Gjyqtarja e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo dhe avokatja e saj, Antoneta Sevdari pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Mirela Iliopullo përballet me probleme për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mosdeklarime të pasurive dhe shpenzimeve të gjyqtares së Gjirokastrës, Mirela Iliopullo –ndërsa kjo e fundit pretendoi se kishte përmbysur barrën e provës dhe kërkoi çeljen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo dhe avokatja e saj, Antoneta Sevdari pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe dha shpjegime vetëm për pasurinë –kriteri i vetëm për të cilin u përfundua hetimi administrativ.

Procesi i vetingut ndaj Iliopullos po kryhet nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.

Mirela Iliopullo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si ndihmës gjyqtare në Gjykatës e Sarandës. Prej vitit 2000 ajo e ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e një zyre me sipërfaqe 44.99 m2 në Gjirokastër në vitin 2009 kundrejt vlerës 1.7 milionë lekë. Gjithashtu, në seancë u evidentua se Iliopullo nuk e ka deklaruar këtë pasuri në vitin 2006, kur e ka porositur, si dhe pagesën e kryer në këtë periudhë.

Ndërkohë, në vitin 2007 subjekti ka deklaruar se çmimi i paguar për këtë pasuri ka qenë në shumën 18 mijë euro – që është i ndryshëm nga ai pasqyruar në kontratën e shitblerjes së vitit 2009. “Duket se ka fiktivitet në kontratën e vitit 2009 të kryer në bashkëpunim me shoqërinë ndërtuese, pasi më parë është deklaruar se është paguar e gjithë vlera,” tha Hamitaj dhe evidentoi se shpenzimet e punimeve të pretenduara nga subjekti janë më pak nga shuma e ulur prej shoqërisë.

Subjekti ka rezultuar me mungesë financiare për justifikimin e kësaj pasurie, pasi kursimet cash ishin të padeklaruara dhe nuk u konsideruan.

Shpjegimet për të kundërshtuar barrën e provës u paraqitën fillimisht nga avokatja Antoneta Sevdari. Ajo theksoi se mosdeklarimi është korrigjuar nga subjekti në vitin pasardhës. se pasaktësitë në deklarime nuk mund të jenë shkarkuese dhe këmbënguli se ndryshimi i çmimit në kontratën e porosisë me atë të shitblerjes përfaqëson mospërmbushjen e kontratës fillestare për një pjesë të punimeve.

Duke iu referuar analizës së kryer nga një auditues ligjor i pajtuar nga Iliopullo, Sevdari tha se për vitin 2006, analiza financiare rezulton pozitive.

Ajo kërkoi rishikimin e shpenzimeve të të jetesës dhe ato të udhëtimeve jashtë shtetit si dhe të konsiderohen të ardhurat e ish-bashkëshortit. “Ose të mos përfshihen në analizë shpenzimet e tij,” kërkoi Sevdari.

Subjekti ka deklaruar për herë të parë në vitin 2014 në kontratën e përpjesëtimit të pasurisë bashkëshortore, pas zgjidhjes së martesës, një truall me sipërfaqe 400 m2 në Sarandë, ku është përcaktuar se kjo pasuri i kalon ekskluzivisht gjyqtares Iliopullo.

Relatori Hamitaj evidentoi se kjo pasuri është zotëruar nga subjekti para vitit 2003 dhe se nuk është deklaruar asnjëherë gjatë periudhës deklaruese 2003-2014. Ai vijoi se Iliopullo nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një tjetër shesh ndërtimi në Dropull me sipërfaqe 600 m2, që sipas marrëveshjes së përpjesëtimit i kalonte subjektit. Sipas relatorit, Iliopullo e ka deklaruar këtë pasuri në vitin 2004, kur ka sqaruar se e ka blerë në 2003-in.

Hamitaj tha se, duket se subjekti ose ka tentuar ta fshehë këtë pasuri, ose ka kryer deklarim të pamjaftueshëm.

“Duket i dyshimtë përfitimi i kësaj pasurie, pasi familja e subjektit ka përfituar tre sheshe ndërtimi dhe dy prej tyre me anë të një vendimi të Këshillit të Bashkisë Sarandë”, tha Hamitaj dhe shtoi se në kryerjen e këtyre transaksioneve duket sikur Iliopullo ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Avokatja Sevdari theksoi se nuk kishte kontratë shitje për këto pasuri dhe se ky ishte shkaku përse nuk ishin pasqyruar në deklaratën veting. Ajo deklaroi se pasaktësitë nuk kanë lidhje me fshehjen edhe nuk mund të jenë shkarkuese.

Në seancë u relatua edhe për një apartament me sipërfaqe 98 m2 në Gjirokastër, të porositur nga subjekti në vitin 2014 kundrejt çmimit total 4.5 milionë lekë. Në kontratën e porosisë është shënuar se është paguar shuma 4.2 milionë lekë.

Hamitaj tha se subjekti ka revokuar këtë kontratë porosie në vitin 2016 dhe po atë vit ka nënshkruar një tjetër kontratë porosie për të njëjtin apartament dhe me të njëjtin çmim, por për llogari të babait të saj.

Ai shtoi se subjekti ka pretenduar se edhe kontrata e porosisë në vitin 2014 ka qenë për llogari të të atit dhe se pagesa ishte kryer prej tij. Hamitaj evidentoi se Iliopullo nuk ka deklaruar në 2014-ën kontratën e porosisë dhe pagesën e kryer duke e fshehur këtë fakt.

“Si dhe nuk ka arritur të vërtetojë dërgimin e shumave nga prindërit,” shtoi Hamitaj, ndërsa tha se balanca negative për këtë pasuri është 4.2 milionë lekë.

Përfaqësuesja e gjyqtares Iliopullo tha se kishin dorëzuar dokumentacion për gjithë pagesat për apartamentin, që sipas saj janë kryer nga vetë babai i subjektit dhe bashkëshorti i motrës së saj.

Komisioni i ka kaluar Iliopullos barrë prove për pamundësi të krijimit të shumës cash 1.4 milionë lekë të pasyqruar në deklaratën veting, pasi nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 448 për kursimin e kësaj vlere dhe -4.7 milionë lekë për kryerjen e gjithë shpenzimeve.

Pamjaftueshmëri u konstatiua edhe për krijimin e dy depozitave, një në shumën 14 mijë euro dhe tjetra 64 mijë lekë.

Sevdari theksoi se nëse do të kishte rishikim të shpenzimeve të jetesës dhe atyre të udhëtimeve sipas provave dhe shpjegimeve të dorëzuara prej tyre – si dhe nëse do të përfshiheshin në analizë të ardhurat nga qiraja e zyrës, atëherë bilanci do të rezultonte pozitiv për shumicën e viteve. “Vetëm për vitin 2012 rezulton balancë negative në shumën 205 mijë lekë,” tha Sevdari dhe këmbënguli se subjekti i rivlerësimit kishte pasur mundësi të kursente.

Sipas KPK, Iliopullo nuk ka arritur të vërtetojë edhe burimet financiare që kanë shërbyer për arsimimin e vajzës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA. Për mbulimin e studimeve universitare në Universitetin e Patras në Greqi, ajo ka dorëzuar dokumentacion për bursën e përfituar prej vajzës, ndërsa për studimet në SHBA ka deklaruar se i ka mbuluar bashkëshorti i vajzës.

Pavarësisht provave të dorëzuara, Hamitaj tha se nuk është vërtetuar mbulimi i një pjese të rëndësishme të shpenzimeve për shkollimin e vajzës, në shumën 3 milionë e 750 mijë lekë.

“Duket se për periudhën 2012-2016 nuk kanë deklaruar shpenzimet dhe dhurimet”, tha Hamitaj dhe konstatoi se nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016 rezultonte një balancë negative rreth 11 milionë lekë.

Avokatja Sevdari e konsideroi me pasaktësi të shumta analizën e KPK dhe shtoi se kishin dorëzuar prova, se një pjesë të dhënave të TIMS ishin të parregullta. Ajo pretendoi se analiza financiare do të ndryshonte dukshëm nëse korrigjohej bazuar në provat e dorëzuara.

Gjyqtarja Iliopullo sqaroi në fund të seancës se vajza kishte qenë studente ekselente dhe kishte fituar bursë nga shteti grek, pasi janë edhe pjesë e minoritetit grek në Shqipëri.

“Edhe në SHBA ka fituar bursa e grante dhe sot punon në administratën amerikane,” tha ajo. Iliopullo shpjegoi se vajza mund të kishte jetuar edhe tek prindërit e saj që kanë burime të mjaftueshme, por ka zgjedhur të jetojë me bashkëshortin.

Sevdari theksoi se pasuria që zotëron gjyqtarja Iliopullo përbën 13% të të ardhurave të saj dhe se çdo vit rezulton me balancë pozitive, veç 2012-ës kur është konstatuar pamundësi në shumën 205 mijë lekë. Ajo kërkoi që kjo mungesë financiare të trajtohet në dritën e proporcionalitetit dhe u shpreh se nuk mund të jetë shkarkuese.

“Çmojmë se e kemi përmbysur barrën e provës,” tha Sevdari.

Iliopullo evidentoi se ishte rritur nga dy prindër profesorë të njohur në Gjirokastër. “Jam rritur me vlera dhe në mes të librave”, tha ajo.

“Kam pasaktësi, por kurrësesi fshehje. Kam vetëm një pasuri dhe nga divorci një truall me disa kollona që kanë mbetur ashtu pa u investuar . Thuhet se kam cënuar besimin e publikut, por të gjithë kanë dashur të gjykohen nga unë,”pohoi Iliopullo.

Në fund të seancës dëgjimore, Iliopullo kërkoi riçeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit, atij të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. KPK njoftoi se seanca kur pritet të shpallet vendimi do të zhvillohet me 13 korrik, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *