Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha pas vendimit të KPK. Foto: LSA
KP Lajme Vendi

“Hetim i mangët”, Komisioneri Publik ankon vendimin e KPK ndaj gjyqtarit Gerd Hoxha

Nisur prej një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Posaçëm të rihetojë dosjen e rivlerësimit të gjyqtarit Gerd Hoxha, pasi sipas tij vendimi është i cënueshëm.

Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha pas vendimit të KPK. Foto: LSA

Komisioneri Publik njoftoi të enjten se kishte vendosur të ankimonte në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës Gerd Hoxha. Ankimi ndaj Hoxhës u kërkua me një rekomandim nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Komisioneri Dariel Sina arsyeton në ankim se vendimi i KPK-së, e cila konfirmoi me shumicë votash Hoxhën në 3 qershor 2021 ishte i cënueshëm.

“Duke përfunduar për sa më sipër, Komisioneri Publik në analizë të provave dhe akteve të administruara, vlerëson se përfundimi i Komisionit është i cenueshëm dhe kontrolli i Kolegjit në këtë rast është i nevojshëm”, thuhet në ankim. Sina e ka lënë të hapur kërkimin e tij, duke u shprehur në fund se KPA në varësi të rezultateve të hetimit duhej të vendoste për prishjen e vendimit të KPK-së ose lënien në fuqi të tij.

Hoxha u konfirmua me votat e shumicës së përbërë nga kryesuesi i trupës Olsi Komici dhe relatorja Genta Tafa Bungo, ndërsa në pakicë Brunilda Bekteshi çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimin e një huaje të marrë nga ish-bashkëshortja, e cila ka shërbyer për shlyerjen e një kredie 25 mijë euro të përdorur për rikonstruksionin e një apartamenti.

Gjyqtari ka pasur thuajse të njëjtat probleme si ish-bashkëshortja gjyqtare e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri, e cila njëlloj është konfirmuar nga KPK dhe e apeluar me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Por ndryshe nga ish-bashkëshortja ndaj Hoxhës, veç problemeve të pasurisë, ONM dhe Komisioneri Publik ankimojnë edhe qëndrimin mbi profesionalizmin. Vëzhguesi ndërkombëtar pretendon se dy qëndrime të Hoxhës si anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në dhënien e lejes prindërore për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni si dhe rrëzimin e një mase disiplinore ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj, duhet të konsiderohen si cënim i besimit të publikut te drejtësia.

Komisioneri Sina shprehet në ankim se  i kërkon KPA që të rishikojë rivlerësimin në këtë pikë, ndërsa shprehet se Komisioni nuk ka mbajtur qëndrim nëse kemi të bëjmë apo jo me cënim besimi që parashikohet në nenin 61/5 të ligjit për vetingun.

“Referuar fakteve dhe rrethanave të prezantuara në dy gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar (përfshirë dhe mendimin), duket se në arsyetimin e Komisionit mungon vlerësimi nëse për rastin konkret gjen zbatim neni 61/5, i ligjit nr. 84/2016”, thuhet në ankim.

Sina thotë se për të arritur në një përfundim të besueshëm në rastin e gjyqtarit Hoxha, duhet që KPA ta rihetojë atë në të tri kriteret, duke e cilësuar hetimin e KPK të mangët.

“Në të tilla rrethana, Komisioneri Publik konstaton se procesi i hetimit i kryer nga Komisioni, për të tria kriteret e rivlerësimit, ka mangësi dhe, për rrjedhojë, në gjendjen që janë aktet, nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e parashikuara nga neni 59, pika 1 e ligjit nr. 84/2016”, thuhet në ankim.

Në kriterin e pasurisë ankimi është fokusuar në rihetimin e pronësisë de facto dhe burimeve financiare të  një makine të blerë nga babai i Hoxhës, por që ONM ngriti dyshime se është pasuri e gjyqtarit.

Komisioneri kërkon po ashtu rihetim dhe analizë financiare të re për shpenzimet e Hoxhës dhe ish-bashkëshortes në blerjen e disa apartamenteve dhe në blerjen e shitjen e një makine tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *