Prokurori Bledar Bejko pas seancës në KPA. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN
Analiza

KPA u nda në rivlerësimin e prokurorit Bledar Bejko

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 26 qershor që të shkarkojë nga detyra prokurorin e Durrësit, Bledar Bejko për cënimin të besimit të publikut, duke përmbysur vendimarrjen e shkallës së parë të vetingut që e la në detyrë. Megjithatë, vendimi i shkarkimit u mor nga shumica trupit gjykues të Kolegjit, e përbërë nga kryesyesja Albana Shtylla dhe anëtaret Ina Rama, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz. Relatorja Mimoza Tasi doli në pakicë duke e kundërshtuar si të pabazuar vendimmarjen e shumicës dhe shkaqet e ngritura në ankimin e institucionit të Komisionerëve Publikë.

Bledar Bejko u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 maj 2022, por u ankimua nga Komisionerja Publike, Irena Nino, sipas të cilës nuk ishte bërë vlerësim i drejtë i fakteve, provave dhe legjislacionit për vetingun e magjistratëve.

Shkaqet e ankimit në Kolegj u ngritën mbi burimet e një apartamenti; të dhënat lidhur me hetimin e një çështje nga subjekti që u trajtua në kriterin e figurës; si dhe disa çështjeve të tjera profesionale. Ndërkohë, Kolegji vendosi të trajtojë edhe disa denoncime nga publiku, të depozituara pas konfirmimit të subjektit.

Bledar Bejko e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, ai u transferua në Prokurorinë e Fierit dhe prej vitit 2013 e deri në shkarkimin nga detyra, e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Durrësit.

Konkluzionet për pasurinë

Lidhur me një apartament me sipërfaqe 96.5 m2 në Tiranë, Komisioni ka konkluduar se pasaktësitë në deklarimet e subjektit të pashoqëruara me mungesa financiare, nuk sjellin pasoja e nuk mund të përbëjnë shkak për penalizim. Në përfundim, KPK ka vlerësuar se subjekti shpjegoi bindshëm burimet e kësaj pasurie,

Sipas Komisioneres Nino, mosdeklarimet në vite, deklarimet e pasakta dhe kontradiktore në deklaratën “veting” dhe gjatë hetimit administrativ mbi burimin financiar që ka shërbyer për shlyerjen e parakohshme të dy kredive në shumën totale 9000 euro, çojnë në pamundësi për të verifikuar se cilat nga deklarimet e subjektit pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike.

Edhe shumica e trupit gjykues të KPA konkludon se Bejko ka kryer deklarim të pasaktë të burimit të shlyerjes së dy kredive, si një ndër burimet e krijimit të apartamentit. Shumica çmon se mungesa e deklarimeve në vitin 2008 lidhur me një marrëveshje të revokuar dhe transaksionet respektive me shoqërinë ndërtuese, si edhe deklarimet e pasakta dhe kontradiktore mbi burimin financiar që ka shërbyer për shlyerjen e parakohshme të kredive, çojnë në pamundësi për të verifikuar se cilat nga deklarimet e ish-prokurorit Bejko pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike lidhur me burimin e të ardhurave për shlyerjen e kësaj shume.

Gjyqtarja Tasi në pakicë konstaton se rezulton e provuar se dy kreditë konsumatore janë shlyer brenda vitit 2008, me burim nga paratë e dhëna subjektit të rivlerësimit nga prindërit e tij. Lidhur me marrëdhënien kontraktore me shoqërinë ndërtuese, pakica vëren se veprimet janë kryer brenda vitit 2008 dhe nuk kanë sjellë asnjë pasojë juridike për subjektin. Bazuar në këto konstatime, Tasi vlerëson se subjekti nuk ka pasur detyrim të deklaronte marrëveshjen e revokuar, as në deklaratën periodike dhe as në atë “veting”.

Po ashtu, pakica çmon se Bejko nuk ka pasur detyrim për deklarimin e kredive, meqenëse veprimet për marrjen dhe shlyerjen e tyre janë kryer brenda vitit 2008.

Tasi vlerëson të paargumentuar dhe përtej shkaqeve të ankimit të Komisioneres, përfundimin e shumicës se subjekti gjatë hetimit administrativ ka identifikuar një burim tjetër financimi të pasurisë që ka pamundësuar kontrollin e të ardhurave të ligjshme të përdorura për shlyerjen e parakohshme të kredive.

Sipas saj, shumica duhej të mbante në konsideratë deklarimet e subjektit në vitin 2008, për dhënien e shumës 57 mijë euro nga babai, vlerë e pranuar në KPK dhe e pa kundërshtuar nga Komisionerja Publike si e ardhur e ligjshme e babait, si dhe duke konsideruar shumën për shlyerjen e dy kredive konsumatore. Në përfundim Tasi çmon se Bejko ka bërë deklarim të saktë edhe për burimet financiare.

Komisionerja Nino dhe shumica e Kolegjit arrijnë në konkluzion të ndryshëm nga Komisioni për një automjet të llojit “Daimler Chrysler”, të blerë në Gjermani nga prokurori Bejko në vitin 2007 – transaksion për të cilin subjekti ka shpjeguar se e ka kryer për një mikun e tij. KPK ka arritur në konkluzionin se subjekti nuk e ka përdorur dhe nuk ka përfituar të ardhura nga shitja e këtij mjeti. Po ashtu, është çmuar se vlera e blerjes së automjetit, së bashku me të gjitha taksat dhe detyrimet doganore mbi çmimin e blerjes së tij, përbëjnë shumën totale të dhënë nga shtetasi I.V. sipas deklaratës noteriale

Komisionerja Publike ndau qëndrim të ndryshëm nga Komisioni dhe vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës, pasi nuk ka deklaruar në deklaratën periodike vjetore për vitin 2007, blerjen, burimin e krijimit, shitjen dhe as të ardhurat e realizuara nga shitja e këtij automjeti.

KPA konstaton se nga aktet e administruara rezulton se subjekti e ka pasur në pronësi këtë automjet për një periudhë gati njëmujore. Sipas shumicës, Bejko në kundërshtim me ligjin nuk ka deklaruar këtë transaksion në vitin 2007.

“Fakti që në kontratat respektive të blerjes dhe shitjes së këtij automjeti figurojnë çmime me diferencë të madhe, blerja në vlerën 1.969.608 lekë dhe shitja në vlerën prej 500.000 lekësh, ka përcaktuar nevojën e deklarimit në DPV-në e vitit 2007 të këtij transaksioni, me qëllim shpjegimin e kësaj diference, e cila në pikëpamje formale duket se ka prodhuar pakësim të pasurisë likuiditet të subjektit, për aq sa kontratat e regjistruara në DPShTRr, tregojnë”, argumenton shumica dhe e vëren se mungesa e këtyre deklarimeve e bën të vështirë provimin e pretendimeve të tij.

Gjyqtarja Tasi në pakicë arrin në përfundimin se mosdeklarimi i shitblerjes së automjetit në vitin 2007 dhe sjellja e sforcuar në procesin e rivlerësimit të kësaj pasurie, nuk mund të marrë vlerën e pasaktësisë me pasojë deklarim të pamjaftueshëm në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar. Ajo e vlerëson pretendimin e Komisioneres Nino dhe konkluzionin e shumicës së KPA-së për deklarim të pamjaftueshëm, në tejkalim në mënyë të paarsyeshme të konceptit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve.

Figura dhe profesionalizmi

Për gjetjet në një çështje të trajtuar në kriterin e pastërtisë së figurës, shumica e KPA vlerëson se ka probleme profesionale, pasi nuk është njoftuar vendimarrja e marrë prej subjektit. Shumica arrin në përfundimin se ndonëse nuk rezultojnë rrethana që çojnë në kualifikimin e subjektit si të papërshtatshëm për figurën, gjenden mjaftueshëm elemente që tregojnë për ekzistencën e një vlerësimi me mangësi në kuadër të aftësive profesionale.

Tasi në pakicë e konsideron kontradiktor dhe të pabazuar në jurispudencën e Kolegjit konkluzionin e shumicës. Sipas saj, analizimi i gjetjes së DSIK-së në këndvështrim të vlerësimit të aftësive profesionale është bërë në mënyrë të sforcuar brenda këtij kriteri.

“[…]Vlerësoj se denoncuesja V. A. me veprimet që ka kryer, të cilat kanë ardhur si reflektim kundërshtimi ndaj vendimit të pushimit, më bëjnë të vështirë që të besoj se ajo nuk është njoftuar me vendimin e pushimit”, shprehet Tasi dhe vlerëson se shumica në vendim duhej të mbante në konsideratë edhe faktin që edhe nëse denoncuesja nuk ishte njohur me vendimin e pushimit, ajo në çdo kohë mund ta kërkonte atë vendim dhe të ushtronte ankimin në gjykatë.

Problemet e konstatuara në aspektin profesional janë gjetur nga shumica të pamjaftueshme për të konkluduar se Bejko është i paaftë profesionalisht.

Ndërkohë, janë konsatuar probleme në disa denoncime nga publiku të mbërritura në Kolegj, që u vlerësuan të vlefshme për t’u trajtuar.

Në vendim evidentohet se nga shqyrtimi këtyre denoncimeve konstatohet se vendimet e Bejkos të shfuqizuara nga gjykata dëshmojnë për cënim të të drejtave të qytetarëve për shkak të mangësive profesionale. Po ashtu, evidentohen periudha relativisht të gjata në të cilat subjekti nuk ka kryer veprime procedurale, duke sjellë zgjatjen e hetimeve paraprake dhe mungesa në seancat gjyqësore që kanë sjellë zgjatje të procesit.

“Problematikat e konstatuara në analizë të denoncimeve të ardhura për subjektin e rivlerësimit, krahas atyre të konstatuara në analizë të shkaqeve të ankimit që i adresoheshin kriterit të vlerësimit të pasurisë, e çojnë trupin gjykues në konkluzionin se lidhur me këtë kriter, mangësitë profesionale të evidentuara në veprimtarinë e subjektit të rivlerësimit, nuk mund të shërohen nëpërmjet programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës”, vlerëson shumica lidhur me kriterin profesional.

Konstatimet në të tre kriteret e rivlerësimit, si dhe ato në denoncimet e piublikut, e kanë çuar shumicën e Kolegjit në përfundimin se “subjekti i rivlerësimit e ka cenuar me sjelljen e tij profesionale, por edhe për sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë, besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.

“Jo rastësisht, në vlerësimin e trupit gjykues, konstatohet se pothuaj të gjitha problematikat e konstatuara në kriterin e aftësive profesionale janë prezantuar nëpërmjet denoncimeve publike, të cilat kanë rezultuar të drejta pas hetimit të organeve të rivlerësimit. Pesha e këtyre mangësive në vlerësimin tërësor të subjektit, është e tillë që e bën të pamundur riparimin e tyre nëpërmjet programit të trajnimit të Shkollës së Magjistraturës dhe, si rrjedhojë, Kolegji konkludoi se vazhdimi i ushtrimit prej tij të funksioneve të prokurorit do të ishte i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me qëllimin dhe parashikimet e nenit 179/b të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, arsyeton shumica dhe ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të Bejkos.

Pakica konstaton se shumica i ka bërë një arsyetim tejet të zgjeruar situatës faktike dhe akteve të administruara në fashikuj për procedimet penale të shqyrtuara, duke çuar në rëndimin e pozitës së subjektit, si dhe duke mos mbajtur në konsideratë parashikimin ligjor se “Vlerësuesi çmon aftësitë profesionale të prokurorit, pa gjykuar mbi korrektësinë dhe themelin e çështjes, si dhe pa zëvendësuar interpretimin ose logjikën e prokurorit që vlerësohet”.

Sipas Tasit, konstatimet në kriterin profesional nuk janë në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës të mos ta zgjidhë këtë çështje për 1 vit. “[…]Vlerësoj se mangësitë e konstatuara në drejtim të aspektit të njohurive ligjore e të arsyetimit ligjor për subjektin e rivlerësimit, si dhe në drejtim të aftësive organizative të tij, vetëm për 3 çështjet e ngritura në ankim nga Komisioneri Publik, nuk mund të shërbejnë për të përgjithësuar punën e subjektit në mbi 20 vite ushtrim detyre, si dhe nuk duhet të marrin peshën për t’u konsideruar në vlerësimin tërësor”, shprehet Tasi.

Po ashtu, pakica çmon se edhe problemet e konstatuara në denoncimet e publikut në Kolegj, nuk janë të mjaftueshme dhe me peshë të tillë për ta klasifikuar subjektin si të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, si dhe për cenim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Sipas Tasit, shumica i ka konsideruar në vlerësimin tërësor gjetjet për denoncimet nga publiku në mënyrë të sforcuar, duke i kualifikuar si cenim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe duke dhënë në përfundim masën disiplinore të shkarkimit nga detyra. Në përfundim, pakica vlerëson se shkaqet e ngritura në ankim janë të pabazuara dhe në tejkalim të objektit të rivlerësimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *