Gjyqtari Arbër Çela në KPA | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme

KPA çel hetimin gjyqësor për gjyqtarin Arbër Çela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën më 4 tetor që të administrojë provat e paraqitura nga gjyqtari i Shkodrës, Arbër Çela në funksion të shqyrtimit të ankimit që Komisionerja Publike, Irena Nino, ka kryer ndaj konfirmimit të tij, si dhe të çelë hetimin gjyqësor.

Nino parashtroi të mërkurën qëndrimin e saj për aktet e dorëzuara nga subjekti, duke evidentuar se dy prej dokumenteve nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji dhe kërkoi që të mos administrohen. Për aktet e tjera u shpreh se janë të rregullta dhe se plotësojnë kushtet për t’u marrë si prova.

Përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Çela, avokati Julian Mërtiri sqaroi se disa prej dokumenteve të lëshuara nga Ambasada e Turqisë lidhur me të ardhurat nga punësimi pranë këtij institucioni diplomatik dhe pagesën e detyrimeve tatimore për kushërirën e subjektit, për të cilën po verifikohet mundësia për bashkëinvestimin në blerjen e një apartamenti në Tiranë, janë në formën zyrtare. Sipas tij, këto dokumente janë lëshuar nga ambasada dhe jo nga institucionet në shtetin turk.

Pas tërheqjes së trupit gjykues të Kolegjit, avokati Mërtiri sqaroi se gjatë kësaj kohe kishin siguruar dokumentacion që vërteton korespodencën me Ambasadën e Turqisë. Ai ritheksoi se dokumentet nuk janë marrë personalisht nga kushërira e subjektit në institucionet turke, por nga ambasada, që sipas tij i vendos në pamundësi objektive për të pasur dokumente me vulë apostile.

Mërtiri sqaroi se kushërira e subjektit ka qenë e punësuar pranë Ambasadës Turke dhe se ky institucion diplomatik i ka paguar detyrimet për pagën në Turqi, ashtu si dhe ka shpjeguar në vërtetimet e lëshuara. “Aktet mund t’i marrim vetëm në këtë formë nga ambasada,” pohoi Mërtiri.

Në fund të seancës, Çela u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar, Gerrit Sprenger lidhur me marrëdhënien që ai kishte pasur me kushërirën me të cilën kishte blerë një apartament në Tiranë, pjesën takuese të së cilës më vonë e ka blerë babai i subjektit.

Çela shpjegoi se me kushërirën kishin jetuar me qira së bashku dhe se kishin planifikuar që të dy të blinin një banesë. Ai tha se ka pasur marrëdhënie shumë të mira me kushërirën, duke sjellë si argument udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit dhe se kishin kaluar pushimet së bashku. Sipas subjektit, nëse do të kishte pasur qëllime për fshehje nuk kishte arsye t’i kërkonte kushërirës për të blerë së bashku apartamentin, pasi i ati kishte pasur mjaftueshëm likujditete në bankë.

Lidhur me konstatimin se ai ka paguar në bankë vlerën më të madhe të apartamentit, subjekti shpjegoi se kjo kishte ndodhur pasi ishte afruar ai tek arka, për arsye se pagesa kryhej nga një person. Por ai këmbënguli se kishte blerë gjysmën e apartamentit, duke argumentuar se ky fakt ishte pasqyruar në deklaratën vjetore. Lidhur me mospërcaktimin në kontratën porosisë të pjesëve takuese, Çela argumentoi se në rast se një gjë e tillë nuk shënohet, Kodi Civil parashikon se secili prej bashkëpronarëve ka ½-ën pjesë takuese.

Kolegji vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe administroi si prova gjithë aktet e dorëzuara nga subjekti. Për një denoncim të mbërritur së fundmi, Kolegji vlerësoi se nuk i përmbush kushtet për t’u hetuar. Edhe Komisionerja Nino vlerësoi se shqyrtimi i denoncimit nuk do të sillte ndryshim në kërkimet e ankimit.

Seanca u shty për më datë 26 tetor në orën 10:00, kur palët pritet që të paraqersin konkluzionet përfundimtare.

Gjyqtari Arbër Çela u konfirmua në 7 dhjetor 2022 nga KPK, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM e vlerësoi të gabuar vendimin, duke arsyetuar se nuk janë vlerësuar si duhet problemet e gjetura në kriterin e pasurive, të figurës dhe profesionalizmit.

Bazuar në rekomandimin e ONM, Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj. Ajo vlerëson se gjyqtari Çela rezulton me bilanc negativ në vlerën reth 7.3 milionë lekë për investimet e kryera në blerjen e një apartamenti dhe mbulimin e shpenzimeve. Po ashtu, ajo ngriti dyshime për pasuri të fshehur duke i konsideruar disa prej transaksioneve si të pazakonta.

Nga hetimi administrativ ka rezutluar se Çela e ka blerë këtë pasuri në bashkëpronësi me një kushërirën e tij, me pjesë takuese ½ secili. Por, sipas dokumentacionit bankar ka rezultuar se ai ka paguar 78% të vlerës së apartamentit, kurse pjesa tjetër është shlyer nga kushërira në cilësinë e bashkëpronares. Më vonë, kushërira i’a ka shitur pjesën takuese babait të subjektit.

Po ashtu, Nino evidenton se në disa raste vendimarrjet e subjektit janë rrëzuar nga gjykatat më të larta dhe se ai ka vepruar në kundërshtim me procedurat.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *