Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Konfirmohet në detyrë dhe referohet Besnik Cani, kandidat për KLP

Prokurori i Elbasanit Besnik Cani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pavarësisht pikëpyetjeve të ngritura mbi pasurinë dhe integritetin profesional. Komisioni referoi një çështje penale si dhe një marrëdhënie financiare private “te organet kompetente” për hetime të mëtejshme.

Seanca dëgjimore për rivlerësimin e prokurorit Besnik Cani. Foto: Vladimir Karaj

Prokurori i Elbasanit dhe kandidati për anëtar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë Besnik Cani u konsiderua “i përshtatshëm” për të vijuar detyrën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Tiranë më 27 nëntor 2018.

Trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici e shpalli vendimin të martën. Cani është aktualisht Këshilltar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Por vendimi për  konfirmimin në detyrë pati një pikë të dytë, në bazë të së cilës, komisioni vendosi të referojë “te organet kompetente” për hetime të mëtejshme dy çështje, njëra, marrëdhënia private e prokurorit me kompaninë Kastrati për një parcelë toke të dhënë me qira në Paskuqan të Tiranës si dhe për një dosje hetimore në Fier të lidhur me një vendimmarrje për kreditë e buta për të pastrehët të Këshillit Bashkiak të Fierit.

Problemet kryesore të Canit sipas relacionit, rezultuan nga një kontratë e diskutueshme sipas KPK-së me kompaninë “Kastrati” për një pikë karburanti në pronë të tij, një kërkesë për kredi të butë si i pastrehë nga Bashkia Fier në një kohë kur prokuroria kishte në hetim ish-kryebashkiakun si dhe pushimi apo mosfillimi i hetimeve për disa dosje.  KPK po ashtu theksoi edhe disa probleme me deklarimin e pasurisë.

Sipas relacionit, prokurori zotëronte rreth një mijë metra katrorë në Paskuqan, një pjesë të përfituara përmes procesit të legalizimit (633 metra katrorë) dhe 363 metra ishin blerë në vitin 2016 nga kunati për 1.5 milion lekë.

Në këtë pronë, më herët kishte qenë banesa e prokurorit, tani ndodhej sipas relacionit një pikë karburanti, një bar kafe dhe një lavazh. Objektet ishin ndërtuar nga kompania Kastrati Shpk, bazuar në një kontratë qiraje 25-vjeçare sipas të cilës Cani përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur aty dhe pas 25 viteve merrte në zotërim edhe karburantin. Kontrata kishte pësuar një sërë amendimesh dhe në versionin e saj të fundit bar-kafeja dhe lavazhi menaxhoheshin nga djali i subjektit.

Relatori tha se komisionit në këtë rast i kishin lindur dyshime për konflikt interesi dhe për kontratë investimi që binte ndesh me ligjin, ndërsa u cilësua se kishte dyshime për shkelje të etikës.

Në një rast të dytë, prokurori Cani hasi telashe me aplikimin për një kredi të butë si i pastrehë të Fier si dhe me një hetim penal mbi vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, hetim që ishte mbyllur me argumentin se nuk mund të ketë përgjegjësi penale për një vendim kolegjial. Cani u referua edhe për dy dosje të tjera hetimore. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit iu referua “organeve kompetente” pa bërë të ditur se cilat ishin këto organe.

Për këtë arsye komisioni vendosi që këto çështje ta referojë “te autoritetet” katër probleme.

Sipas relatorit, problemet janë: “a. Praktika e marrëdhënies juridiko-civile nëpërmjet subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me shoqërinë me iniciale K.I sh.p.k. b. Dosjes së procdimit penal 1079 të vitit 2012 si dhe praktikës për përfitimin e statusit të familjes së pastrehë në bazë të vendimit 14, datë 28.3.2013 të këshillit bashkiak Fier. c. Çështjes 1290 të vitit 2015 të Prokurorisë Elbasan. d. Çështjes 1380 të vitit 2006 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

Cani ishte prokurori i fundit në listën e kandidatëve për Anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që iu nënshtrua vetingut. Pas këtij vendimi pritet që të thirret mbledhja e përgjithshme e prokurorëve për të kryer procedurën e votimit për krijimin e KLP-së.

 

Lexo më shumë:

KPK vuri në pikëpyetje etikën, pasurinë dhe profesionalizmin e prokurorit Besnik Cani

Skeda e pasurisë së deklaruar-Besnik Cani-prokuror në Prokurorinë e Elbasanit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *