Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA
KPK Lajme Vendi

KPK pushon rivlerësimin për gjyqtaren e Tiranës pas dorëheqjes

Komisioni i Pavarur i Kualifimimit mbylli procesin e rivlerësimit për Arjana Licon, gjykatëse në Gjykatën e Tiranës, pasi u njoftua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për ndërprejen e mandatit për shkak të daljes në pension.

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arjana Lico. Trupa e posaçme në KPK për vlerësimin e largimeve dhe dorëheqjeve e përbërë nga Pamela Qirko, Etleda Çiftja dhe Lulzim Hamitaj, vendosi që Licos, e cila kishte plotësuar një kërkesë për të dalë në pension në janar të këtij viti, do i ndalohej që të përfshihej në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

“Nga verifikimi i dokumentacionit të dërguar me shkresën nr. *** prot., datë 5.3.2020, subjekti ka depozituar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesën nr. *** prot., datë 9.1.2020, për mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së detyruar për pension pleqërie, ku ka aplikuar pranë DRSSH-së Tiranë për lidhjen e pensionit të pleqërisë”, thuhet në vendim.

Në vendim KPK arsyeton për rastin ashtu si në dorëheqjet e tjera, duke arsyetuar se me largimin Lico nuk mund të kthehej në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. “Si sanksion kushtetues për raste të ngjashme, Komisioni orientohet që përveç ndërprerjes së procesit të rivlerësimit, të vendosë edhe ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit gjyqtar ose prokuror të çdo niveli, anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror të Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, thuhet në vendim.

Rreth 40 gjyqtarë e prokurorë kanë dhënë dorëheqjen apo janë larguar nga sistemi pas fillimit të procesit të vetingut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *