Gjyqtarja Miranda Andoni pas seancës në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Veting

KPA lë në fuqi konfirmimin e gjyqtares Miranda Andoni

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 20 dhjetor 2022 vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni.

Andoni u konfirmua në detyrë në qershor të vitit 2020 nga KPK, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin në Kolegj, duke arsyetuar për mungesë burimesh për pasurinë dhe probleme në kriterin profesional.

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, çështja u shqyrtua nga trupi gjykues i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Mimoza Tasin.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja Natasha Mulaj sqaroi se Kolegji e gjeti të drejtë qëndrimin e Komisionit dhe të Komisionerit Publik për moskonsiderimin e një shume rreth 461 mijë lekë të dhënë nga nëna e subjektit në vitin 2008 për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Po ashtu, është gjetur e drejtë edhe kërkesa tjetër e komisionerit për mospërfshirjen në analizë të një shume rreth 200 mijë lekë të deklaruar si të përfituar nga qiraja e një objekti në Përmet.

Ndërkohë, Kolegji i cilëson të paqarta shkaqet e ankimit për balancat negative në vitet 2011 dhe 2016. Mulaj tha se ankuesi është mjaftuar vetëm me kundërshtim me analizës financiare të Komisionit, por pa shpjeguar përse. Për rrjedhojë, këto shkaqet të ankimin janë vlerësuar të paarsyetuara dhe të papranueshme.

Kolegji ka kryer analizë financiare të re për vitet 2011 dhe 2016, nga është konkluduar se subjekti rezulton me balanca pozitive. Sipas Mulajt, pamundësitë financiare të konstatuara në Kolegj nuk mund të sjellin penalizim për gjyqtaren Andoni dhe është vlerësuar se ajo arrin nivel të besueshëm në kriterin pasuror.

Problemet e konstatuara në aspektin profesional dhe në një denoncim, janë vlerësuar se nuk ngrihen në nivel që e bëjnë subjektin të papërshtashëm në këtë kriter rivlerësimi.

Në përfundim, shumica e trupit gjykues të KPA e ka gjetur të drejtë vendimin e Komisionit dhe ka vendosur ta lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të gjyqtares Miranda Andoni.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *