Gjyqtarja Ersida Bajgora pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Ersida Bajgora drejt konfirmimit në detyrë

Gjyqtarja e Gjykatës së Lushnjës, Ersida Bajgora u përball të enjten më 27 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Bajgora po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Ersida Bajgora përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe pasi kreu stazhin profesional në Gjykatën e Tiranës, u emërua si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, ku dhe e ushtron aktualisht funksionin.

Komisioneri Ilia konstatoi se nuk janë gjetur probleme për të ardhurat e deklaruara nga subjekti prej bursës në Shkollën e Magjistraturës dhe nga punësimi. Po ashtu nuk janë konstatuar probleme në marrjen e një kredie dhe një overdrafti për shpenzime udhëtimi.

Ilia bëri me dije se janë verifikuar dhe pasuritë e bashkëshortit, të cilat gjithashtu nuk kanë rezultuar probleme.

Në deklaratën “veting” subjekti nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme në përdorim, ndërkohë që ka pasqyruar adresat e banimit, dy apartamente në Fier, një në pronësi të prindërve dhe tjera në pronësi të gjyshes. Nga hetimi ka rezultuar se këto pasuri janë krijuar prej familjarëve vite përpara se subjekti të fillonte detyrën, një prej të cilave e përfituar nëpërmjet privatizimit.

Ilia pohoi se subjektit i janë kërkuar shpjegime për për mosdeklarimin e përdorimit të këtyre pasurive.

Gjyqtarja Bajgora mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u evidentuan disa vonesa në arsyetimin dhe dorëzimin në sekretari të vendimeve.

Në përfundim të seancës, subjekti deklaroi se vonesat kishit ardhur për shkak të ngarkesës në punë dhe gjendjes shëndetësore në atë periudhë. Gjyqtarja Ersida Bajgora kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të premten më 28 prill, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *