Kolegji vendos i ndarë pro deklasifikimit të raportit të DSIK-së për Muçin
Lajme

Kolegji vendos i ndarë pro deklasifikimit të raportit të DSIK-së për Muçin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të administrojë si provë një raport të ri të DSIK-së, ndërkohë që Komisioneri Publik dhe subjekti Besnik Muçi debatuan mbi dokumentet e dorëzuara në seancën e kaluar.

Prokurori Besnik Muçi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA vendosi të martën të pranojë si provë një dokument të ri të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për gjyqtarin Besnik Muçi, i cili synon njëherazi të zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese ose i SPAK. Raporti i DSIK-së u dorëzua në KPA nga Komisioneri Publik, i cili kërkoi një seancë më parë shqyrtimin e tij me qëllim rivlerësimin tërësor të subjektit – kërkesë e kundërshtuar nga prokurori Muçi.

“Trupa gjykuese vendosi me shumicë votash lejimin e marrjes së provë të informacionit të dërguar. Subjekti i rivlerësimit do të njihet me përmbajtjen e dokumentit pas përfundimit të procesit të deklasifikimit,” tha kryesuesi i trupës gjyqësore, Sokol Çomo.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi po përballet në Kolegj me kërkesën për shkarkim të Komisionerit Publik, i cili pretendon se gjatë vetingut në shkallë të parë nuk u dokumentua ligjshmëria e burimeve për katër hua të marra nga familjarët dhe të përdorura si burim për blerjen e dy apartamenteve.

Në seancën e zhvilluar më 20 shtator, Muçi dorëzoi dokumente justifikuese për të ardhurat e motrës dhe bashkëshortit të saj në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët i kishin dhënë 6 mijë euro hua si dhe dokumente të të ardhurave të kunatit të tij dhe bashkëshortes së tij turke, prej nga deklaron se ka marrë 15 mijë euro hua në vitin 2016.

Por Komisioneri Publik, Dariel Sina deklaroi të martën në seancë se i qëndronte ankimit të tij dhe se provat e dorëzuara në Kolegj nuk provojnë të kundërtën e ankimit.

“Shpjegimi që subjekti bën për të llogaritur të ardhurat e realizuara nga prindërit, bazuar në pagën minimale për të cilën janë paguar detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore, të cilat më pas subjekti pretendon të llogariten në të ardhurat e ligjshme të prindërve, nuk gjejnë asnjë mbështetje ligjore,” tha Sina në seancë.

“Rezulton se për të ardhurat e deklaruara nga puna në bujqësi e babait dhe për të ardhurat nga emigracioni i vëllait, subjekti nuk ka paraqitur asnjë dokument apo provë të re bindëse për të kundërtën e shkakut të ankimit,” shtoi Sina, duke kërkuar edhe përjashtimin e të ardhurave të motrës nga analiza financiare.

Sipas Komisionerit, subjekti nuk ka paraqitur asnjë provë për burimin e ligjshëm të të ardhurave të xhaxhait nga i cili deklaron se ka marrë 3 mijë euro hua dhe se nuk arrin ende të justifikojë kursimet në vlerën e 200 mijë lekëve në vitin 2005.

Sina shtoi megjithatë se prokurori Muçi ka depozituar prova bindëse për të ardhurat e motrës dhe kunatit në Britaninë e Madhe, por ngriti pikëpyetje për mënyrën e transferimit të disa vlerave monetare nga Britania në Shqipëri. Lidhur me ligjshmërinë e të ardhurave të familjes së vëllait të bashkëshortes në Turqi, prej të cilit prokurori Muçi deklaron se ka marrë një hua në vlerën 15 mijë euro, Komisioneri konkludon se nuk provohet bindshëm burimi i ligjshëm i të ardhurave.

“Shuma e dhënë hua në vlerën 15.000 euro rezulton se zë rreth 45% të të ardhurave totale të familjes së personave të tjerë të lidhur, për periudhën 2013-2016,” tha Sina.

Prokurori Besnik Muçi ngriti pretendime në fjalën e tij se nga ana e Komisionerit po i krijoheshin situata, që për të tjerët ishin kaluar lehtë ose nuk ishin vënë re fare. Lidhur me konkluzionin e Komisionerit Publik se të ardhurat e familjes së vëllait të bashkëshortes në Turqi për periudhën janar 2013 – prill 2016  kanë qenë në vlerën rreth 4.6 milionë lekë, Muçi u shpreh se kishte kryer një analizë bazuar në kursin e këmbimit të Bankës Qendrore Evropiane në atë kohë dhe se vlera dilte më e lartë. Sipas tij, të ardhurat e huadhënësit ishin për atë periudhë në vlerën 42 mijë euro.

Prokurori Besnik Muçi i kërkoi Kolegjit që të kryhet interpretim i ligjit për personin e lidhur dhe personin tjetër të lidhur – duke shtuar se  personi i lidhur është ai që ka një marrëdhënie familjare dhe kjo pasqyrohet nga certifikata familjare. Ai ngriti pyetje nëse personi i lidhur dhe personi tjetër i lidhur mund të trajtohen njësoj, duke theksuar se një gjë e tillë nuk është e parashikuar në ligj.

“Subjekti nuk duhet të mbajë përgjegjësi për ligjshmërinë e personave të tjerë të lidhur,” tha prokurori Muçi.

Më pas ai u ndal tek qëndrimi i Komisionerit për të ardhurat e motrës kur ajo ishte pjesë e familjes së të atit. “Duke qenë se motra ishte pjesë e familjes, nuk e kuptoj pse duhej të deklaroja të ardhurat e motrës në familjen e saj? Trishtohem si qytetar kur e shoh këtë gjë,”, tha ai.

Muçi i kërkoi trupës gjykuese të Kolegjit të administrojë si prova dokumente të Bankës Kombëtare Tregtare, BKT për të dhënat bankare të dy familjarëve të tij. Pasi u tërhoq për rreth një orë, trupa gjykuese e KPA vendosi të administrojë si provë dokumentet e BKT-së dhe të deklasifikojë dokumentin e DSIK-së. Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 16 tetor, ora 12:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *