Trupa e KPK-së gjatë një seance dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Pajtime Fetah dha dorëheqjen pasi i kaloi barra e provës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 9 janar 2023 të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Pajtime Fetah, për shkak të dorëheqjes së saj nga statusi i magjistratit. Po ashtu, u vendos ndalimi i rikthimit të saj në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Komisioni përfundoi hetimin administrativ për gjyqtaren Fetah në nëntor të vitit 2022 dhe i kërkoi shpjegime për barrën e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit, por në përfundim të afatit të caktuar, subjekti informoi se kishte dorëzuar kërkesë për dorëheqje të parevokueshme për mbarimin e statusit të magjistratit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, e për rrjedhojë nuk ishte e nevojshme të paraqiste parashtrime.

Në vijim, ajo ka informuar KPK se ka paraqitur pranë KLGJ-së kërkesë për daljen në pension pleqërie.

Në vendimin e arsyetuar sqarohet se Komisioni, pasi ka vlerësuar kërkesat e subjektit dhe dokumentacionin provues, ka vendosur të vijojë shqyrtimin e çështjes në seancë dëgjimore publike, me argumentin se ndërprerja e funksionit për shkak të daljes në pension dhe dorëheqja janë dy koncepte krejtësisht të ndryshme.

“Për sa kohë që subjekti nuk ka mbushur moshën 67 vjeç sipas parashikimeve të ligjit nr.96/2016, dalja në pension pleqërie mbështetet në vullnetin/dëshirën e subjektit të rivlerësimit”, konstaton KPK dhe ka vlerësuar të rëndësishme shprehjen e vullnetit të Fetah për të vijuar ose jo procesin e rivlerësimit ndaj saj.

Më datën 15 nëntor u zhvillua seanca dëgjimore, por Fetah nuk ishte e pranishme dhe u përfaqësua nga avokatja Regleta Panajoti, e cila kërkoi shtyrjen e seancës dëgjimore, për t’i lënë mundësi KLGJ-së të shqyrtonte kërkesën e subjektit.

KLGJ i ka njoftuar Komisionit më 24 nëntor, vendimin për mbarimin e statusit të magjistratit të gjyqtares së Elbasanit Fatime Fetah, për shkak të dorëheqjes. Bazuar në këtë vendimarrje, Komisioni e ka ftuar subjektin të marrë pjesë në seancë dëgjjimore për të shprehur vullnetin e saj lidhur me përfundimin e procesit të vetingut sipas nenit G të Aneksit të Kushtetuës, që veç ndërprerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar, përcakton edhe sanksionin që u ndalon magjistratëve të larguar me dorëheqje rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15-vjet.

Fetah është shprehur se nuk dëshironte të merrte pjesë në seancë dëgjimore dhe se ishte dakort që vetingu ndaj saj të ndërpritej bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.

Pasi KPK është informuar se Fetah nuk ka kryer ankim ndaj vendimit të KLGJ-së për përfundimin e statusit të magjistratit të saj për shkak të dorëheqjes, ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për këtë subjekt si dhe i ndaloi emërimin si gjyqtare ose prokurore në çdo nivel, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme, për një periudhë 15-vjeçare.

Pajtime Fetah e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në nëntor 2021, ajo iu nënshtrua një procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cënim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim, ndërsa KLGJ aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *