Skeda e pasurisë së deklaruar –Gentiana Xhelili –Gjykata Administrative Vlorë
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Gentiana Xhelili –Gjykata Administrative Vlorë

Gjyqtarja Gentiana Xhelili e Gjykatës Administrative të Vlorës do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtarja Gentiana Xhelili e Gjykatës Administrative të Vlorës do të përballet të premten më 16 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.

Gentiana Xhelili përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Sarandës. Prej vitit 2014, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Vlorës.

Gjithashtu, Xhelili u zgjodh anëtare zëvendësuese në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për vitin 2021.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Gentiana Xhelili nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Gentiana Xhelili nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2009, Gentiana Xhelili deklaronte kursime cash në shumën e 200 mijë lekëve, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj kap vlerën e 11.9 milionë lekëve.

Subjekti zotëron familjarisht likujditete bankare prej 7.9 milionë lekësh, kursime në cash prej 3.5 milionë lekësh si dhe automjet me vlerë 412 mijë lekë. Gjithashtu, familja e bashkëshortit zotëron sipërfaqe toke në Fier si dhe një apartament në Tiranë, vlera e të cilave nuk rezulton e deklaruar.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 20.1 milionë lekë, nga të cilat rreth 41% burojnë nga paga si gjyqtare e Znj. Xhelili dhe 23% nga pagat e familjarëve. Të ardhurat nga qiratë zënë 15% të totalit, ndërsa të ardhurat nga shitja e pasurive të luajtshme 2.3%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 9 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në vitin 2014, subjekti Gentiana Xhelili rezulton me burime financiare të pamjaftueshme në vlerë 1,956,356 lekë për të justifikuar shtesën e aseteve. Në deklaratën e vitit 2014, subjekti deklaron gjendje cash në shumën 7,000,000 lekë, e cila krahasuar me vitin paraardhës rezulton me shtesë rreth 3,749,000 lekë.

Gjatë viteve rezultojnë të ardhura qeraje në vlerë 3,095,375 lekë, të siguruara nga asetet në pronësi të familjarëve të bashkëshortit:  tokë bujqësore në Fier dhe një apartament në Tiranë, i cili nuk rezulton të jetë deklaruar si aset më vete dhe mungon vlera financiare.

Me datë 31.12.2017, subjekti rezulton me gjendje Cash progresive në vlerë 3,587,855 lekë, ndërkohë që kufiri i lejuar për t’u mbajtur jashtë sistemit bankar është 1,500,000 lekë.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *