Gjyqtarja Majlinda Dogga pas seancës dëgjimore me 12 dhjetor 2022. Foto: BIRN.
KPK

Gjyqtarja Majlinda Dogga jep shpjegime për pasurinë dhe dyshimet për konflikt interesi

Gjyqtarja Majlinda Dogga e Gjykatës së Tiranës u përball të hënën më 12 dhjetor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për pasaktësitë dhe mospërputhjet në deklarimet e likujditeteve; për balanca negative në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve.

Gjyqtarja Dogga u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa u evidentuan ankesa të palëve në proces për zvarritje të gjykimit si dhe për gjykimin e një çështje në kushtet e konfliktit të interesit.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Dogga po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Majlinda Dogga e ka filluar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjyqtarja Dogga u paraqit në seancë me avokatin Sokol Malaj, i cili paraqiti shpjegimet për gjetjet e Komisionit.

Hetimi pasuror

 Komisioni nuk ka gjetur probleme për një apartament të përfituar nga familja e gjyqtares nëpërmjet privatizimit, si dhe për një llogari bankare në emër të saj me gjendje 421 mijë lekë.

Ndërkohë, Dogga është gjetur në pamundësi per blerjen e një automjeti në vitin 2007 kundrejt çmimit 9000 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka shënuar në deklaratën “veting” kursimet familjare dhe të ardhurat e përfitura nga shitja e mjetit të mëparshëm për shumën 3000 euro. Sipas Çiftjas, në vitin 2007 nuk është pasqyruar burimi i shumës 6000 euro.

Nisur nga fakti se autojmeti i mëparshëm ka rezultuar të jetë shitur pesë ditë pas blerjes së makinës së re, Komisioni nuk e ka përfshirë në analizën financiare shumën 3000 euro. Po ashtu, KPK konstatoi pamundësi financiare për krijimin e kursimeve për vlerën 6000 euro dhe për rrjedhojë ka rezultuar balancë negative në shumën 1.1 milionë lekë për blerjen e Benz-it në 2007-ën.

Lidhur me konstatimin për shitjen e makinës së mëparshme disa ditë pas blerjes së makinës së re, avokati i Doggës argumentoi se vlera 3000 euro ishte likujduar përpara nënshkrimit të kontratës. Ai theksoi se kishin dorëzuar deklaratë noteriale të palës blerëse lidhur me kohën kur ishte shlyer vlera e mjetit dhe kërkoi që të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shitja e Benz-it në 2007-ën në shumën 3000 euro, të konsiderohen në analizën financiare.

Avokati Malaj i cilësoi deklarimet e gjyqtares Dogga të drejta dhe të sakta. Në vijim ai vërejti se subjekti nuk e kishte kuptuar, si dhe nuk e kishte pasur detyrim që në deklarimet periodike të pasqyronte shtimin dhe pakësimin e gjendjes cash. Si argument ai solli mungesën e trajnimeve për mënyrën e deklarimeve.

Sipas Malajt, analizat financiare për tre vitet e fundit para 2007-ës rezultojnë me balanca pozitive. Avokati  kërkoi që në analizën për burimet e blerjes së Benz-it 2009 të përfshihet mundësia e kursimit të subjektit në vite, si dhe të konsidrohet vlera e përfituar nga shitja e Benz-it të mëparshëm. Relatorja Çiftja vërejti se gjyqtarja Dogga nuk ka shënuar likujditete cash në deklaratën “veting”. Edhe gjatë deklarimeve të dhëna në ILDKPKI në vitin 2013 është shprehur se nuk dispononte gjendje cash.

Ndërsa nga viti 2010 deri në 2016-ën ka deklaruar kursime të saj dhe të vajzës. “Duket se subjekti ka deklaruar vetëm shtesat dhe jo pakësimet,” pohoi Çiftja dhe vërejti se subjekti a kryer deklarime të paqarta dhe kontradiktore. Sipas relatores, referuar deklarimeve periodike, subjekti duhej të dispononte gjendje cash në momentin e plotësimit të deklaratës “veting”.

Nga analiza financiare për kursimet cash janë konstatuar balanca negative në disa vite, konkretisht ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 460 mijë lekë në vitin 2013; rreth 540 mijë lekë në vitin 2014 dhe pamundësi në vlerën 576 mijë lekë në 2016-ën.

Nga hetimi ka rezultuar se Dogga nuk ka deklaruar një prej burimeve që kanë shërbyer për krijimin e një llogarie bankare në emër të vajzës I.D., në shumën 362 mijë lekë.

Sipas avokatit Malaj, subjekti ka konsideruar se duke deklaruar të ardhurat e ka ezauruar deklarimin e mundësisë së kursimeve. Sipas tij, ILDKPKI nuk ka dhënë sqarim të qartë se si duhej të kryhej deklarimi shtesave dhe i pakësimeve. “Është një keqkuptim jo i qëllimshëm që e kanë pasur edhe subjekte të tjerë rivlerësimi”, pohoi Malaj dhe shtoi se të ardhurat kanë qenë më të larta se shpenzimet dhe se ka deklaruar ato që ka kursyer çdo vit dhe jo gjendjen fizike të likujditeteve. Avokati i cilësoi pasaktësitë si rrjedhojë të mosnjohjes së mënyrës së deklarimit.

Relatorja Çiftja solli në vëmendje se vajza e subjektit ka deklaruar kursime cash në vitin 2010 në shumën 400 mijë lekë dhe në 2011-ën 500 mijë lekë. Ajo sqaroi se nevojitej të kuptonte mënyrën e deklarimit dhe pyeti nëse në fund të vitit 2011, kursimet ishin 500 mijë lekë, apo vlera e të dy kursimeve të deklaruara në shumën totale 900 mijë lekë. Subjekti shpjegoi se kursimet e të dyja viteve ishin në masën 900 mijë lekë.

Komisioni konstaton balancë negative në shumen 506 mijë lekë për krijimin e një depozite në vlerën 1 milion e 60 mijë lekë nga vajza tjetër e subjektit, shtetasja E.D.. Në këtë rast, avokati subjektit pretendoi se është kryer pasaktësi në deklarimin e gjendjes së likujditeteve. Sipas tij, nuk mund të konsiderohet si shtesë deklarimi i kursimeve, pasi përfaqëson gjendjen e llogarisë bankare. Malaj këmbënguli se vajza e Doggës ka pasur mundësi për krijimin e depozitës bankare.

Po ashtu, vajza e gjyqtares Dogga është gjetur në pamundësi në shumën 623 mijë lekë për pagesën e dy kësteve në vlerën 15 mijë euro të një apartamenti të porositur në 2016-ën për çmimin 49 mijë e 600 euro. Si burime të pagesës së kësaj shume janë deklaruar kursimet familjare. Avokati Malaj pretendoi se sipas analizës së tyre financiare, rezultonte bilanc pozitiv në shlyerjen e vlerës 15 mijë euro.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake për periudhën 2003-2016 ka rezultuar bilanc negativ në shumën 3.2 milionë lekë. Kjo balancë negative u kundërshtua nga subjekti që kërkoi konsiderimin e përllogaritjes së tyre të shtesave dhe pakësimeve në vite, si dhe uljen e shpenzimeve të udhëtimit.

Dyshimet për konflikt interesi

Komisioni ka verifikuar transaksionet dhe burimet për blerjen e një automjeti në vitin 2008 nga vajza e subjektit, shtetasja E.D., për çmimin 3000 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie vajza e gjyqtares Dogga ka deklaruar kursimet familjare.

Nga hetimi ka rezultuar se pala shitëse, shtetasja E.S., e kishte blerë këtë makinë një vit më parë me kilometrazh ‘zero’, kundrejt çmimit 1 milion e 350 mijë lekë.

Nisur nga ky konstatim, KPK ka hetuar për trajtim preferencial të vajzës së subjektit në këtë transaksion.  Gjytarja Dogga ka sqaruar për Komisionin se nuk ka ndonjë marrëdhënie me palën shitëse, por e njeh si vajzën e shokut të bashkëshortit të saj.

Nga verifikimet e KPK ka rezultuar se Dogga ka gjykuar një çështje ku palë ka qenë babai i shitëses së mjetit, të cilit i është pranuar një kërkesë padi për përmbushje të detyrimeve kontraktore dhe kthimin e një huaje.

Komisioni konstatoi se vendimarrja e shkallës së parë është lënë në fuqi edhe nga Apeli, si dhe është rrëzuar rekursi i palës së paditur. Duke vlerësuar se amortizimi i mjetit për një vit ka qenë i ulët, si dhe nisur nga shitja për një çmim disa herë më të lirë, Komisioni ngre dyshime se çmimi 300 mijë lekë nuk është ai që është paguar për mjetin.

Çiftja konstatoi se gjykimi i çështjes së babait të palës shitëse është kryer në kushtet e konfliktit të interesit. Avokati i subjektit deklaroi se vajza e saj nuk kishte pasur marrdhënie me shtetasen E.S., nga e cila kishte blerë makinën. “Në momentin e blerjes nuk ka pasur çmim preferencial ashtu si konstaton KPK, por është vlera reale e mjetit,” pohoi Malaj dhe pretendoi se mjeti kishte qenë i përdorur keq.

Lidhur me shqyrtimin e çështjes ku palë kishte qenë babai i palës shitëse, avokati shpjegoi se subjekti kishte qenë anëtare e trupës me tre gjyqtarë. Sipas tij, vendimi është lënë në fuqi nga gjykatat më të larta.

Subjekti pretendoi se nuk kishte pasur njohje me babanë e palës shitëse dhe se këtë të fundit i njihte si vajzën e shokut të bashkëshortit. Sipas saj, bashkëshorti kishte shokë të shumtë, pork jo nuk do të thoshte se ajo i njihte të gjithë.

Avokati i Doggës sqaroi në vijim se bashkëshorti i subjektit dhe babai i palës shitëse ishin njohur për shkak të punës. Ai pohoi se bashkëshorti i subjektit ishte arsimtar, ndërsa babai i palës shitëse kishte ushtruar aktivitet tregtar.

Malaj pohoi se Dogga nuk kishte pasur marrdhënie familjare apo njohje me babanë e palës shitëse dhe as me atë vetë dhe për rrjedhojë nuk kishte pasur shkak ligjor për heqje dorë nga gjykimi i çështjes.

Figura dhe profesionalizmi

Gjyqtarja Majlinda Doga u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u konstatuan disa gjetje për një nga tre dosjet e përzgjedhura nga Dogga, për dy nga pesë të shortuarat, si dhe për dhjetëra ankesa në vite e denoncimet e kryera nga publiku në kuadër te procesit të vetingut.

Nga verifikimi tre dosjeve të dorëzuara nga vetë subjekti, Komisioni ka konstatuar se Dogga ka gjykuar një çështje administrative kur kishte hyrë në fuqi legjislacioni për Gjykatat Administrative, duke mos respektuar kompetencën lëndore.

Në tre nga pesë dosjet e shortuara nuk janë gjetur probleme. Ndërkohë, në një prej tyre ka rezultuar se një vendimarrje e subjektit është rrëzuar nga Apeli. Sipas Çiftjas, duket se Dogga nuk ka arsyetuar mbi pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë që ishin objekt i gjykimit.

Sipas relatores, Doggës i është rrëzuar dhe një tjetër vendimarrje nga ato të përzgjedhura me short lidhur me një çështje penale për caktimin e masës së sigurisë. Çiftja deklaroi se dukej se subjekti nuk ka vlerësuar kriteret për caktimin e masës së sigurisë.

Nga verifikimi burimeve arkivore ka rezultuar se ndaj subjektit janë kryer 24 ankesa gjatë periudhës 2006-2012, një pjesë e të cilave kanë qenë për zvarritje të procesit. Gjatë periudhës së rivlerësimit, 2013-2016 janë kryer 9 ankesa. Për një prej ankesave për zvarritje të procesit, subjektit i është tërhequr vërejtje me shkrim.

Çiftja relatoi në seancë gjetjet për rreth 14 denoncime të kryera nga publiku, për shumicën e të cilëve nuk janë konstatuar probleme që kanë të bëjnë me procesin e vetingut.

Ndërkohë, për një prej denoncimeve u konstatua se arsyetimi i subjektit nuk është në përputhje me Kodin Civil dhe praktikën e Gjykatës së Lartë; në një rast ka rezultuar se Dogga ka marrë vendim pushimi pa vlerësuar kërkesën e palës paditëse për vijimin e gjykimit; në një gjykim tjetër ka rezultuar se nuk ka kryer hetim të plotë e të gjithanshëm; si dhe në një gjykim tjetër nuk ka hetuar mbi pretendimin e palës paditëse.

Lidhur me gjetjet për profesionalizmin, avokati Malaj tha se kishin dorëzuar shpjegime të plota. Ai u shpreh se gjetjet janë shumë të pakëta në krahasim me ‘morinë’ e çështjeve që ka shqyrtuar Dogga.

Në përundim, gjyqtarja Majlinda Dogga kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 15 dhjetor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *