Gjyqtari Bezart Kaçkini pas seancës dëgjimore. Foto: LSA.
KPK Lajme

Gjyqtari Bezart Kaçkini jep shpjegime për një hua për blerjen e apartamentit

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Bezart Kaçkini u përball të premten më 8 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për burimet e një huaje të marrë për pagesën e çmimit të apartamentit që zotëron. Ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe në fund të seancës dëgjimore kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i vetingut për Kaçkinin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Roland Ilian dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Bezart Kaçkini përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Në vitet 2010-2013, Kaçkini e ushtroi profesionin në Gjykatën e Shkodrës dhe prej vitit 2013 punon si gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Relatori Ilia sqaroi në fillim të seancës se në funksion të hetimit administrativ për gjyqtarin Kaçkini ishte administruar edhe dosja e vetingut të bashkëshortes së tij, prokurores Elida Kaçkini, e cila është konfirmuar në detyrë. Subjekti ka pohuar se u qëndronte deklarimeve të bashkëshortes gjatë procesit të saj të rivlerësimit.

Në vijim, Ilia parashtroi gjetjet për një apartament me sipërfaqe 78.33 m2 në Yzberisht të Tiranës, të blerë në vitin 2011 nga subjekti kundrejt vlerës 38 mijë e 260 euro. Për arsye se subjekti ka shënuar në deklaratën “veting” se çmimi blerjes kishte qenë 32 mijë e 260 euro, Komisioni konstatoi mospërputhje të vlerës së deklaruar të apartamentit me atë çfarë pasqyrohet në dokumentacion.

Kaçkini sqaroi në seancë se kishte qenë një lapsus, ku në vend të shënonte numrin 8, kishte shënuar 2. Ai sqaroi se vlera reale është ajo e pasqyruar në dokumente, në shumën 38 mijë e 260 euro.

Si burime krijimi të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar dy hua nga 12 mijë euro, një të marrë nga babai dhe tjetrën nga një kushërira e tij, si dhe kursime nga pagat.

Nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit ka pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huasë, ndërsa për kushërirën nuk është provuar mundësia financiare.

Ilia sqaroi se nga verifikimi të ardhurave të huadhënëses, ka rezultuar se ajo mbulonte me dokumentacion ligjor rreth 1.1 milion lekë. Po ashtu, ka rezultuar se kushërira e subjektit ka siguruar të ardhura në vlerën rreth 1 milion e 950 mijë lekë nga shërbimet në një organizatë jofitimprurëse, por për këto të ardhura nuk ka rezultuar të jetë paguar tatim në burim dhe për rrjedhojë nuk janë konsideruar në analizën financiare për mundësinë e huadhënies 12 mijë euro. Sipas KPK, huadhënësja rezultonte se kishte pasur mundësi të jepte borxh rreth 5300 euro.

Në përfundim, nga analiza financiare për blerjen e apartamentit, është konstatuar pamundësi në vlerën e 1.3 milion lekëve.

Ndërkohë, nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2004-2016, kur janë përfshirë edhe dy vitet kur subjekti ndiqte Shkollën e Magjistraturës, ka rezultuar një bilanc negativ total në shumën e rreth 685 mijë lekëve.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e dy automjeteve nga bashkëshortja e subjektit në vitet 2007 dhe 2014, përkatësisht në shumat 250 mijë lekë dhe 500 mijë lekë, si dhe për gjendjen në llogarinë rjedhëse të gjyqtarit Kaçkini, në shumën 1 milion e 136 mijë lekë, me burim kursimet nga pagat.

Gjyqtari Kaçkini deklaroi se nuk mund t’u lëvizte asnjë presje konkluzioneve të Komisionit për pasurinë, por ai shtoi se kishte këndvështrim të ndryshëm për disa gjetje.

Lidhur me kushërirën që i kishte dhënë hua, ai sqaroi se ishin rritur bashkë dhe se kjo ishte arsyeja përse ishte ndihmuar prej saj në vitin 2010 për të blerë banesën. Sipas subjektit, në atë periudhë ai punonte ende në Tropojë dhe e kishte thuajse të pamundur të përfitonte kredi. “Huatë duhen parë si ndihmë nga familjarët”, kërkoi Kaçkini dhe shtoi se kishte dorëzuar dokumentacion ligjor për të ardhurat e huadhënëses. Ai këmbënguli se kishte provuar me dokumentacion se të ardhurat e vajzës së dajës së tij ishin 3 milionë lekë, vlerë që sipas tij e justifikon dhënien e huasë.

“Ishte e pamundur t’i kërkoje atij që të ndihmonte nëse i kishte paguar tatimet,” pohoi Kaçkini dhe shtoi se në bazë të legjislacionit shqiptar, kushërira e kishte të pamundur t’i paguante vetë këto kontribute, pasi duhej të shlyheshin nga punëdhënësi.

Sipas subjektit, kushërira kishte pasur kontrata shërbimi me disa organizata dhe ka pasur më shumë të ardhura nga sa është vërtetuar me dokumentacion. Ai theksoi se kishte paraqitur dokumentacion për të ardhurat e familjes së dajës, ku rezulton se të ardhurat e këtij të fundit, të bashkëshortes dhe të djalit, tejkalojnë mundësinë e dhënies së huasë 12 mijë euro në 2010-ën edhe pa u konsideruar ato të kushërirës për të cilat KPK konstaton se nuk janë paguar detyrimet përkatëse.

Kaçkini kërkoi që të mos ngarkohej me përgjegjësi për shkak të mungesës së vigjilencës për të verifikuar mundësinë financiare të huadhënëses vite më parë, si dhe duke pretenduar se të dhënat dhe dokumentet e dorëzuara prej tij tregojnë se shuma e dhënë hua mbulohet me burime financiare të mjaftueshme.

Lidhur me konsiderimin nga Komisioni si shpenzim të një shume 710 mijë lekë të tërhequr nga banka, subjekti shpjegoi se 500 mijë lekë ishin tërhequr më datë 30 dhjetor të atij viti dhe se nuk mund të vlerësohej se i kishte shpenzuar për një ditë, duke mos u përfshirë si kursime në vitin pasardhës.

“Kam jetuar dhe jetoj mirë. Jam ‘i pasur’ se më mjaftojnë ato që kam. Nuk kam vese e nuk bëj një jetë të shthurur”, deklaroi subjekti ndër të tjera dhe shprehu besimin e tij se Komisioni do t’i vlerësonte gjërat sipas kontekstit të kohës.

Gjyqtari Bezart Kaçkini mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Në aspektin profesional u evidentuan disa raste të shqyrtimeve të çështjeve dhe arsyetimeve të vendimeve jashtë afateve të përcaktuara, gjetje për të cilat u tha se i janë kërkuar shpjegime. Relatori Ilia deklaroi se subjektit i janë kërkuar shpjegime dhe për një prej gjashtë denoncimeve nga publiku, pasi në pesë të tjerët nuk janë gjetur probleme.

Kaçkini shprehu dakordësi edhe për gjetjet në kriterin e figurës dhe për profesionalizmin. Lidhur me konstatimet për tejkalimin e afateve të shqyrtimit të çështjeve dhe arsyetimit të vendimeve, subjekti tha se kur kishin filluar punë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë në vitin 2013, kishin në zyrë vetëm një tavolinë, pa kompjuter.

“Na kanë sjellë sekretare gjyqësore që nuk e dinte që ishte sekretare gjyqësore. Thoshte, ‘shef, çfarë do të pish sot?’, – ndërkohë që nuk dinte detyrat e saj”, përshkroi ndër të tjera ai.

Sipas tij, këto rrethana kishin sjellë edhe vonesat në shqyrtimin e çështjeve dhe arsyetimin e vendimeve.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Bezart Kaçkini shprehu bindjen dhe besimin se Komisioni do të japë vendim të drejtë dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 11 mars, në porën 09:50.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *