Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

KPA cakton seancë publike për Rovena Gashin, pas një gjetje të re nga ONM

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të dëgjojë në seancë publike Rovena Gashin,  prokurore e shkarkuar nga KPK, pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit paraqiti një gjetje të re në lidhje me çështjen e saj.

Rovena Gashi | Printscreen nga emision i ‘Opinion’ në TV Klan

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të dëgjojë në seancë publike Rovena Gashin prokuroren e shkarkuar nga KPK, pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit paraqiti një gjetje të re në lidhje me çështjen e saj.

KPA kreu të hënën shqyrtimin në dhomë këshillimi të apelimit të Gashit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili vendosi ta shkarkonte atë më 25 korrik 2018. Në një njoftim për shtyp KPA thotë se vendosi të zhvillonte një “seancë gjyqësore publike me praninë e palëve, ditën e enjte, në datën 04 prill 2019, ora 10:00”.

Vendimi për të kaluar çështjen në seancë publike u mor pasi Kolegjit i është paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) një gjetje e re në lidhje me çështjen ndaj Gashit.

“Trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Luan Daci relator, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, mori vendimin e ndërmjetëm për shqyrtimin e çështjes në seancë publike për dëgjimin e subjektit të rivlerësimit, lidhur me një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, thuhet në njoftimin e KPA.

Rovena Gashi e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2004. Ajo ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë. Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre. Ata fituan një gjyq ndaj vendimit të Markut për pezullimin e tyre nga detyre në Gjykatë Administrative, por ndërkohë Gashi ishte shkarkuar nga KPK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 25 korrik shkarkimin e Gashit, me argumentet se nuk mundi të justifikojë pasurinë dhe se kishte bërë deklarime të pavërteta dhe të pasakta.“I ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj,” thuhet ndër të tjera në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Trupa gjykuese që bëri rivlerësimin e Gashit u kryesua nga Genta Tafa (Bungo), me relator Lulzim  Hamitaj dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa Mia Roessingh ishte vëzhguesja ndërkombëtare e procesit.  Më herët, më 15 mars, komisionerja Suela Zhegu u tërhoq nga shqyrtimi i rastit. Ndaj Zhegut pati më pas akuza në media për rrjedhje të informacionit dhe konflikt interesi sa i përket këtij hetimi.

Sipas KPK-së, prokurorja Gashi dhe bashkëshorti i saj gjithashtu prokuror, Dritan Gina nuk kishin burime për të justifikuar një apartament 80 mijë euro në bregdet dhe një tjetër me vlerë 38 mijë euro në Tiranë. Gashi ashtu si ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe një sërë funksionarësh të tjerë të drejtësisë, ishin mes atyre të cilëve ambasada e SHBA-ve u njoftoi heqjen e vizave. Ish- prokurorja madje u ankua për heqjen e  vizës në një letër publike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *