Prokuror i Tiranës, Avni Kraja | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

Prokurori i Tiranës, Avni Kaja shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e përfundoi hetimin administrativ vetëm për kriterin e pasurisë ku u konstatuan balanca negative në vlera të mëdha.

Prokuror i Tiranës, Avni Kraja | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Avni Kraja. Prokurori Kraja nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit, por u përfaqësua nga vokatja e zgjedhur prej tij, Irena Riso.

Hetimi administrativ për prokurorin Kraja u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë. Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezultoi se Kraja kishte një bilanc negativ prej 14 milionë lekësh, që nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

Në relatimin gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 7 maj, u evidentua se një pjesë e mirë e këtij bilanci negativ ndikohej nga blerja e një apartamenti 135 metra në Tiranë dhe disa transaksione me automjete që i kishin rezultuar KPK-së si të dyshimta.

Kraja dhe avokatja Irena Riso paraqitën parashtrime të përmbledhura në seancë kur theksuan se gjithë pasuria ishte një apartament dhe se burimet e krijimit ishin të ligjshme.

Trupi gjykues që kreu rivlerësimin e prokurorit Kraja kryesohej nga Lulzim Hamitaj, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Genta Tafa Bungon.

Avni Kraja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe përgjatë tre dekadave e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Lushnjë, Krujë e Shkodër dhe prej vitit 2010 në Prokurorinë e Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *