Gjyqtarja Anita Mici pas seancës dëgjimore në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Komisioneri publik i qëndron kërkesës për shkarkimin e Anita Micit

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi të hënën më 13 shkurt shkaqeve të ankimit dhe prashtrimeve në çështjen për gjyqtaren Anita Mici, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin dhe shkarkimin nga detyra të këtij subjekti për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, mungesë të burimeve të ligjshme financiare për krijimin e tyre dhe se në vlerësimin tërësor, përfshi dhe gjetjet e për profesionalizmin, ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Gjyqtarja e Apelit Durrës, Anita Mici i cilësoi të pabazuara dhe të paqarta shkaqet dhe kërkimet e Ballhysës. Për pasurinë ajo pretendoi se nuk mund të konstatohej deklarim i pamjaftueshëm nëse nuk ishte gjetur një situatë e tillë edhe për figurën. Ajo deklaroi se kishte provuar burimet e ligjshme për krijimin e dy pasurive të vetme që zotëron, një apartament dhe automjetin, si dhe se ishte e aftë profesionalisht. Mici kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin e saj në detyrë.

Anita Mici u konfirmua më 4 gusht 2020, pasi trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin, vlerësoi se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti kishte arritur të provonte pretendimet e saj për gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit.

Roli i Micit për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u çmua nga Komisioni si një çështje që i përket Gjykatës së Lartë dhe ILD-së. Vendimarrja e trupës së Apelit të Durrësit, ku bënte pjesë edhe Mici, u rrëzua nga Gjykata e Lartë pas rekursit të ushtruar nga prokuroria. Lirimi i parakohshëm i Berishës ishte një prej shkaqeve të ngritura nga Komisioneri.

Konkluzionet për pasurinë

Komisioneri Ballhysa vërejti në seancën e së hënës se edhe pas administrimit të provave dhe parashtrimeve të subjektit, nuk janë kundërshtuar shkaqet e ngritura prej tij në ankim.

Si burime për pagesat për një apartament të porositur në vitin 2006 për çmimin 75 mijë euro, Mici dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar një kredi në vlerën 45 mijë euro, 5000 euro nga kursimet e tyre dhe 25 mijë euro ndihmë nga vjehrri i gjyqtares.

Komisioneri Publik konstaton se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2006 pakësim të kursimeve cash, që të mund të kishin shërbyer për kryerjen e pagesës 5000 euro. Sipas tij, Mici ka kryer deklarime të pasakta dhe kontradiktore për këtë pagesë nga kursimet, si dhe nuk ka pasur mundësi për krijimin e tyre, pasi rezulton me pamundësi në shumën rreth 1 milion lekë.

Ballhysa tha se u qëndronte parashtrimeve dhe ankimit se Mici nuk arriti të provojë mundësinë e vjehrrit për vlerat e dhëna ndër vite. Po ashtu, ai vëren se subjekti dhe bashkëshorti nuk i kanë pasyqruar gjatë hetimit në deklaratat periodike, në atë “veting” dhe në përgjigje të një pyetësori, këto ndihma nga familjarët.

Sipas komisionerit, këto të ardhura të pretenduara nuk duhet të përfshihen në analizën financiare. Ai pretendoi se, nga analiza e kryer bazuar në deklarimet e subjektit rrezulton balancë negative në shumën rreth 3.2 milionë lekë për vitet 2005, 2007 dhe 2009-2014.

Po ashtu, komisioneri vlerëson se Mici është gjendur në pamundësi financiare në shumën rreth 1 milion lekë për blerjen e një automjeti, si dhe për shlyerjen e një huaje të marrë për këtë pasuri të luajtshme. Ballhysa vlerësoi se edhe nëse do të konsiderohej se huadhënësi kishte pasur mundësi për vlerën e dhënë bashkëshortit të subjektit, këta të fundit do të rezultonin sërish me balancë negative në vitin 2016 për mbulimin e gjithë shpenzimeve.

Sipas Ballhysës, nga analiza fiinaciare e përgjithshme rezulton balancë negative në vlerën totale rreth 5.3 milionë lekë, çka përbën sipas tij deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.

Gjyqtarja Anita Mici pretendoi se provat dëshmojë se vendimarrja e KPK-së është e bazuar dhe si e tillë duhet të lihet në fuqi. “Edhe në shqyrtimin tërësor të shkaqeve të ankimit, rezulton se vendimi i Komisionit është i bazuar, i drejtë dhe në përputhje me parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit,” pohoi Mici.

Sipas saj, për të kërkuar shkarkimin për deklarim të pamjaftueshëm, legjislacioni parashikon se duhet të plotësohen mangësi në kriterin e figurës dhe të paurisë. Sipas saj, nuk plotësohen kushtet e përcaktuara në nenin 61 pika 3 e ligjit për vetingun e magjistratëve. “Nuk ka pretendim për deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pastërtisë së figurës”, vërejti ajo dhe këmbënguli se kishte qenë e sinqertë në deklarimet e saj.

Mici deklaroi se gjatë gjithë karrierës së saj profesionale kishte krijuar së bashku me bashkëshortin vetëm dy pasuri, një apartament dhe një automjet. Sipas saj, nuk ka asnjë të dhënë apo indicie për mosdeklarim apo fshehje pasurie. Mici ripërsëriti se pamjaftueshmëria në deklarimin e pasurisë duhet të lidhet me pamjaftueshmërinë për figurën.

Në vijim ajo renditi qëndrimin e saj përfundimtar karshi konkluzioneve të Komisionerit. Sipas Micit, prvohet bindshëm se kursimet në vlerën 5000 euro janë krijuar me burime të ligjshme. Subjekti deklaroi se pagesa 5000 euro ishte paguar në fillim të vitit dhe për rrjedhojë kishin shërbyer kursimet e vitit të mëparshëm.

Ajo argumentoi se çdo vit kishte deklaruar gjendjen cash që dispononte. Ndërsa për vitet kur nuk kishte disponuar gjendje cash nuk kishte deklaruar, që sipas saj nënkuptonte se kursimet e mëparshme ishin pakësuar.

Bazuar në këto pretendime, ajo kërkoi që të konsiderohej e drejtë analiza financiare e kryer nga KPK dhe të vlerësohej se kishte pasur pakësime të gjendjes cash të mëparshme, kur në vitin pasardhës nuk ishin deklaruar të tilla kursime. “Deklarimet vjetore janë të vërteta dhe të sinqerta. Është deklaruar gjendja në banesë,” theksoi Mici.

Në vijim ajo pretendoi se me provat e reja që kishte dorëzuar në Kolegj kishte vërtetuar mundësinë e vjehrrit për ndihmën e dhënë në disa vite me shumën 250 mijë lekë çdo muaj. Sipas saj, provat e reja vërtetojnë ekonominë bujqësore të familjes së vjehrrit. Ajo shpjegoi se bashkëshorti në ato vite kishte ndjekur studimet e larta me shkëputje dhe ishte ndihmuar prej familjes së tij të origjinës.

Subjekti kërkoi uljen e shpenzimeve me argumentin se kishte provuar se familja e saj dhe e bashkëshortit kishin ekonomi bujqësore që ndihmonte në mbulimin e shpenzimeve të jetesës.

Lidhur me konstatimet për automjetin, subjekti pretendoi se huadhënësi kishte pasur mundësi për shumën. Sipas saj, huaja ishte marrë për shkak se bashkëshorti gjendej jashtë shtetit ku dhe po blinte makinën. Mici pretendoi se ata kishin pasur burime financiare të mjaftueshme për ta blerë makinën edhe nëse nuk do të merrej huaja, e cila sipas saj ishte shlyer brenda vitit.

Profesionalizmi

Një ndër çështjet për të cilat është ngritur shkak nga Komisioneri Publik, është vendimarja e Gjykatës së Apelit Durrës lidhur me lirimin e parakohshëm të kreut të ‘Bandës së Durrësit’, Lulzim Berisha, ku gjyqtarja Anita Mici ka qenë në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues.

Më 5 dhjetor 2016, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve të institucioneve të vuajtjes së dënimit që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garancie për punësimin e ofruar nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, gjykata e Apelit Durrës vulosi lirimin e Lulzim Berishës.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha qëndroi fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh për vepra penale të rënda. Aktualisht ai është në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005.

Kundër vendimarjes për lirimin e Berishës ushtroi rekurs Prokuroria e Apelit Durrës. Sipas Ballhysës, Gjykata e Lartë e ka prishur vendimin e Apelit Durrës, duke e konsideruar atë si të marrë në zbatim të gabuar dhe në kundërshtim me kërkesat e ligjit penal material. Ai kërkoi edhe në konkluzionet përfundimtare që kjo çështje të merret në konsideratë nga Kolegji dhe të vlerësohet në drejtim të aftësive profesionale të gjyqtarit.

Po ashtu, komisioneri i kërkoi KPA-së që të vlerësojë edhe vendimarrjet e subjektit në disa çështje të shqyrtuara prej saj në cilësinë e gjyqtares së vetme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, për të cilat Këshilli i Lartë Gjyqësor ka konstatuar ndër të tjera dënim joproporcional; mungesë arsyetimi ligjor lidhur me caktimin e masës dhe llojit të dënimit; ndërsa në një rast Ballhysa vlerëson se subjekti ka cënuar një dispozitë urdhëruese duke mos thirrur një palë në proces.

Sipas Komisionerit, problemet e konstatuara afektojnë nënindikatorët për kriterin profesional.

Ai kërkoi shkarkimin e Micit për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe në vlerësimin tërësor për cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Gjyqtarja Mici solli në vëmendje se konfirmimi në detyrë bëhet edhe me një nivel minimal kualifikues në kriterin profesional. Ajo theksoi se në raport me faktet e konstatuara, rezulton se zotëron aftësi shumë të mira profesionale.

Subjekti deklaroi se kishte punuar gjithmonë me profesionalizëm dhe kurajo, duke dhënë edhe dënime kapitale. Sipas saj, nuk mundej që të cënohet profesionalizmi për konstatime që kishin të bënin me masën e dënimit.

“Komisioneri Publik në kundërshtim me ligjin ka bërë të njëjtën analizë për të gjitha rastet, por pa përcaktuar probleme konkrete,” vërejti Mici dhe pretendoi se çështjet për të cilat ngrihen shkaqe prej Ballhysës, tregojnë cilësi të mira profesionale të saj dhe se kishte gjykuar me korrektësi.

“Komisioneri Publik, në mënyrë të paparashikuar nga ligji, me një gjuhë të krijuar prej tij, thotë se afektohen nënindikatorët,” vijoi Mici dhe kërkoi që aftësitë profesionale të vlerësohen në nivel të mirë, ashtu si dhe ka bërë Komisioni.

Lidhur me konstatimin e Ballhysës për cënim të besimit të publikut në vlerësimin tërësor të çështjes, Mici pretendoi se një vlerësim i tillë kryhet për të tre kriteret. Sipas saj, duhet të paraqiten paaftësi të theksuara që nuk korrigjohen nëpërmjet trajnimit dhe se në këto kushte që gjendet aktet, nuk mund të zbatohet pika 5 e nenit 61 të ligjit për rivlerësimin e magjistratëve, lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Mici deklaroi se kishte qenë korrekte me detyrën dhe se nuk kishte ceduar asnjëherë. “Komisioneri nuk arriti të sjellë fakte për paaftësi profesionale,” pohoi Mici dhe renditi rezultatet shumë të mira sipas saj kishte arritur gjatë studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe në ushtrimin e detyrës.

Subjekti pretendoi se besimin e publikut e kishte fituar me shumë kurajo, duke e vlerësuar profesionin si mision. Sipas saj, komisioneri ka kërkuar në amulli vlerësimin në tre kriteret, pa pasur prova konkrete. “Pra, kërkon të ndëshkohem pa prova”, vërejti ajo dhe pretendoi se gjatë shqyrtimit në Kolegj ishte arritur të provohej e kundërta e ankimit.

Në përfundim, gjyqtarja Anita Mici pretendoi se bazuar në provat e administruara rezultonte se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe se vendimi i Komisionit për konfirmimin e saj në detyrë duhet të lihet në fuqi. KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më 23 shkurt, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *