Analiza Kolegji i Posaçëm i Apelimit

Kolegji i Apelimit: Shkarkimi i ish-gjykatësit Trezhnjeva “i drejtë në thelb”

Kolegji i Apelimit konfirmoi vendimin e KPK-së kundër  ish-gjyqtarit Besim Trezhnjeva, duke u shprehur se faktet tregonin  se pasuria e tij ishte dukshëm më të madhe se pasuria e ligjshme.

Komisionit i Pavarur i Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore me gjyqtarin e Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva | Foto nga : LSA

Pretendimet e ish-gjykatësit të Apelit të Durrësit Besim Trezhnjeva se hetimi administrativ ndaj tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte shkelur parimin “e gjësë së gjykuar” apo se KPK nuk duhej të gjykonte mbi ligjshëmrinë e një kontrate fiktive të vetëdeklaruar, janë rrëzuar në Apel.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi vendimin e Komisionit për të shkarkuar Trezhnjevën. KPA arsyeton në vendimin e zbardhur se pretendimet e gjykatësit se “nuk është respektuar parimi i barazisë para ligjit dhe parimi i ligjshmërisë së procesit” apo se vendimi është marrë “në interpretim të gabuar të ligjit”, nuk qëndrojnë.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Ardian Hajdari me relator Luan Dacin dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, me vëzhgues ndërkombëtar Theo Jacobs, ishte unanime në konfirmimin e vendimit të KPK-së kundër Trezhnjevës. Në vendim trupa gjykuese thotë se procesi kishte qenë i ligjshëm, i drejtë dhe se ish-gjykatësi nuk kishte sjellë prova të besueshme për pasurinë.

Megjithatë dy prej anëtareve të saj, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz  dhanë mendime paralele. Rama dhe Schuetz thanë se Komisioni nuk duhej të kishte cilësuar si fshehje pasurie mosdeklarimin e llogarisë bankare të pagës së vajzës së gjykatësit. Schuetz ndërkohë shtoi edhe se KPK duhej të kishte sqaruar më mirë në vendim se përse kontrata fiktive e kredisë e vetëdeklaruar nga gjykatësi, “cënonte besimin e publikut te drejtësia”. Megjithatë të dyja konfirmuan vendimin e marrë nga KPK. Trezhnjeva u përfaqësua në proces nga avokati Fatmir Braka.

Trezhnjeva është gjykatësi i dytë që u rrëzua në Apelin e rivlerësimit. Para tij KPA rrëzoi ankimin e Fatos Lulos. Në të gjitha rastet KPA nuk i ka kaluar çështjet në seancë publike, por ka vendosur në dhomë këshillimi dhe ka shqyrtuar vetëm dokumentet që ishin marrë më herët si provë nga KPK.

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e Trezhnjevës u mor më 13 prill. Komisioni gjeti se veç problemeve me të ardhurat, ish-gjykatësi nuk justifikonte likuiditetet për disa vite dhe po ashtu nuk mund të justifikonte blerjen e një shtëpie dhe një kredi 50 mijë euro. KPK shprehet në vendim se Trezhnjeva ka pranuar se ka bërë “veprime fiktive për të mundësuar marrjen e kredisë për blerjen e apartamentit në Tiranë”. Sipas trupës gjykuese, kjo e ka penalizuar gjyqtarin pasi veprimet bien “në kundërshtim me figurën e një gjyqtari në Republikën e Shqipërisë, gjë që sjell cënimin e besimit te publiku”.

Pretendimet e Trezhnjevës në ankim

Pasi u rrëzua në KPK, Trezhnjeva ankimoi çështjen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ai i kërkoi që çështja të kalohet në seancë gjyqësore dhe po ashtu “të riçelet hetimi gjyqësor, ku të thirret një grup ekspertësh kontabilistë të cilët duhet të bëjnë një rivlerësim tërësisht të ri të situatës financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur me të për të gjithë periudhën e deklarimit”, dhe në fund konfirmimin në detyrë.

Në vendimin e arsyetuar të KPA thuhet se Trezhnjeva listoi disa pretendime kundër vendimit të KPK-së, duke thënë se ai ishte “kontradiktor në përmbajtje, në interpretim të gabuar të ligjit, në deformim të koncepteve bazike të së drejtës civile, nuk është respektuar parimi i barazisë para ligjit dhe parimi i ligjshmërisë së procesit”.

Ai pretendoi se nuk ishte marrë parasysh pasuria e personave të lidhur me të dhe se po ashtu ishte “shkelur parimi i sigurisë juridike në përgjithësi dhe i gjësë së gjykuar në veçanti”. Pretendime që ai i ngriti edhe gjatë seancës dëgjimore në KPK, ku kërkoi që nga hetimi pasuror të përjashtoheshin vitet për të cilat më herët Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive e Konfliktit të Interesit kishte bërë hetime pa gjetur shkelje.

Ai pretendoi se nuk kishte bërë deklarim të rrëmë dhe se KPK nuk duhej të ishte marrë me vlerësimin nëse veprimi i lidhur mes tij dhe një banke të nivelit të dytë ishte bërë përmes akteve fiktive. Ankuesi e cilësoi këtë jashtë kompetencave të Komisionit dhe u shpreh se në këtë rast KPK “ka marrë rolin e gjykatës sa i përket pavlefshmërisë absolute të veprimit juridik dhe fiktivitetit të tij”.

Arsyetimi i KPA

Kolegji i Apelimit pasi vendosi se nuk kishte fakte të reja dhe shkelje procedurale që do të bënin të nevojshme një seancë publike apo debatin gjyqësorë, vendosi të diskutojë çështjen në dhomë këshillimi.

KPA në argumentet e saj thotë se gjeti që Komisioni kishte kryer një proces të rregullt ligjor dhe vlerësim të saktë, kur kishte vendosur shkarkimin për: “deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë”.

Kolegji i Apelimit e cilësoi si të pacenueshëm vendimin e KPK-së, ndërsa shtoi se ai ishte “i drejtë si në thelb, ashtu edhe në procedurë, mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, duke respektuar të drejtat themelore të subjektit të rivlerësimit, në përputhje me doktrinën e Gjykatës Kushtetuese”.

Sa i përket mos marrjes parasysh të ekspertizës kontabël të ofruar nga Trezhnjeva, KPA thotë se KPK i ka dhënë përgjigje pretendimeve të ngritura “duke ju referuar edhe raportit të ekspertit të pavarur”.

Po ashtu Kolegji rrëzoi pretendimin se ishim para “gjësë së gjykuar”. Ai tha se pretendimi ishte i pabazuar në ligj dhe se të njëjtat fakte mund të përdoreshin në procedime të ndryshme në mënyrë të pavarur, kur ndjekin qëllime të ndryshme si objekt gjykimi.

KPA arsyetoi se hetimet e ILDKPKI dhe ato të Komisionit ishin për qëllime të ndryshme dhe ishin bërë me procedura të ndryshme. “Pra, ka kryer rivlerësim për elementin pasuri ndaj subjektit të rivlerësimit të mësipërm, i autorizuar tashmë nga një ligj i posaçëm me një metodologji dhe procedurë krejt të ndryshme nga sa pretendon ankuesi, i cili është subjekt i një ligji të tillë, si një ligj me qëllim dhe funksion krejt të ndryshëm nga ata të mëparshmit”, thuhet në arsyetim.

Po ashtu KPA thotë se Komisioni ka konstatuar drejt sa i përket faktit se Trezhnjeva ka bërë deklarime të pamjaftueshme për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe se nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive.

“Kolegji i Apelimit vlerëson se dokumentet e dosjes vijnë nga burime të njohura, provat janë të besueshme dhe ato janë në pajtueshmëri të dukshme me provat e tjera”, thuhet në arsyetim.

Pretendimin e Trezhnjevës se nuk ishte marrë parasysh një gjendje parash të krijuara deri në vitin 1993 me vlerë 2.5 milion lekë, KPA e rrëzoi duke thënë se ai “nuk ka paraqitur prova të besueshme për të justifikuar shumën e pretenduar”.

Po ashtu KPA vuri në dukje se përpjekja e subjektit të rivlerësimit, për të paraqitur “në mënyrë të pasaktë” xhiron e biznesit të bashkëshortes si e ardhur rëndonte mbi të dhe në këtë rast “zbatohej parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra”.

KPA bëri me dije se megjithëse pasuria e padokumentuar e Trezhnjevës nuk arrinte sa dyfishi, ai kishte “një pasuri dukshëm më të madhe se pasuria e ligjshme”.  KPA po ashtu rrëzoi pretendimin e Trezhnjevës së Komisioni nuk mund të gjykonte mbi vetëdeklarimin për kontrata fiktive, duke e cilësuar të drejtë vendimin e KPK-së në atë pikë.

Për më shumë në mendimin paralel rreth kësaj çështja gjykatësja Rezarta Schuetz vuri në dukje se KPK duhej të kishte detajuar për Trezhnjevën se pse kontrata fiktive e bënte atë të shkarkueshëm. “Mendoj se Komisioni në vendimin e arsyetuar kishte mundësi të shtjellonte përse kontrata fiktive e lidhur nga subjekti me një person juridik privat sugjeron një sjellje përtej standardeve etike. Një kontratë fiktive e këtij karakteri cënon besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, arsyetoi Schuetz.

Më tutje në mendimin paralel ajo argumentoi se megjithëse bëhej fjalë për kontratë private “sjellja e vetëpranuar nga subjekti i rivlerësimit përbën shkak për të gjetur që ky subjekt ka cënuar besimin e publikut te drejtësia”, sqaroi Schuetz.   Në konkluzionet e KPA thuhet se vendimi i KPK-së ishte marrë pas një “analize dhe provueshmërisë së plotë të fakteve juridike”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *