e administruar nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, mbi origjinën e tokëakullotë prej 1000 metra katrorë, tre prona në pronësi të partneres së subjektit, Sonila Toska në Durrës, të dhënat e Drejtorisë së Tatimeve Durrës mbi të ardhura e të atit të subjektit si avokat, si dhe të dhënat e ILDKPKI për shit-blerjen e dy automjeteve.

Për sa i përket tokës në Karpen, Komisioneri bëri një rezume të origjinës së pronës duke pretenduara se dokumentet e sjella nga ZRPP Kavajë ‘janë kontradiktore.’ Më tej Ballhysa u ankua se Kolegji nuk ishte përgjigjur kërkesës së tij për verifikimin e çmimit të shtijës prej 137 lekë për metër katrorë, që sipas Komisionerit është fiktiv. Sipas Ballhysës kjo pronë ka vlerë shumë herë më të madhe, pasi ndodhet në gjurmën e një investimi të propozuar nga një kompani amerikane – ‘Star Bridge Port Development Limited’.

Më tëj Komisioneri Publik u ndal në dokumentet e ardhura nga ILDKPKI, mbi deklarim e personit të lidhur Sonila Toska, më konkretisht një apartament 141 m2, një njësi tregtare 55 m2 dhe një garazh 16m2. Edhe për këto pasuri Ballhyss u shpreh i pakënaqur me Kolegjin duke nënvizuar se nuk ishte administruar informacion nga organet tatimore mbi mundësitë financiare të personit të lidhur. Komisioneri i kërkoi Kolegjit që të kërkonte dosjen e plotë të shitblerjes nga Drejtoria e Transportit Rrugor për dy makina – një automjet Opel Corsa dhe nje automjet Benz-Mercedes, si dhe kontestoi formatin e informacionit të dhënë nga Drejtoria e Tatimeve Durrës mbi ta ardhurat e babait të subjektit nga avokatia. Komisioneri kërkoi gjithashtu hetim shtesë mbi disa të dhënat nga OSHEE për kontrata me gjeneralitete të njëjta me subjektin.

Kërkesat shtesë për dokumente dhe hetime të Komisionerit Publik, u kundërshtuan nga gjyqtari Edmond Islamaj. Pasi dëgjoi kontestimin e subjektit për kërkesën e Komisionerit, trupa gjykuese u tërhoq për vendim.

Vija e kuqe

Kërkesa e të martës për më shumë prova dhe hetime të reja nga Komisioneri Ballhysa, nuk është sfida e parë që ai i bën vendimmarrjes së Kolegjit gjatë këtij procesi. Gjatë seancës së shkuar Ballhysa refuzoi të shprehej mbi vlefshmërinë e provave duke nënvizuar, se në gjykimin e tij nuk ishte e qartë nëse ‘marrja e disa akteve nga gjyqtarët,’ ishte pjesë e një vendimi të ndërmjetëm për çeljen e hetimit gjyqësor ‘ex oficio’ ose si pasojë të kërkesës së Komisionerit Publik.

Pas një tërheqje një orëshe trupa gjykuese u kthye duke njoftuar se kishte nevojë t’i drejtonte disa pyetje shtesë Komisionerit Publik dhe subjektit, në lidhje me provat e administruara dhe për këtë qëllim kishte mandatuar relatorin Sokol Çomo. Relatori i kërkoi Ballhysës të përcaktonte nëse shihte dallim midis dokumenteve të administruara dhe informacionit të marrë nga institucionet dhe nëse kishte ndonjë dyshim për vërtetësinë e informacionit të administruar. Ballhysa insistoi në kërkesën e tij për të thelluar hetimin dhe provat e reja.

Më tej relatori Çomo iu drejtuar me disa pyetje shtesë subjektit në lidhje me datat e transaksionet specifike ‘cash’ pas shtijës së një automjeti Land Rover dhe datat e udhëtimeve jashtë shtetit. Subjekti tha se i duhej kohë të përgatitej për t’iu përgjigjur kërkesës së relatorit, për shkak të shtrirjes në kohë të udhëtimeve dhe pagesave pas shtijës së makinës.

Në këtë pikë Kolegji u tërhoq përsëri, dhe pas një ore tjetër diskutimesh, doli në vendim ta rrëzonte kërkesën e Komsionerit Publik për dokumente dhe hetime të reja, ndërkohë që nënvizoi që subjekti do të pyetej për udhëtimet dhe transaksionet e makinës gjatë seancës së ditës së enjte, datë 20 dhjetor, ora 9:30.