Kolegji largon përfundimisht Rovena Gashin nga Prokuroria

Lajme
Trupa gjyqësore e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit la në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e Rovena Gashit, duke arritur në përfundimin se ajo “ka në pronësi pasuri më të mëdha sesa mund të justifikojë ligjërisht” dhe se ka dhënë deklarime të pavërteta para vetingut.  

Prokurorja e shkarkuar Rovena Gashi,e motra gjyqtarja Ema Gashi dhe bashkëshorti prokurori Dritan Gina, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit. Foto:BIRN

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi shkarkimin përfundimtar nga detyra të prokurores Rovena Gashi, pasi i gjeti të drejta problemet e konstatuara nga KPK për pasurinë e saj.

Vendimi u shpall nga kryesuesja e trupit gjykues, Albana Shtylla, ndërsa relator i çështjes ishte Luan Daci dhe anëtarë Rezarta Schuetz, Sokol Çomo dhe Ardjan Hajdari. Vetë prokurorja Rovena Gashi nuk ishte e pranishme gjatë seancës së shpalljes së vendimit, ndërkohë që kishte depozituar një kërkesë të fundit për përjashtimin e trupës gjyqësore.

“Për transparencë të publikut po bëjmë me dije që subjekti i rivlerësimit, Rovena Gashi ka paraqitur një kërkesë për përjashtim të trupës gjykuese, e cila është regjistruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në 10 maj 2019,” tha Shtylla, e cila shtoi se kërkesa kishte mbërritur pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor. Pesë trupa gjykuese të shortuara në Kolegj kishin vendosur rrëzimin e kërkesës.

Para se të shpallte vendimin, Shtylla renditi gjetjet e KPK-së lidhur me problematikat për pasurinë e Gashit- të cilat edhe KPA i gjeti të drejta. Shtylla pohoi se KPK kishte konstatuar se prokurorja Rovena Gashi ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes dhe momentin e pagesës për një apartament në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kavajës” në Durrës si dhe deklarime të pasakta dhe kontradiktore për një apartament në Tiranë.

“Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me pagesat dhe me kohën e pagesës, se ka paraqitur deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme në lidhje me formën e përfitimit të pasurisë, ka dhënë përgjigje të pavërteta, të ndryshme e kontradiktore ndaj pyetësorëve të komisionit. U evidentua edhe fakti se nuk ka deklaruar periudhën e banimit në këtë apartament,” tha kryesuesja e trupit gjykues.

Tjetër gjetje që citoi Shtylla ishte edhe pamjaftueshmëria e deklarimeve të Gashit përgjatë peridhës 2004-2012 pasi nuk ka pasqyruar në ILDKPKI posedimin e vazhdueshëm të apartamentit në ish-rrugën “Konstandin Kristoforidhi” në Tiranë.

Para shpalljes së vendimit, kryesuesja trupës gjykuese të KPA identifikoi edhe balancën negative të konstatuar nga analiza financiare për pesë vite në vlerën totale 7.82 milionë lekësh.

“Pas marrjes në shqyrtim të shkaqeve të ankimit dhe vlerësimit të provave, trupi gjykues i KPA-së çmon se subjekti i rivlerësimit ka në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht, deklarimi për këto pasuri është kryer në mënyrë të pasaktë dhe të paplotë dhe subjekti i rivlerësimit nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave, bazuar në legjislacionin përkatës,”, theksoi Shtylla .

“Për këto arsye, trupi gjykues vendosi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së,” përfundoi ajo. Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.