Trupa e KPK gjatë shqyrtimit të kërkesës së ish-gjyqtarit Besnik Maho. Foto: Vladimir  Karaj.
KP Lajme

Komisioneri ankimon mbylljen pa vendim të vetingut për Besnik Mahon

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të mërkurën më 27 dhjetor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për përfundimin e procesit të rivlerësimit për ish-gjyqtarin e Pogradecit, Besnik Maho, pa një vendim përfundimtar. Sipas Ballhysës, vendimi i shumicës së trupës së Komisionit nuk gjen mbështetje në faktet dhe parashikimet ligjore të procesit të vetingut të magjistratëve.

Më një kërkesë të janarit të vitit 2017, Besnik Maho ka kërkuar t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit si ish-gjyqtar, pasi më parë ka ushtruar detyrën si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Pogradec, në vitet 2005, 2006 dhe 2007. Kërkesa është nënshkruar nga përfaqësuesja me prokurë të posaçme.

Në janar të vitit 2021, Komisioni e ka njoftuar Mahon për fillimin e procesit të rivlerësimit, por ai ka njoftuar se e tërhiqte kërkesën e tij për t’iu nënshtruar vetingut për arsye se ishte shpallur fitues për inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, nga radhët e subjekteve jo magjistratë.

KPK i ka kërkuar subjektit një konfirmim nga ILD-ja për emërimin si inspektor në këtë institucion nga radhët e subjekteve jomagjistratë; kërkesë me shkrim për tërheqjen e kërkesës për t’iu nënshtruar vetingut; si dhe paraqitjen e formularit të deklarimit të pasurisë dhe dokumentacionit justifikues, pasi nuk ishte administruar raporti i vlerësimit të pasurisë nga ILDKPKI.

Maho është shprehur se deklarata e pasurisë, së bashku me dokumentacionin shoqërues, është nisur në drejtim të ILDKPKI-së nga bashkëshortja e tij. Por, ILDKPKI ka informuar Komisionin se Maho nuk e ka dorëzuar deklaratën e pasurisë.

Në vijim, subjekti ka përcjellë shkresë të Postës Shqiptare, që ka informuar se dokumenti është dorëzuar në destinacion. Në vijim, KPK ka vendosur të përfundojë hetimin sipas kërkesës së Mahos për plotësimin e kritereve për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit si ish-gjyqtar.

Në përfundim, është konkluduar nga shumica e përbërë prej relatores Etleda Çiftja dhe anëtarit Lulzim Hamitaj, se Besnik Maho nuk është subjekt rivlerësimi, pasi nuk plotëson kriterin kushtetues, që të ketë punuar të paktën 3 vjet në pozicionin e gjyqtarit. Për rrjedhojë, është vendosur ndërprerja e procesit të rivlerësimit pa një vendim përfundimtar.

Kryesuesja Brunilda Bekteshi në pakicë vlerësoi se procesi për Mahon duhej të ishte përfunduar me vendim përfundimtar dhe në rast të kalimit me sukses të vetingut, Komisioni mund të vendosë emërimin si gjyqtar ose prokuror, ose refuzimin për ta emëruar. Sipas saj, verifikimi për përmbushjen e kriterit të pasjes së 3 viteve të punës së tij si gjyqtar, do të përllogaritej dhe do të shërbente për përmbushjen e kritereve nëse ai do të ishte kandidat për të ushtruar detyrën në Gjykatën e Lartë.

Komisioneri vëren se Maho ka shprehur vullnetin për t’iu nënshtruar vetingut si ish-gjyqtar dhe se ka dorëzuar kërkesat për tre kriteret. Sipas Ballhysës, përsa i përket vjetërsisë në pozicionin e gjyqtarit, Maho e plotëson kushtim për t’u konsideruar subjekt rivlerësimi nga radhët e ish-gjyqtarëve.

Ai konstaton se përllogaritja e vjetërsisë në rastin konkret duhet të fillojë nga shtatori 2004 e deri në maj të 2008-ës kur ai është larguar nga detyra.

“[…]Arsyetimi i Komisionit se llogaritja e afatit të ushtrimit të detyrës nga personi në fjalë fillon nga data 3.10.2005, kur me Dekretin nr. *** është caktuar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Pogradec, pas përfundimit të periudhës së stazhit profesional, nuk mbështetet nga rrethanat faktike, dokumentacioni i administruar dhe as në legjislacionin e zbatueshëm”, citohet në ankim.

Në vijim Ballhysa konstaton se rezulton e provuar se Maho, nga shtatori 2004, deri në tetor të 2005-ës është emëruar dhe ka punuar në pozicionin e gjyqtarit për stazhin e kryer, duke gëzuar të drejta dhe marrë përsipër detyrime si magjistrat.

Ndërkohë, Komisioneri nuk shprehet lidhur me verifikimin e vullnetit të Mahos për t’iu nënshtruar vetingut, me argumentin se kjo rrethanë nuk është marrë në analizë dhe nuk ka qenë shkak i vendimarrjes përfundimtare të Komisionit.

Në përfundim, Komisioneri Publik vlerëson se përfundimi i arritur nga shumica e trupit gjykues, duke deklaruar përfundimin e procesit të rivlerësimit pa një vendim përfundimtar, nuk gjen mbështetje në faktet dhe parashikimet ligjore.

Ballhysa i kërkon Kolegjit që të prishi vendimin e Komisionit për Mahon dhe të urdhërojë të vijojë kryerjen e procedurave administrative në kuadër të procesit të rivlerësimin kalimtar për këtë kërkues.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *