Grafikë ilustruese nga Pixabay
Lajme

Gazetari i A2 CNN, viktimë e vjedhjes së identitetit

Gazetari i A2CNN, Armand Bajrami, ka publikuar të enjten në faqen zyrtare të tij në Facebook një thirrje në lidhje me adresën elektronike të rreme që vijon të qarkullojë prej disa javësh me emrin e tij dhe me të dhënat e tij personale.

Kjo adresë e cila përmban emrin dhe mbiemrin e plotë të gazetarit shqiptar dërgon kërkesa informacioni drejtuar institucioneve juridike në emër të tij.

“Përmes emaile-ve kërkohej informacion mbi ecurinë e një procedimi penal të vitit 2021 të Prokurorisë së Elbasanit” i tha BIRN Armand Bajrami.

“Ato janë dërguar më shumë se një rast në postën elektronike të Prokurorisë së Elbasanit dhe në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve”, shtoi Barjami mbi përpjekjet e personave të paautorizuar.

Personi i panjohur që po përdor në mënyrë të paligjshme të dhënat e Bajramit, ka siguruar gjithashtu një kopje të kartës së identitetit të gazetarit, si edhe numrin e tij të kontaktit dhe adresën e medias ku punon ai.

“Një plan gati perfekt me qëllime të paqarta”, e quan Bajrami këtë sulm kibernetik ndaj tij.

Sipas gazetarit kjo tentativë përbën për të një shqetësim serioz, pasi nuk dihet se në çfarë konfliktesh penale apo sociale mund të tentojnë personat e paautorizuar ta përfshijnë Bajramin duke komunikuar nëpërmjet adresës së falsifikuar.

Bajrami e ka denoncuar episodin pranë Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Elbasanit, qytetet përkatëse ku edhe janë dërguar emailet, duke pranuar se nuk ka asnjë dyshim për personin që mund të fshihet pas këtyre veprave penale.

“Kam depozituar kallëzimet penale në Shtator në Prokurorinë e Tiranës, dhe në Tetor në Prokurorinë e Elbasanit”, tha Barjrami për BIRN.

“Në dijeninë time, në të dy këto institucione është regjistruar procedim penal”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *