Gjyqtari Sokol Ibi u konfirmua pavarësisht ‘rekrutimeve të parregullta’

Lajme
Një denoncim anonim për rekrutimin në kundërshtim me ligjin të sekretareve gjyqësore u gjet i drejtë nga KPK, e cila vendosi megjithatë t’i jepte notë kaluese kryetarit të Gjykatës Administrative të Korçës për aftësitë profesionale.

Gjyqtari Sokol Ibi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj.

Nga tetë denoncime të kryera pranë KPK dhe ONM, Komisioni evidenton probleme në një prej tyre lidhur me punësime pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Ibi u konfirmua në detyrë pasi u vlerësua pozitivisht për pasurinë e figurën dhe kalueshëm për profesionalizimin.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Korçës, Sokol Ibi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 6 shtator 2019, pasi procesi i vetingut nuk i zbuloi probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Komisioni konstatoi megjithatë probleme dhe parregullsi në rekrutimin e sekretareve gjyqësore, por në fund të procedurës së rivlerësimit arriti në përfundimin se gjetjet nuk e rrëzonin gjyqtarin në kriterin e aftësive profesionale.

Pikëpyetjet mbi punësimet kishin mbërritur në KPK dhe tek vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së përmes një denoncimi anonim, ku pretendohej se gjyqtari Sokol Ibi kishte bërë punësime nepotike në shkelje të procedurave ligjore.

Komisioni evidenton në vendimin e arsyetuar se njëra nga sekretaret gjyqësore me inicialet V.P ishte punësuar pa procedura rekrutimi dhe ishte bazuar në një ligj të shfuqizuar për administratën gjyqësore.

Ndryshe nga pretendimet në denoncim, Komisioni nuk gjeti lidhje gjaku mes gjyqtarit Ibi dhe punonjëses së rekrutuar si sekretare gjyqësore.

Gjyqtari Ibi nga ana e tij e ka konsideruar gjithë procedurën e rekrutimit të punonjësve të administratës së Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Korçë në përputhje me legjislacionin në fuqi në kohën e rekrutimit të gjithsecilit prej tyre. Gjithashtu ai ka mohuar se ndonjë prej punonjësve të administratës gjyqësore të jetë i afërm i tij apo i bashkëshortes dhe sipas KPK-së, e ka provuar këtë pretendim me dokumente.

Në vendim thuhet se Ibi ka sqaruar se nuk ka kryer asnjë procedurë për rekrutimin e V.P., për arsye se ai e ka filluar detyrën si kryetar i kësaj gjykate në datën 4 nëntor 2013, ndërsa emërimi i saj është bërë disa ditë përpara, më 31 tetor 2013.

Gjyqtari Ibi ka pretenduar se në këtë rast ka qenë Ministri i Drejtësisë që nuk ka respektuar procedurën e parashikuar nga ligji nr. 109/2013, “Për administratën gjyqësore”. Ai ka sqaruar se pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar në mars të vitit 2014 ligjin nr. 109/2013, “Për administratën gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, në kushtet e mungesës së rregullimit me një ligj të posaçëm të kësaj marrëdhënieje pune, punëdhënësi i punonjësve të administratës gjyqësore nuk ishte më Ministri i Drejtësisë, por kryetari i gjykatës.

Ibi ka shpjeguar se në këto rrethana, ka hartuar me shkrim kontratën e punës me secilin punonjës të administratës gjyqësore, përfshirë edhe shtetasen V.P.

Shpjegimet e gjyqtarit Ibi nuk kanë qenë të gjitha bindëse për Komisionin. KPK mban qëndrimin se Ibi, në cilësinë e punëdhënësit si kryetar gjykate, nuk ka respektuar procedurat e caktuara të rekrutimit. “Pretendimi i subjektit se nuk kishte detyrim të ndiqte procedurat e rekrutimit për plotësimin e nevojave me sekretare gjyqësore nuk është i saktë…,” thuhet në vendim.

Komisioni konkludon se Ibi nuk arsyetoi bindshëm lidhur me gjetjet e Komisionit për këtë denoncim. Por në fund, KPK vlerëson se gjetjet për këto punësime nuk shërbejnë si provë për cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë nga subjekti i rivleresimit.

Në përfundim, Komisioni vlerësoi se gjyqtari Sokol Ibi ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe në kontrollin e figures, ndërsa ka arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.