Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Zaganjorit: “Shmangu tatimet, nuk justifikon pasurinë”

Komisioneri Publik vendosi të apelojë vendimin për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e tij. Bazuar në vërejtjet e ONM-së dhe gjetjet e tij, Komisioneri thotë se, ndryshe nga KPK, doli në përfundmin se Zaganjori ngel në kriterin e pasurisë dhe se ka deklarim të pamjaftueshëm.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Foto:LSA

Arsyetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, ka bërë “evazion tatimor të ligjshëm” është sipas Komisionerit Publik i pabazuar. Në apelimin për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Florian Ballhysa thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me shmangie të detyrimeve ligjore.

Përndryshe nga përfundimet e KPK-së, Komisioneri thotë se Zaganjori dhe personat e tjerë të përfshirë në rregjistrimin e pasurisë, nuk kanë “shfrytëzuan një boshllëk ligjorë”, por kanë shmangur me qëllim detyrimet fiskale që vinin nga ligji për rregjistrimin e pasurisë së paluajtshme.

“Qëllimi i fiktivitetit të kontratës së vitit 2001 rezulton të jetë regjistrimi në ZRPP i pasurisë me vlerë më të vogël, me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve fiskale në favor të buxhetit të shtetit, detyrim ky që rrjedh nga kalimi i pronësisë së pasurisë së paluajtshme”, thotë Komisioneri.

Duke iu referuar këtij rasti dhe disa gjetjeve të tjera në vendimin e KPK-së, Komisioneri Florian Ballhysa thotë se KPK duhej të kishte shkarkuar Zaganjorin.

Komisioneri thotë se të njëjtat vërejtje mbi arystimin e KPK-së janë arritur edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), e cila ka arsyetuar të paktën në disa raste se të ardhurat apo transaksionet e pranuara nga Komisioni i Pavarur si të ligjshme nuk ishin të tilla dhe se Zaganjori nuk kishte argumentuar burimin e ligjshëm të pasurive.

Në korrrik trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komiçi dhe me anëtarë Roland Ilian dhe Pamela Qirkon ndonëse konstatoi mospërputhje mes deklarimeve, një kontratë fiktive, mungesa të kontratave noteriale dhe mospagim të detyrimeve tatimore-vendosi ndryshe nga sa ishte arsyetuar në raste të ngjashme se shkelje të tilla nuk konsiderohen shkarkuese.

Xhezair Zaganjori ka një karrierë 40-vjeçare fillimisht si pedagog dhe diplomat e më pas si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri. Procesi i rivlerësimit për të u fokusua kryesisht në kriterin e pasurisë, ndërsa vendimi i KPK-së tregoi se në dy kriteret e tjera nuk u gjetën probleme.

Lexo më tepër:

Evazioni fiskal i paligjshëm

Ndryshe nga KPK që vlerësoi në fund se pasuria e Zaganjorit ishte e ligjshme, megjithëse pronësia mbi një ndërtesë disa katëshe që shëbeu si banesë që po ashtu rezultonte më pas si burim për pasuritë e tjera përmes qirave niste me një akt fiktiv, Komisioneri hedh dyshime mbi këtë.

Ajo që për KPK është një kontratë në “pamje të parë fiktive”, për Komisionerin Publik është fiktive plotësisht dhe e bërë me qëllim për të shmangur detyrimet që sipas ligjit 8438/1998 Zaganjori dhe pjesëtarë të tjerë të bashkësisë ekonomike duhej t’i paguanin Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

“Pra, në këtë rast, ndryshe nga sa arsyeton Komisioni, nuk jemi përballë ndonjë boshllëku ligjor për të konkluduar sikundër parashtrohet në vendim se “Subjekti nuk mund të penalizohet për shkelje të dispozitave ligjore që nuk ekzistojnë””, thotë Komisioneri.

Komisioneri thotë se përfundimi i KPK-së nuk ishte i drejtë. Ai thotë se Komisioni kishte mjaftueshëm argumente për të mbajtur qëndrim tjetër ndaj këtij rasti.  Sipas tij Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) i kishte dërguar KPK-së një shkresë ku i vërtetonte se detyrimet ishin llogaritur në bazë të kësij transaksioni ku vlera e pasurisë ishte fiktive.

“Komisioneri Publik, pasi vlerësoi provat e mbledhura gjatë hetimit administrativ, bazuar në interpretimin ligjor të dispozitave të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, konstaton se Komisioni ka arritur në përfundime të gabuara për sa i takon vlerësimit të pasurive të subjektit të rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori”, thuhet në kërkesën për apel.

Veç vërejtjeve të Komisionerit edhe ONM, e cila kërkoi menjëherë pas vendimit të KPK-së ankimin të tij, gjeti probleme në vendim. Komisioneri i referohet një rekomandimi të saj rreth problemeve me blerjen e një apartamenti në Durrës.

“Sa më sipër, referuar dhe pikës 2.11 të rekomandimit të ONM-së, Komisioneri Publik çmon se subjekti i rivlerësimit për këtë pasuri nuk ka paraqitur asnjë provë për të provuar tërheqjen e 16.000 USD, deklaruar rishtazi si burim krijimi i pasurisë”, thuhet në kërkesën për apelim.

Po ashtu ONM vuri në dukje se qiratë e deklaruara nga Zaganjori si burim të ardhurash ndër vite nuk mund të konsideroheshin të ligjshme. Duke iu referuar ligjit i cili ka shërbyer si bazë për shkarkimin në  raste të ngjashme kur të ardhura për të cilat nuk ishin paguar taksat nuk ishin njohur si të ligjshme ONM rekomandoi se edhe në këtë rast ato nuk duhej të njiheshin. “Këto të ardhura nuk konsiderohen të ardhura të ligjshme në kuptim të nenit D, pika 3 e aneksit të Kushtetutës, përderisa nuk vërtetohet pagimi i detyrimit tatimor”, thuhet në ankimim.

Por nëse këto të ardhura nuk konsiderohen Zaganjori rezulton me probleme dhe pamjaftueshmëri për të paktën tre vite me rreth 2 milion lekë, sipas analizës finaciare të cilës i referohet ONM. Ai po ashtu rezulton me probleme në justifikimin e të ardhurave të tjera dhe parave që ka përdorur për financimin e shkollimit të djemve.

Po ashtu Komisioneri thotë se një pjesë e të ardhurave të bashkëshortes nuk mund të konsideroheshin të ligjshme për sa kohë edhe për to nuk ishin paguar tatimet. Probleme Komisioneri gjeti edhe në të ardhurat e fituara nga Zaganjori në Gjermani. “Komisioneri Publik konstaton, se sikurse edhe për pasuritë e paluajtshme, subjekti edhe në këtë rast ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme”, thuhet në apelim.

Arsyetimi i Komisionerit Publik

Komisioneri Publik vë re se në shqyrtimin e pasurive të Zaganjorit KPK gjeti një sërë mospërputhjesh mes shifrave. Zaganjori kishte deklaruar vlera të ndryshme për shtëpinë dhe të ardhurat në deklartat vjetore dhe të ndryshme në deklaratën veting.

Komisioneri thotë se mospërputhjet mes deklaratave vjetore dhe asaj veting ishin të konsiderueshme dhe nuk mund të shiheshin vetëm si pasaktësi. Kështu Komisioneri thotë se në deklaratën veting pasuria e paluajtshme (apartament, magazinë, zyrë dhe bodrum në Tiranë) ishte deklaruar 10.7 milion lekë, por në vitin 2003 ishte deklaruar vetëm 8.4 milion dhe në bazë të kontratave të shitblerjes që shërbyen për rregjistrimin e saj rezultonte vetëm 2 milion lekë.

Por ndërsa KPK arsyetoi se pasaktësitë ishin sqaruar dhe se ato nuk përbënin arsye për shkarkim, Komisioneri Publik thotë në ankimin për KPA se mospërputhjet ishin shkarkuese. Komisioneri thotë se KPK kishte arsyetuar gabim se rivlerësimi bëhej vetëm duke marrë parasysh deklaratën veting dhe se mospërputhjet e kësaj të fundit me deklarimet e mëhershme bëheshin shkak për hetim, por nuk ishin arsye për shkarkim.

Përndryshe Komisioneri Publik thotë se përgjegjësitë ligjore të subjektit nuk fillojnë me “deklartën veting” dhe se ai duhej të mbante përgjegjësi edhe për deklarimet e mëparshme dhe se duhej të paraqiste prova dhe shpjegonte pasaktësitë. Komisioneri thotë se Zaganjori dështoi ta bënte këtë.

“Komisioneri Publik konstaton se pas kalimit të barrës së provës ndaj subjektit të rivlerësimit, pavarësisht mundësisë që ligji i njeh për të sjellë prova, shpjegimet e dhëna prej tij mbeten në nivel deklarativ, duke mos vërtetuar kështu të kundërtën e gjetjeve të Komisionit”, arsyeton Ballhysa.

Ai thotë se arsyetimi justifikues i KPK-së në këtë rast duhej të rrëzohej, pasi subjekti nuk i ishte përmbajtur Kushtetutës e cila “kërkon që subjekti i rivlerësimit duhet të provojë të kundërtën apo të vërtetojë të kundërtën” kur KPK gjen probleme në deklarimet e tij apo pasuritë. Komisioneri thotë se qëndrimet deklarative të subjektit “nuk mundet të konsiderohen prova”.

Arsyetimi i Komisionerit mbështetet po ashtu edhe në rekomandim të ONM-së. Kjo e fundit ka kërkuar që pjesë të të ardhurave të Zaganjorit të konsiderohen të paligjshme pasi për to nuk ishin paguar tatime.  Në fund Komisioneri kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin e Zaganjorit dhe i bashkangjit kërkesës së tij edhe rekomandimin e ONM-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *