Gjyqtarja Regleta Panajoti mungoi në seancën e parë të zhvilluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Gjyqtarja Regleta Panajoti jep dorëheqjen në prag të përballjes me Kolegjin

E konfirmuar me debat në shkallë të parë, gjyqtarja Panajoti –ish-kandidate për Gjykatën Kushtetuese e njoftoi Kolegjin e Posaçëm të Apelimit se kishte dorëzuar më 24 qershor kërkesën për dorëheqje në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Gjyqtarja Regleta Panajoti mungoi në seancën e parë të zhvilluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Regleta Panajoti mori një kthesë të papritur të enjten, pasi kryesuesi i trupës, Ardian Hajdari deklaroi se ajo i kishte njoftuar përmes email-it se kishte paraqitur një kërkesë për dorëheqje në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

“Përsëri, nëpërmjet komunikimeve elektronike, subjekti na njofton se ka kryer kërkesën për dorëheqje dhe kërkon shtyrjen e seancës publike të planifikuar për sot, deri në momentin që KLGj të shqyrtojë dhe të vendosë mbi kërkesën e saj… ,’ sqaroi Hajdari.

Siç u bë me dije në seancë, Panajoti e ka dorëzuar kërkesën për dorëheqje në KLGJ më 24 qershor. Megjithatë, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi vazhdimin e gjykimit për subjektin.

“Lidhur me kërkesën për shtyrje, sjell në vëmendje se ky proces po kryhet me procedurë të përshpejtuar për shkak të një kërkese të KED,” pohoi Ballhysa. Ai shtoi se nëse Kolegji vlerësonte se seanca duhej shtyrë, kjo mund të kryhej për të dëgjuar vullnetin e subjektit për t’u dorëhequr.

Gjyqtarja Regleta Panajoti –kandidate  për një post në Gjykatën Kushtetuese u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK me shumicë votash më 26 qershor 2019. Pro konfirmimit të saj votuan Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari. Ndërsa komisioneri Lulzim Hamitaj argumentoi në mendimin e pakicës se “subjekti kishte mungesë prej 3.8 milionë lekësh” dhe duhej shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e marrë me shumicë votash për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Regleta Panajoti, me argumentin se ajo nuk e justifikon pasurinë dhe nuk ka bërë deklarim të mjaftueshëm në këtë kriter. “Komisioneri Publik, nga shqyrtimi i vendimit nr. 169/2019, çmon se ai është i cenueshëm në tërësinë e tij,”thotë në ankim Komisioneri.

Dorëheqja nga statusi i magjistratit sjell ndëprerjen e procesit të vetingut dhe ndalimin e subjektit për t’u emëruar në çdo pozicion të sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. Megjithatë, trupa e KPA-së  u tërhoq për një orë dhe vendosi të shtyjë seancën më 10 korrik, ora 10:00, duke e ftuar gjyqtaren Regleta Panajoti të dëgjohet lidhur me kërkesën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *