Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Artan Zeneli.

I mbledhur në dhomë këshillimi të hënën, Kolegji i Apelimit i përbërë nga gjyqtarja Rezarta Schuez si kryesuese, Ardian Hajdari relator, si dhe Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtar vendosi të konfirmojë vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli.
Zeneli u shkarkua nga KPK me shumicë votash në 18 korrik, i akuzuar se ka dështuar të deklarojë në pyetësorët e Komisionit revokimin e vizës për në SHBA, si dhe për pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë.
Sipas vendimit të zbardhura të KPK, kryesuesja e trupës Etleda Çiftja, dhe relatorja Xhensila Pine u shprehën për shkarkimin e Zenelit, ndërkohë anëtarja Valbona Sanxhaktari vendosi për konfirmimin e tij.
Në vendimin e zbardhur Çiftja dhe Pine nëvizuan se pas shqyrtimit të dy kritereve të rivlerësimit, kishin vendosur shkarkimin e subjektit për deklarim të pamjaftueshëm. Ato e cilësuan shkelje shkarkuese mosdeklarimin e heqjes së vizës nga ambasada e SHBA. Ndërsa sa i përket pasurisë arsyetuan se Zeneli kishte ndryshuar shpjegimet e tij, ai nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të kësaj pasurie, si dhe ka ndërmarrë hapa për të fshehur dhe paraqitur në mënyrë të pasaktë pasurinë.
Në krahun tjetër Valbona Sanxhaktari u shpreh në mendimin e pakicës se Zeneli nuk kishte probleme me figurën dhe përkundër vendimit ai kishte shpjeguar besueshëm pasurinë. Sanxhaktari kërkoi që Zeneli të hetohej edhe në kriterin e profesionalizmit, duke kundërshtuar shkarkimin e bazuar mbi dy kriteret e vetingut.
Gjatë procesit Zeneli i cilësoi harresa dhe gabime disa nga problemet e gjetura nga KPK në pasurinë e tij, ndërsa justifikoi mosdeklarimin e heqjes së vizës turistike nga SHBA, me faktin se nuk e kishte konsideruar këtë si ndalim hyrje, pasi kishte ndërkohë një vizë të dytë që u refuzua më vonë.
Artan Zeneli e ka filluar karrierën në vitin 1991 si gjyqtar, është shkëputur për një dekadë për të ushtruar profesionin e avokatit dhe është rikthyer sërish në sistem në vitin 2009. Në vitet 1991-1999 ai ka punuar si gjyqtar në Krujë dhe në Tiranë. Në vitin 1999, Zeneli është larguar me dëshirën e tij për t’u bërë avokat, profesion të cilin e ka ushtruar deri në vitin 2009, duke qenë njëkohësisht edhe këshilltar ligjor për kompanitë AMC, Top Channel apo INSIG.
Në qershor të vitit 2009 rikthehet në detyrën e gjyqtarit dhe kryetarit të Gjykatës së Tiranës-zgjedhje e cila u kontestua asokohe nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Artan Zeneli u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik 2012 nga Kuvendi i Shqipërisë.