Gjyqtari Alfred Konomi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtari Alfred Konomi përballet me vetingun

Gjyqtari Alfred Konomi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier u përball të martën më 20 dhjetor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit kalimtar.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Konomi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Alfred Konomi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Relatorja Qirko evidentoi gjetjet e hetimit administrativ për mijëra metra katrorë troje dhe objekte në vendin e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë, pasuri të përfituara nga familja Konomi në cilësinë e ish-pronarëve nëpërmjet vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kthimit të Pronave, KKKP në vitin 1994, si dhe nëpërmjet vendimeve gjyqësore në rastet e mosdakortësisë për sipërfaqet e kthyera nga ana e KKKP-së.

Sipas Qirkos, subjekti ka shpjeguar se këto prona të paluajtshme janë trashëguar prej gjyshit të tij të ndjerë dhe se ai vetë zotëron pjesë takuese 4.7%.

Relatorja evidentoi mospërputhje për deklarimin e disa prej sipërfaqeve të trojeve me ato të disponuara në dokumentacionin e Kadastrës. Konomi vërejti se sipërfaqet janë ato të deklaruara prej tij dhe fajësoi Kadastrën se kishte kryer regjistrime jo të rregullta, për të cilat shpjegoi se i kishin kundërshtuar.

Gjyqtari Konomi kundërshtoi edhe konstatimet e Komisionit për disa objekte pa leje të gjendura në trojet e trashëguara, duke shpjeguar se ato objekte janë ndërtuar nga gjyshi në vitin 1932 dhe se e kishte provuar këtë fakt, pasi evidentohej lehtë se ishin objekte të vjetra.

Sipas subjektit, për të fituar të drejtën e trashëgimisë mbi gjithë pasuritë që zotëron, familja Konomi ka ndjekur procese të gjata gjyqësore deri në Gjykatën Kushtetuese. Qirko dhe ai dhanë sqarime edhe për një proces që familja Konomi ka hapur kundër Konfederatës së Sindikatave për dy objekte që gjenden në një prej trojeve, që kjo e fundit ka përfituar me një vendim qeverie të vitit 1992.

Gjyqtari Konomi deklaroi se nuk kishin kryer investime në këto pasuri, pasi nuk kishin gjetur ende investitor. Ai konstatoi se janë mbi 21 trashëgimtarë ligjorë të këtyre trojeve dhe objekteve dhe se ende nuk kishin gjetur një marrëveshje për të kryer investim. Subjekti shtoi se ka qenë një prej trashëgimtareve që i ka ndjekur proceset për pronat, pasi ai vetë nuk kishte pasur kohë. I pyetur nga Komisioni, ai deklaroi se nuk ka pasur deri tanimë asnjë të ardhur të përfituar nga pronat e trashëguara.

Qirko relatoi edhe lidhur me një apartament në qytetin e Fierit ku jeton familja e gjyqtarit Konomi, e përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1994. Sipas relatores, pasuria është regjistruar në vitin 2000 në emrin e një shtetasi tjetër dhe nga sa është konstatuar nga dokumentet e përcjella prej ASHK-së Fier, duket se ka pasur një transaksion për shitje të kësaj pasurie, por që është anuluar.

Gjyqtari Konomi e konsideroi këtë transaksion të anuluar si gabim të ASHK-së Fier. Sipas tij, shitja është kryer për një apartament tjetër në pronësi të një shtetasi tjetër, por se ka qenë gabim shënimi i apartamentit të tij. Konomi pohoi se i kishte kërkuar Kadastrës që të korrigjonte gabimin.

I pyetur nga Qirko se ku kishte banuar, Konomi theksoi se ka 60 vjet që jeton në të njëjtin apartament në Fier, që është privatizuar në vitin 1994.

Nga hetimi ka rezultuar se gjyqtari Konomi ka pasur burime financiare të mjaftueshme për blerjen një automjeti në shumën 500 mijë lekë dhe krijimin e dy depozitave, një në shumën 353 mijë lekë dhe tjetra 108 mijë lekë. Qirko vërejti se analiza financiare për periudhën 2003-2016 ka rezultuar me bilanc pozitiv.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për gjyqtarin Konomi. Por, pas përditësismit të raportit ka ngritur dyshime për favorizimin e një pale në proces dhe i ka kërkuar Komisionit që të dalë në konkluzion lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.

Relatorja Qriko pohoi se nga verifikimi i kësaj çështje nuk janë konstatuar indicie apo probleme lidhur me kriterin e figurës, si dhe as për profesionalizmin.

Ndërkohë, u vërejt se subjekti kishte tejkaluar afatin 6-mujor në shqyrtimin e tre çështjeve, pasi në dy prej tyre gjykimi kishte zgjatur rreth 9 muaj, kurse në një rast 6 muaj e 15 ditë.

Gjyqtari Konomi shpjegoi se seancat ishin shtyrë për të bërë të mundur njoftimin e palëve, për shkak të ekspertit dhe mungesës së avokatëve.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në 7 denoncimet e kryera nga publiku.

Në përfundimn të seancës dëgjimore, gjyqtari Alfed Konomi kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 22 dhjetor, në orën 12:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *