Gjyqtari Andri Ymeri pas seancës së katërt dëgjimore me KPK. Foto: BIRN.
KPK

Mes kërkesave për përjashtim, KPK gjen probleme të pasurisë dhe figurës për Andri Ymerin

Seanca e katërt dëgjimore e zhvilluar të hënën më 12 dhjetor 2022 në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri u zhvillua pjesërisht dhe dështoi të përfundonte pas kërkesave të reja të subjektit për përjashtimin e anëtareve të trupës.

Një kërkesë e kryesueses Pamela Qirko drejtuar Ymerit për të dhënë shpjegime rreth objektit të çështjes, duke vërejtur se detajet që ai po shtjellonte kishin lidhje me ankimin, u cilësua e mjaftueshme për avokatin Arben Llangozi që të konsiderohej si paragjykim i çështjes dhe vendimarrje e paracaktuar, duke kërkuar rishtazi përjashtimin e saj.

Komisioni arriti të relatojë gjetjet e hetimit administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, duke konstatuar balanca negative dhe papërshtatshmëri të Ymerit për të vijuar detyrën, por seanca dështoi të përfundonte pas kërkesave të përsëritura dhe të njëpasnjëshme për përjashtimin e komisionereve.

Përmes kërkesave për përjashtim dhe lutjes për më shumë kohë se ndihej i tronditur shpirtërisht nga situata e krijuar, pas një beteje që të hënën zgjati për gjashtë orë, Ymeri arriti të fitojë gati një ditë kohë.

Seancat dëgjimore për Ymerin kanë filluar më 27 maj, por janë shtyrë vazhdimisht për shkak të kërkesave për përjashtimin e anëtarëve të trupës. Ashtu si në seancat e mëparshme, edhe të hënën Ymeri u paraqit me dy përfaqësuesit e tij ligjorë, avokatin Arben Llangozi dhe avokatin Gerti Ymeri.

Mungesë burimesh dhe pasuri të fshehura

Komisioni ngre dyshime se gjyqtari Ymeri ka fshehur një apartament me sipërfaqe 111 m2 në emër të prindërve. Bungo sqaroi se subjekti ka deklaruar përdorimin e këtij apartamenti të porositur dhe likujduar nga i ati në vitin 2006 për çmimin rreth 3.9 milionë lekë. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Ymeri ka deklaruar të ardhurat e tij dhe të familjes së origjinës.

Nga hetimi ka rezultuar se prindërit kanë zotëruar një apartament tjetër dhe se kanë investuar një shtesë në 2008-ën. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për blerjen e apartamentit të 2006-ën.

Nisur nga fakti se apartamenti është blerë kur subjekti ka qenë në detyrë, për shkak të mungesës së burimeve financiare, Komisioni ka ngritur dyshime se kjo është një pasuri e tij e fshehur në emër të prindërve.

Bungo vërejti se Ymeri ka ndryshuar deklarimet e për burimet e krijimit të kësaj pasurie, duke shtuar edhe dy hua, një në shumën 1 milion lekë dhe tjetra 2 milionë lekë. Sipas KPK, nuk është vërtetuar mundësia e huadhënësve dhe për rrjedhojë këto shuma nuk janë përfshirë në analizën finaciare.

Po ashtu, sipas Bungos nuk janë vërtetuar të ardhurat nga aktiviteti privat i babait të subjektit dhe është konstatuar balancë negative në shumën 3.8 milionë lekë për blerjen e apartamentit. “Edhe sikur të përfshihen në analizë huatë, subjekti nuk ka pasur mundësi financiare për kthimin e tyre”, deklaroi Bungo duke theksuar se sërish rezulton balancë negative në krijimin e kësaj pasurie.

Nga hetimi administrativ është konstatuar pamundësi e subjektit dhe e bashkëshortes së tij për krijimin e dy depozitave në bono thesari, një në shumën 3 milion e 150 mijë lekë në vitin 2008 dhe 4.2 milionë lekë në 2009-ën.

Si burim për krjimin e këtyre pasurive janë deklaruar kursimet familjare dhe një kredi në shumën 1.5 milionë lekë. Si garanci për kredinë është vendosur një depozitë në shumën 1.8 milionë lekë e çelur në vitin 2009 në emër të babait të subjektit.

Nisur nga fakti se kjo depozitë është çelur dy ditë para aplikimit për kredinë, si dhe për shkak të mungesës së burimeve financiare për krijimin e saj, Komisioni ka ngritur dyshimet se bëhet fjalë për një pasuri të fshehur të subjektit.

Gjithashtu, Komisioni konstaton mospërputhje në deklarimet e Ymerit për vlerën e shpenzuar nga kredia për investimet në bono thesari dhe për rrjedhojë nuk e ka konsideruar këtë shumë në analizën financiare, duke vlerësuar se bëhet i pamundur verifikimi për këtë burim.

Komisioni ngre dyshime edhe për fshehjen e një automjeti në emër të vëllait, që e ka pasur në përdorim bashkëshortja e subjektit. Makina është blerë nga vëllai i Ymerit për shumën 350 mijë lekë, por ai ka rezultuar në pamundësi financiare. Ndërkohë, bashkëshortja e subjektit ka rezultuar policëmbajtëse për përdorimin e këtij mjeti, ndërkohë që ata nuk kanë zotëruar ndonjë mjet tjetër në atë periudhë. Bazuar në këto të dhëna, KPK ka ngritur dyshimet për fshehje.

Balancë negative është konstatuar edhe për blerjen e një automjeti tip Benz për çmimin 930 mijë lekë, si dhe shpenzime për riparimin dhe pajisjen me dokumentacion në shumën 80 mijë lekë dhe për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 73 m2 nga familja.

Bungo tha se nga analiza kumulative ka rezultuar balancë negative në shumën totale 4.5 milionë lekë.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar fillimisht raport pozitiv për gjyqtarin Ymeri. Por pas kërkesës së KPK për përditësimin e të dhënave, ka informuar për dyshime të përfshirjes së subjektit në veprime korruptive dhe favorizim të palëve. Bazuar në këto të dhëna, DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e subjektit për të vijuar detyrën.

Komisioni ka verifikuar një pjesë të dosjeve ku janë ngritur dyshime edhe në aspektin profesional. Në një rast ngrihen dyshime se Ymeri ka gjykuar një çështje ku palë ka qenë babai i një avokati me të cilin ka pasur njohje dhe miqësi. Bungo tha se në këtë rast ka dyshime për favorizim të kësaj pale. Sipas relatores, një rast i ngjashëm është konstatuar kur të pandehurit e gjykuar janë mbrojtur nga një avokat me miqësi me subjektin.

Dyshime për favorizim të palës paditëse janë ngritur edhe në një çështje, ku sipas Bungos, Ymeri rezulton të ketë shqyrtuar në një çështje tre objekte të ndryshme.

Komisioni konstaton se një çështje është shqyrtuar nga subjekti brenda një dite dhe se vendimarrja përfundimtare është marrë të nesërmen.

Edhe gjetjet në kriterin profesional u dominuan nga konstatimet për gjendjen e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit.

Megjithëse Ymeri ka rezultuar pa problem në tre çështjet e përzgjedhura prej tij, për katër nga pesë dosjet e shortuara i është kaluar barrë prove.

Sipas Bungos, në një rast Ymeri ka cënuar të drejtat e pronarëve të sendit për t’u mbrojtur.

Në një çështje nuk ka regjistruar seancat gjyqësore dhe nuk ka relatuar shkakun. Ndërkohë që i pandehuri është dënuar me masën 1.3% të dënimit maksimal, megjithëse ka rezultuar se paraqiste rrezikshmëri shoqërore.

KPK vëren se subjekti nuk ka respektuar afatet në një gjykim, ndërsa në një çështje tjetër mungojnë konfirmimet e njoftimeve të të paditurve.

Ndaj gjqytarit Andri Ymeri janë depozituar 29 denoncime nga publiku, ku janë evidentuar edhe raste të gjykimit në kushtet e konfliktit të interesit. Po ashtu, Bungo relatoi gjetje për zvarritje të procesit, shkelje të parimit të kontradiktoritetit, si dhe vendimarrje për konflikte civile përpara përfundimit të çështjeve penale të lidhura me ato gjykime.

Në veçanti, Bungo u ndal në çështjet e shqyrtua ku palët janë mbrojtur prej avokatit L.K.. Sipas Komisionit, subjekti ka deklaruar se me avokatin L.K. kanë qenë shokë shkolle. Ndërkohë, ka rezultuar se ata kanë udhëtuar bashkë disa herë jashtë shtetit, ku në disa raste ka qenë edhe bashkëshortja e Ymerit.

Bungo konstatoi se subjekti ka shqyrtuar 122 çështje në të cilat L.K. ka qenë përfaqësues i palëve, ndërkohë që është konsideruar prej Komisionit se ata kanë marrdhënie shoqërore dhe familjare.

Relatorja shtoi se nga hetimi administrativ në kriterin profesional janë konstatuar gabime thelbësore e serioze, si dhe gjykime të gabuara. Për rrjedhojë Komisioni e konsideron Ymerin të papërshtatshëm.

Gjyqtari Ymeri e nisi mbrojtjen e tij për pastërtinë e figurës dhe vijoi me gjetjet në kriterin profesional. “Sjellja e Komisionit për informacionet e institucioneve të cilat nuk i përmend, duket si tullumbace pa prova”, deklaroi ai dhe ngriti dyshime se vendimarrja ndaj tij ishte e paragjykuar dhe e paracaktuar.

Ai kundërshtoi si të pabazuar konstatimin për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjeve ku palët janë mbrojtur nga avokati L.K. me të cilin ka qenë shok shkolle. Ymeri solli si shembull faktin se me shokët e shkollës je si në marrëdhënien me kolegët, me të cilët ke njohje e përshëndetje, por jo miqësi.

Sipas subjektit, kanë qenë gjithsej 7 udhëtime ku ai dhe avokati L.K. kanë qenë të pranishëm. Ymeri theksoi se në disa prej këtyre udhëtimeve kanë qenë edhe persona të tjerë dhe se L.K. është ndodhur rastësisht.

Subjekti vijoi se në periudhën kur janë kryer udhëtimet, L.K. nuk ka ushtruar profesionin e avokatit.

Ndërkohë, solli në vëmendje se për një çështje ku sipas Komisionit ngrihen dyshime se ka favorizuar një palë të përfaqësuar nga L.K., ai ka dalë në pakicë duke kërkuar rrëzimin e kërkesë padisë. Ymeri tha se e kishte vendosur në dispozicion të Komisionit këtë vendim ku paraqitej qëndrimi i tij kundër.

Si provë ai solli në vëmendje edhe një mesazh telefonik që L.K. i kishte dërguar, për të cilin KPK ka konstatuar se vërteton miqësinë. Por, subjekti deklaroi se mesazhi i dërguar nga L.K. për shtyrje séance vërtetonte se ata nuk kanë pasur miqësi, pasi teksti është formal dhe zyrtar. Ai shpjegoi se L.K. kishte pasur të atin sëmurë që edhe kishte ndërruar jetë më vonë dhe për shkak se e kishte dërguar për kurim jashtë shtetit, kishte kërkuar shtyrjen e një séance, për të cilën ishin dakortësuar edhe palët.

Sipas Ymerit, çështjet ku palët janë përfaqësuar nga L.K. përbëjnë 0.8% të më shumë se 13 mijë dosjeve që ka gjykuar. Subjekti vërejti se vetëm në pak çështje avokati L.K. kishte fituar.

Ai e konsideroi konfliktin e interesit në dukje të konstatuar nga KPK si jo faktik. Ymeri vërejti se rastet në dukje të konfliktit të interesit mund të rrëzohen me dëshmitarë ose me raste analoge. Si të tillë ai solli në vëmendje rastin e ish-relatorin të çështjes së tij, Roland Ilia.

Kërkesat për përjashtim

Kryesuesja e trupës së KPK, Pamela Qirko paraqiti detaje rreth ecurisë së procesit të rivlerësimit për Ymerin dhe sqaroi se dy trupat e tjera të shortuara kishin shqyrtuar kërkesat për përjashtimin e saj dhe të anëtares Firdes Shuli, si dhe kishin vendosur të mos i pranonin ato.

Avokati Llangozi vërejti se në seancën parardhëse kishte kryer dhe ai një kërkesë personale në cilësinë e avokatit, duke kërkuar përjashtimin e Shulit. Qirko tha se është marrë vendim dhe për këtë kërkesë.

Por Llangozi nuk u ndal dhe kërkoi përjashtimin e relatores së çështjes, Genta Tafa Bungo. Ai u shpreh se kishte pasur dyshime se email-i ku pretendohej se ishte fyer Komisioni ishte konceptuar nga Bungo në cilësinë e relatores. Me kërkesën e re për përjashtim ai pretendoi se Bungo cënonte gjykatën e formuar me ligj dhe se nuk kishte plotësuar kriteret për t’u zgjedhur në detyrë.

Në vijim, Llangozi ngriti si pretendim edhe mënyrën e trajtimit të subjekteve nga Bungo. Sipas tij, ka video të publikuara ku komisionerja Bungo përaqfohet me subjektin që ka gjykuar. “Ka ajo moral t’i thotë subjektit se ka udhëtuar jashtë shtetit me një avokat që ka përfaqësuar palët në proces…,” deklaroi Llangozi dhe shtoi se si ka mundësi që komisionerja nuk ka pasur informacion se ai subjekt rivlerësimi kishte shpallur të pafajshëm një të pandehur të akuzuar për vrasjen e një komisari policie.

Duke sjellë në vëmendje vendimarrjen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen e prokurorit Besnik Cani kundër Shqipërisë, ku u gjet shkelje e të drejtës së një gjykatë të krijuar me ligj për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Luan Dacit si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Llangozi kërkoi përjashtimin e Bungos për mospërmbushje të kritereve.

Një kërkesë të ngjashme Llangozi e paraqiti edhe për përjashtimin e anëtares Firdes Shuli. Llangozi parashtroi dhe kërkesë për shtyrje të seancës deri të hënën e ardhshme, duke pretenduar se do të shkonte ai vetë për vizitë mjekësore jashtë shtetit.

Pasi u tërhoq, trupa e KPK vendosi kalimin për shqyrtimin e kërkesave dy trupave të tjera të Komisionit, të cilat vendosën mospranimin e këtyre kërkesave.

Komisioni arriti që pas këtyre vendimarrjeve të parashtrojë gjetjet për të tre kriteret, por kur subjekti po paraqiste kundërshtimet e tij për figurën dhe profesionalizmin, për të kundërshtuar konstatimet në kushtet e konfliktit të interesit ai përdori si argument konstatimin e tij për konfliktin e interesit me relatorin e mëparshëm Rolan Ilia, për të cilin KPK pranoi kërkesën për përjashtim.

Subjekti deklaroi se Qirko kishte marrë në mbrojtje Ilian, duke u shprehur se ky i fundit nuk kishte nga ta dinte konfliktin e interesit, pasi hetimi ishte kryer vetëm për pasurinë. Duke replikuar më njëri-tjetrin për këtë situatë, Qirko u shpreh se këto detaje kishin lidhje me ankimin dhe jo me figurën.

Menjëherë, avokati Arben Llangozi kërkoi përjashtimin e kryesueses Pamela Qirko. “Ku e dini ju se klienti im do ta ankimojë vendimin tuaj,” pohoi Llangozi dhe kërkoi përjashtimin e Qirkos.

Kryesuesja tha se në këtë rast kishte cituar bazën ligjore dhe se kishte të bënte me vendimet e trupave që do të shqyrtojnë kërkesat për përjashtim.

Por Llangozi vijoi me kërkesë tjetër për përjashtimin e Qirkos, duke pretenduar se ajo nuk ishte dorëzuar vlerësimin e saj në arsimin universitar gjatë aplikimit për një pozicion si komisionere. “…Ne nuk jemi budallenj dhe e konsideroj fyerje dhe kërkoj përjashtimin tuaj për të dytën herë. Kam detyrim ligjor të bëj kallëzim penal ndaj jush, pasi ju jo vetëm e keni paragjykuar, por edhe keni dhënë vendimin,” deklaroi Llangozi.

Ndërsa gjyqtari Ymeri u shpreh se ndihej i tronditur nga ajo që tha Qirko dhe kërkoi kohë për të përgatitur kërkesën për përjashtim.

Në vijim ndërhyri relatorja Bungo, e cila sqaroi se ajo çfarë tha Qirko kishte të bënte me bazën ligjore dhe se asnjë komisioner ndaj të cilit është kërkuar përjashtimi nuk do të marrë vendim derisa një trupë tjetër të shqyrtojë kërkesën.

Por Llangozi kërkoi edhe përjashtimin e Bungos me pretendimin se kishte marrë në mbrojtje Qirkon.

Pasi u tërhoq, Komisioni njoftoi se dy kërkesat e reja për përjashtimin e Qirkos dhe të Bungos ju përcollën për shqyrtim trupave të tjera gjykuese.

Seanca u vendos të vijojë të martën më 13 dhjetor, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *