Kolegji çel hetimin gjyqësor për prokuroren Lindita Ziguri

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi parashtrimet e komisionerit Florian Ballhysa, që e konsideroi hetimin e KPK-së si jo-shterues dhe pranoi një duzinë me prova të dorëzuara nga prokurorja Lindita Ziguri për kriterin e pasurisë.

Prokurorja Lindita Ziguri dhe avokati i saj pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 20 tetor të çelë shqyrtimin gjyqësor lidhur me ankimin e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa ndaj vendimit të Komisionit për prokuroren e Tiranës Lindita Ziguri, i cili konstaton se konfirmimi në detyrë duket se nuk bazohet në një hetim shterues.

Ballhysa parashtroi shkaqet e ankimit, duke i kërkuar Kolegjit që pas hetimit të gjithanshëm të konkludojë në lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK-së, ndërsa prokurorja Ziguri paraqiti prova të reja dhe dokumente nga fashikulli i hetimit në KPK, për të cilat tha se nuk janë shqyrtuar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi më 12 janar me votat e Olsi Komicit dhe Valbona Sanxhaktarit prokuroren Ziguri në detyrë, ndërsa Xhensila Pine u shpreh në favor të shkarkimit për kriterin e pasurisë.

Lindita Ziguri (Male) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në dhjetor 2020, Ziguri u komandua si inspektore në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Komisioneri Ballhysa parashtroi të mërkurën shkaqet e ankimit të bazuar në rekomandimin e ONM-së, duke konstatuar mungesë të hetimit të KPK-së mbi rrethanat e aktivitetit tregtar të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në periudhën 2005-2007; për huamarrjet e tij në vitet 1993 dhe 1994 dhe për një hua 5000 euro të marrë nga prokurorja Ziguri për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Gjithashtu, ai evidentoi se Komisioni nuk ka kryer rivlerësimin e çështjes në tërësi.

Sipas Ballhysës, në deklaratën veting të subjektit nuk janë pasqyruar angazhimet dhe veprimtaritë private të ushtruara nga bashkëshorti i saj për periudhën 2005-2007. Komisioneri evidentoi se shoqëria që zotëronte bashkëshorti i prokurores, ka lidhur kontratë bashkëpunimi në vitin 2005 me një firmë ndërtuese e cila kishte marrë leje në vitin 2004 për ndërtimin e një shtese në një objekt 5 kate. Bashkëshorti i subjektit ka qenë në cilësinë e investitorit dhe për të mundësuar ushtrimin e aktivitetit do të merrte një kredi që nuk rezulton ta ketë përfituar.

Një vit më vonë bashkëshorti i subjektit ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje me një person për ndërtimin e dy apartamenteve me strukturë 2+1, në vlerën totale 225 mijë euro. Ballhysa evidentoi se Komisioni nuk ka hetuar lidhur me këto transaksione.

Komisioneri vlerësoi se duhet të kërkohen informacione nga Kadastra për porsitësin e apartamenteve, nëse ai zotëron banesat në fjalë, si dhe për përfituesin e të ardhurave nga shitja e tyre.

Prokurorja Lindita Ziguri u paraqit në seancë me përfaqësues ligjor, por i lexoi vetë parashtrimet para Kolegjit.

Lidhur me aktivitetin e bashkëshortit në vitet 2005-2007, Ziguri u shpreh se kishte dorëzuar një shkresë, prej nga kuptohej se cili ishte investitori real.

Ajo sqaroi se në momentin kur ishte nënshkruar kontrata me firmën ndërtuese ishte ndërtuar kati i dytë i objektit dhe dhe kishte filluar i treti. Ziguri sqaroi se megjithëse administratori i firmës ndërtuese kishte nënshkruar kontratën e bashkëpunimit, ai ia kishte kaluar të gjitha të drejtat një subjekti në emër të vazjës së tij. Sipas prokurores, ndërtuesi kishte kërkuar të dilte edhe nga leja ndërtimore duke shtuar më shumë kate dhe këtu kishte nisur konflikti me bashkëshortin e saj, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar.

Subjekti deklaroi se nuk ishte realizuar as kredia për investimin dhe në fillim të vitit 2008 bashkëshorti ishte sëmurur rëndë, fakt që sipas saj vërteton se ai nuk ishte më në gjendje të vepronte apo të ushtronte aktivitetin e tij.

“Bashkëshorti dhe asnjë anëtar i familjes nuk ka përfituar nga ai investim dhe nuk kemi asnjë pretendim,” pohoi Ziguri dhe shtoi se leja e legalizimit të objektit rezulton se ka dalë në emër të shoqërisë së vajzës së ndërtuesit me të cilin ishte nënnshkruar kontrata në vitin 2005.

Lidhur me mungesën e dokumentacionit për kthimin e shumës 40 mijë euro nga porositësi i apartamentit në momentin e nënshkrimit të kontatës së sipërmarrjes, Ziguri tha se kjo vlerë nuk ishte paguar asnjëherë. Ajo pohoi se nënshkrimi i kontratës ishte kryer në mirëbesim dhe se porositësi kishte siguruar se do ta gjente këtë vlerë tek të afërmit deri në momentin e marrjes së kredisë.

Ajo shpjegoi se kur pala tjetër hoqi dorë rimori shumën 99 mijë euro që kishte kaluar në llogarinë e bashkëshortit. Ziguri shtoi se kishte marrë vërtetim nga gjykata që provonte se, prej kohës së anulimit të kontratës e deri tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë padi ku të pretendohet moskthimi i ndonjë shume nga porositësi. Gjithashtu, Ziguri siguroi se kishte qenë e kujdeshme lidhur me rastet e mundshme të konfliktit të interesit edhe para se të miratohej ligji në vitin 2005.

Komisioneri kërkoi që të hetohet edhe lidhur me huamarrjet e bashkëshortit në vitet 1993-1994, nëse subjekti i rivlerësimit ka hetuar ndonjë çështje të këtyre personave.

Lidhur me këtë kërkesë, Ziguri shpjegoi se këto veprime ishin kryer nga bashkëshorti para lidhjes së martesës dhe se kishte siguruar vërtetime që faktonin se nuk kishte kryer asnjë hetim lidhur me huadhënësit.

Ballhysa vërejti në vijim se në gjendjet që janë aktet e dërguara nga KPK, nuk provohet mundësia e dajës së subjektit për dhënien e shumës 5000 euro që ka shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Prokurorja Ziguri deklaroi se daja i saj e kishte ndihmuar me vlerën 5000 euro pasi në atë shtëpi jeton nëna e saj. Sipas subjektit, megjithëse daja kishte këmbëngulur t’ia dhuronte, ajo nuk kishte pranuar dhe ishte rënë dakord që të shlyheshin në një kohë të mëvonshme. Ziguri pohoi se kishte filluar ta shlyente huanë në vitin 2012.

Ajo pretendoi se KPK nuk kishte përfshirë në analizën financiare të kryer për mundësinë e dajës, të ardhurat e bashkëshortes së tij. Gjithashtu kërkoi që të zbriteshin shpenzimet për një prej vajzave të dajës, me pretendimin se ishte provuar se ajo jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA. “Rezulton se daja ka pasur mundësi financiare për të më dhënë hua shumën 5000 euro,” pohoi Ziguri.

Në përfundim, Ballhysa i kërkoi Kolegjit që të kryejë edhe vlerësimin tërësor të çështjes dhe të konkludojë me ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Prokurorja Ziguri deklaroi se mendonte se provat që do të dorëzonte vërtetonin deklarimet e saj për kriterin e pasurisë dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Në fund ajo dorëzoi një dyzinë me prova, për një pjesë të të cilave pretendoi se i kishte dorëzuar edhe në KPK, por nuk ishin pasqyruar në vendim. Dokumentet e dorëzuara u administruan si prova nga Kolegji që vendosi të shtyjë seancën e radhës për më datë 26 tetor, ora 10:00.