Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Dokumentet sekrete për “miqësi” me krimin çuan në shkarkimin e Shkëlzen Selimit

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi iu provuan një sërë kontaktesh me persona të proceduar dhe të dënuar si pjesë e trafikut të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Selimi u mbrojt duke thënë se nuk kishte pasur dijeni për akuzat ndaj të njohurve të tij dhe se nuk i  kishte parë ata si “kontakte të papërshtatshme”.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK | LSA

Një informacion i klasifikuar si “sekret”, i cili iu vu në dispozicion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u kthye në shkakun kryesor të shkarkimit nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Në vendimin e zbardhur, KPK e konsideron gjyqtarin Selimi si i papërshtatshëm për shkak të kontakteve me disa persona të dënuar dhe të dyshuar si pjesë e krimit të organizuar, ndërsa shton se këto prova i ishin vënë në dispozicion nga ONM.

Informacioni e implikonte ish-gjykatësin në përfshirjen e tij për mosekstradimin në Itali të Arben Isufajt, vend ku ky i fundit është gjykuar dhe dënuar për trafik narkotikësh. Sipas informacionit të ONM-së, Selimi kishte ushtruar ndikim të paligjshëm për të penguar ekstradimin. Po ashtu, Selimi kishte përdorur më herët makinën e shoferit të Isufajt, i njohur edhe si Ben Qimja, ndërsa kishte pasur kontakte me këtë të fundit.

Gjyqtari Shkëlzen Selimi braktisi në mënyrë demostrative seancën dëgjimore duke pretenduar se i ishte cënuar e drejta për “gjykim të drejtë”, por në korrespondecën e mbajtur me KPK gjatë hetimeve Selimi mohoi të kishte ndikuar në vendimin e mosekstradimit të Arben Isufajt. Ai ankohet se nuk i ishte bërë me dije i gjithë informacioni dhe provat që kishte KPK, ndërsa këmbëngul se ndërsa kishte gjykuar një masë sigurie ndaj këtij personi, nuk kishte marrë vendim në favor të Isufajt dhe nuk kishte ndikuar në favor të tij as në mënyrë të tërthortë.

Nga ana e saj, KPK thotë se vendimi për shkarkimin e Selimit bazuar vetëm në kriterin e “pastërtisë së figurës”, duke lënë mënjanë kriteret e pasurisë dhe profesionalizmit, u bazua veç raportit nga ONM edhe në raportet e DSIK-së (Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) dhe informacionet e mbledhura nga hetimi i vetë Komisionit, nga ku dalin edhe një sërë lidhjesh të tjera problematike. Ndërkohë në argumentimin ligjor të shkarkimit, KPK i referohet pikës 3 të nenit 61 të ligjit për “rivlerësimin kalimtar të gjykatësve”. Sipas kësaj Selimi është shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pastërtisë së figurës.

Shkëlzen Selimi ishte anëtar i Gjykatës së Lartë që nga viti 2011. Ai është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Në tetor 1999 deri në shtator 2000, Z. Selimi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe gjatë periudhës 2000-2011 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Vlorës.

Lexo më shumë:

Përplasja në seancë dëgjimore

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me kryesuese Etleda Çiftja, relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine, dhe përfaqësues ndërkombëtar Z. John Leonard, mbajti seancën dëgjimore publike më 27 korrik, pasi kishte pranuar dy herë shtyrje të kërkuara nga gjykatësi.

Gjatë seancës, Selimi i kërkoi KPK-së pezullimin e saj. Si argument ai paraqiti faktin së një ditë para seancës dëgjimore, në televizioni “Top Channel” “ishin shfaqur publikisht disa informacione lidhur me komponentin e figurës për subjektin e rivlerësimit”. Selimi tha se kërkonte pezullimin e seancës dëgjimore, pasi do t’i drejtohej “Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionit të Posaçëm të Apelimit për të filluar një procedurë hetimore, ndaj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.

Selimi pretendoi se ishin nxjerrë të dhëna konfidenciale, të cilat ishin përdorur dhe mbledhur kundër tij dhe  “se ky material nuk i ishte vënë në dispozicion as atij vetë”.  Por trupi gjykues pasi u mblodh në dhomë këshillimi, vendosi të mos e pranojë kërkesën dhe për vijimin e seancës dëgjimore, e cila sipas këtij vendimi të ndërmjetëm “nuk pengonte të drejtën e tij për të kërkuar hetimi disiplinor sipas kërkesës”.

Po ashtu në vendimin e zbardhur, KPK bën me dije se materiali që u publikua nga Top-Channel, edhe pse flet për kontaktet e gjykatësit me dy persona të cilët janë pjesë e hetimit nga KPK, nuk “ishte pjesë e hetimit administrativ të zhvilluar për rivlerësimin e tij” dhe për rrjedhojë nuk kishte ndikuar në gjykimin siç pretendonte gjykatësi.  Menjëherë pasi u njoh me këtë vendim, Selimi vendosi të braktisë seancën, e cila u zhvillua më pas pas praninë e tij dhe pa praninë e një avokati mbrojtës.

Kontakti i papërshatshëm me Isufajn

Pikë tjetër debati mes gjykatësit dhe KPK-së ishte mënyra se si kjo e fundit vendosi të administronte informacionin e ONM-së rreth kontakteve me Arben Isufajn. KPK thotë në vendimin e zbardhur se gjatë komunikimit elektronik gjykatësi kishte kërkuar të shihte të gjitha provat kundër tij.

“Në gjetje përmenden disa burimeve konfidenciale, të cilat pretendohen se kanë prova, por që nuk më janë vënë në dispozicion nga ana e Komisionit.  Ashtu siç e kam përmendur në emailet datë 9 dhe 10 korrik kam kërkuar që në respektim të procesit të rregullt ligjor sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë  të ballafaqohem jo vetëm me faktet në ngarkimin tim, por edhe me prova, qofshin këto edhe të dhëna nga burime sekret”, i shkroi ai gjatë korrespondecës Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ai argumentoi se njohja me provat bëhej edhe më e rëndësishme në një kohë kur ai po gjykohej vetëm për kriterin e “pastërtisë së figurës” dhe ndërkohë kishte barrën e provës. Por KPK refuzoi këtë kërkesë.

Në vendimin e zbardhur, Komisioni argumentoi se bazuar në vendimin  e Gjykatës Eruopiane për të Drejtat e Njeriut (“Çështja Regner, kundër Republikës Çeke”), një trup gjykues në një vendim administrativ kishte të drejtë të ruante fakte apo prova që përbënin sekret. “Mos zbulimi i informacionit të klasifikuar, nëse ai rrezikon sigurinë e burimit, ose për shkak të një kushti të përcaktuar nga qeveria e një shteti tjetër, gjatë një procesit gjyqësor, apo në procedurat administrative, nuk përbën në vetvete një shkelje të së drejtave themelore të personit, ky është një konsensus i gjithëpranuar”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Po ashtu, KPK thotë se pavarësisht se provat dhe faktet e vënë në dispozicion nga ONM u përdorën në gjykim, ato nuk ishin të vetmet që çuan në shkarkimin e gjykatësit. “Përfundimet e nxjerra nuk i referohen këtij informacioni specifik, por konkluzioneve të nxjerra nga rezultatet e hetimit administrativ, gjykimit të fakteve relevante të paraqitura në dosje dhe shpjegimeve të dhëna nga subjekti i rivlerësimit”, thuhet në vendim.

Më lart në vendimin e zbardhur, KPK thotë se sipas këtij informacioni Selimi kishte njohje jo rastësore me Arben Isufajn, i cili në vendimin e zbardhur identifikohet me inicialet “A.I”. Aty thuhet po ashtu se ky kontakt i gjykatësit ishte “i njohur publikisht si person i përfshirë në krimin e organizuar, por edhe i provuar si i tillë”.  Aty thuhet se gjykatësi e ka ndihmuar atë dhe është “përfshirë në veprime të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës si dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Po ashtu KPK thotë se i konfirmoi këto kontakte me burim të dytë, pasi gjeti përmes këqyrjes së policave të sigurimit se Selimi kishte përdorur nga 2010 deri në 2012 makinën e një personi të dënuar për “për kundërshtim të forcave të rendit publik” dhe që njihej “botërisht” si shoferi i shtetasit A. I”.

KPK sqaron po ashtu se kundër Selimit ka punuar edhe fakti që ai nuk e kishte deklaruar këtë kontakt dhe përdorimin e makinës së këtij personi dhe se është përgjigjur, pjesërisht për të, vetëm pasi ishte pyetur nga Komisioni. Në vendimin e zbardhur thuhet se Selimi nuk iu përgjigj pyetjes direkte nëse kishte pasur kontakt jo rastësor me “A.I”.

Selimi u mbrojt duke refuzuar akuzën. Ai i tha KPK-së gjatë korrespondecës me të se nuk kishte ndikuar në vendimin për ekstradimin. Gjykatësi thotë në mbrojtje se kishin qenë disa trupa gjykues që kishin shqyrtuar çështjen dhe se ai nuk kishte pushtet për të ndikuar kaq shumë gjykatës.

Ai thotë se gjykata e Faktit Fier dhe Apelit Vlorë, kishin vendosur në mënyrë të pavarur kundër ekstradimit, pasi më herët një gjykatë në Torino kishte shfajësuar “A.I” nga akuza për “krijim organizate kriminale”, duke i lënë vetëm akuzën “trafikut të narkotikëve”. Sipas Selimit, që thotë se ka analizuar vendimet e dy trupave gjykese, vendimi kundër ekstradimit ishte marrë edhe për “mungesë interesi” nga pala italiane.  “Siç konstatohet me lehtësi është një numër shumë i madh gjyqtarësh, çka të shpie në konkluzionin logjik se unë nuk kam mundësi dhe as pushtet që për një çështje ku përfshihen edhe autoritete të huaja të ndërhyrjet prej meje”, i shkroi ai KPK-së.

Vetë Selimi u përfshi vetëm në një rast drejtpërdrejt në çështjen e ekstradimit të Isufajt, kur një trupë gjykuese në Gjykatën e Lartë vendosi se gjykata e Faktit dhe Apelit në Tiranë nuk kishin kompetencë territoriale për të caktuar masën e sigurisë ndaj Isufajt, i cili ishte arrestuar në Tiranë, dhe se rasti i tij duhej të gjykohej në Fier.

Trasferimi i procesit në Fier, i kërkuar nga avokati i Isufajt siç del në vendimin e Gjykatës së Lartë, rezultoi fillimisht me heqjen e masës së sigurisë arrest me burg ndaj Isufajt dhe më pas refuzimin e kërkesës për ekstradim.

Bazuar në vendimet gjyqësore që u morën për këtë çështje, rezultoi se fillimisht një gjykatëse e Shkallës së Parë Fier la në fuqi vendimin e kolegëve në Tiranë, por pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e saj si e njëanshme, ajo dha dorëheqjen nga çështja. Një gjykatës i dytë po ashtu dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, ndërsa në vendimin e tretë vetëm pesë ditë pas të parit i cili kishte konfirmuar masën e arrestit, gjykata vendosi të zbuste masën me “arrest shtëpie”. Vendimi solli reagim nga Prokuroria e Përgjithshme e cila kërkoi prej KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë hetim për disa vendime gjyqësore përfshi masën e sigurisë.

Nga pesëshja e Gjykatës së Lartë që vendosi trasferimin e çështjes në Fier, Aleksandër Muskaj i cili ishte kryesues u tërhoq pas përfundimit të mandatit si Gjykatës i Lartë. Artan Zeneli, Tom Ndreca dhe Shkëlzen Selimi u shkarkuan nga KPK i fundit edhe për shkak të lidhjeve me Isufajn, ndërsa i vetmi i konfirmuar në detyrë është Edmond Islamaj, ndaj të cilit ka një apelim prej Komisionerit Publik që e cilësoi hetimin ndaj tij të paplotë.

Lexo edhe:

Kontaktet me persona të tjerë të papërshtatshëm

KPK bën me dije në vendimin e zbardhur edhe disa fakte të tjera, që sipas saj çuan në vendimin për të mos hetuar kriterin e pasurisë apo atë të profesionalizmit dhe dalë në vendim ndaj Shkëlzen Selimit vetëm bazuar në kriterin e “pastërtisë së figurës”.  “Rezultatet e hetimit për komponentin e figurës arrinin në përfundimin se provat kanë nivelin e provueshmërisë sipas ligjit nr. 84/2016 dhe se subjekti i rivlerësimit me shpjegimet dhe provat e paraqitura nuk arriti të provojë të kundërtën”, thuhet në vendimin e KPK-së, e cila po ashtu bën me dije se në çdo kohë gjykatësi mund të hetohej edhe për dy komponentët e tjerë të lënë mënjanë në këtë vendim.

“Për shmangien e çdo keqinterpretimi, marrja e vendimit mbi përfundimin e procesit të rivlerësimit për z. Shkëlzen Selimi, vetëm mbi kriterin e kontrollit të figurës,  nuk përbën në asnjë rast gjë të gjykuar (res judicata) për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë të vlerësimit profesional”, thuhet në vendim.

Ndërkohë sipas vendimit në këtë rast, KPK arriti të identifikojë tre kontakte të tjera të cilat i cilësoi të papapërshtatshme. Ajo tha se Selimi kishte kontakt, i pranuar edhe nga vetë gjykatësi në korrespondencë si lidhje mjaft miqësore me hyrje dalje, udhëtime familjare dhe vizita në rast ditëlindjesh me një person të identifikuar si F.D. Ky person u identifikua nga Top Channel si Fero Dervishaj.

Gjykatësi u mbrojt në këtë rast duke thënë se ai nuk kishte pasur dijeni për dyshimet ndaj këtij personi, i cili rezultonte i dënuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “kundërshtim të forcave të rendit”, ndërsa ishte në hetim prej vitit 2013 për “trafik narkotikësh”.

I pyetur se pse nuk kishte deklaruar kontaktin dhe lidhjen me këtë person, Selimi u mbrojt duke thënë se ai ishte marrë në hetim për trafikun e narkotikëve vetëm në vitin 2018, një vit pasi ai kishte plotësuar formularin e vetëdeklarimit.

KPK pranoi këtë argument të Selimit, por arsyetoi se pavarësisht kësaj kontakti i papërshtatshëm mbetej. “Kontrolli i figurës nuk limitohet vetëm tek deklarimi i kontakteve të mundshme, por në thelb ka për qëllim konstatimin nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të tilla të papërshtatshme”, thuhet në vendim.

Në këtë rast sipas KPK vetë gjykatësi kishte pranuar kontaktet e shpeshta me personin në fjalë që  “është sot një person i përfshirë në krimin e organizuar”.  Në vendim thuhet se përveç kësaj personi kishte qenë me probleme për drejtësinë vazhdimisht. Ndërkohë në vendim del se situata e Selimit është rënduar pas KPK thotë se “Në disa nga sqarimet e tij subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar me saktësi dhe vërtetësi informacion e kërkuar”.

Gjatë hetimit, KPK cilësoi si të papërshtatshme njohjen dhe komunikimet me  “shtetasin E. A., pasi rezulton e provuar se ata kanë pasur komunikime telefonike jo rastësore së bashku dhe në mënyrë të vazhduar”. Pikërisht pjesë nga bisedat me E.A dhe F.D u publikuan në kronikën e Top-Channel, i cili pati publikuar edhe më herët materiale kundër Selimit, si pjesë e betejës ligjore për pronësinë e tij.

Për më tepër lexo:

KPK në vendimin e zbardhur nuk iu referohet bisedave të publikuara, të cilat sipas kronikës televizive jo vetëm dëshmonin lidhjen, por e implikonin gjykatësin në lirimin e këtyre personave pasi u kapën me armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë më tutje, KPK thotë se Selimi kishte “lidhje të ngushta miqësore me shtetasin I. Ç”, i cili rezultonte i skeduar nga policia. “Ai figuron i regjistruar në vitin 1996 si person me precedent kriminal. Në vitin 2015, ai merret në procedim policor për tendencë vrasjeje”, thuhet në vendim.

Komisionerët i konsideruan si lidhje të papërshtatshme edhe kontaktin me një avokat të identifikuar si A.D dhe që ishte në hetim për mashtrim, ndërsa sipas KPK-së kishte edhe kontakte me persona të dënuar apo hetuar si pjesë e krimit të organizuar.

Në të gjitha rastet e përmendura, Selimi u mbrojt kryesisht duke i thënë KPK-së se i pranonte njohjet me personat dhe miqësinë me ta, por se ai nuk kishte dijeni për aktivitetin e tyre. Në një rast, gjykatësi ia trasmetoi informacionin konfidencial të marrë nga KPK prej policisë,  personit të identifikuar si “I.Ç”, i cili ishte në procedim nga policia.

Një komunikim elektronik thotë se ky i fundit i ishte drejtuar policisë për të marrë sqarime rreth raportit, por Drejtoria e Policisë Vlorë nuk kishte kthyer përgjigje. “Pra si mund të jem unë në dijeni të një fakti për një person tjetër, kur fakti i mbahet i fshehtë dhe vetë personit të interesuar”, i shkroi ai KPK-së, duke iu referuar raportit kofidencial të policisë që po hetonte personin në fjalë për “tendencë vrasje”.

Ai tha po ashtu se akuzat në këtë rast nuk ishin serioze sa kohë ato nuk i ishin dërguar prokurorisë. Mbrojtje të ngjashme gjykatësi përdori edhe për rastet e tjera. Ndërkohë në provat që ai i solli KPK-së përfshiheshin edhe “Karakteristika familjare” të lëshuara nga bashkia Vlorë për personat e përmendur në hetimin ndaj tij të cilët konsiderohen nga policia apo prokuroria si të lidhur me krimin e organizuar. Në një rast, një dokument i cilësuar si “Letërmirësjellje” ishte lëshuar nga një njësi administrative në Fier.

KPK megjithatë “arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ai është përpjekur të bëj deklarime të pasakta dhe të fsheh kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet në vendim.

Ajo rrëzoi pretendimet e Selimit, ndërsa tha në arsyetim se ai “nuk ka mundur të provojë të kundërtën me shpjegimet dhe provat e paraqitura prej tij dhe të bindë trupin gjykues mbi pavërtetësinë e rezultateve të hetimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *