Prokurori Eugen Beçi pas seancës dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

KPA dëgjon në seancë pretendimet e prokurorit Eugen Beçi

Prokurori i shkarkuar nga KPK, Eugen Beçi pretendoi në seancë se nuk kishte pasur si qëllim fshehjen e revokimit të vizës amerikane dhe dorëzoi prova të reja. Pas seancës dëgjimore, Kolegji mbylli shqyrtimin gjyqësor.

Prokurori Eugen Beçi pas seancës dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën në seancë publike prokurorin Eugen Beçi, i cili është ankuar kundër vendimit të shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të datës 26 qershor 2019, pasi e gjeti me probleme në dy kritere.

Trupa e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo njoftoi se pas vlerësimit në dhomë këshillimi, ishte parë e arsyeshme që çështja të zhvillohej në seancë publike për të dëgjuar Beçin.

Beçi u shkarkua nga KPK mbi arsyetimin se ka plotësuar në mënyrë të pasaktë formularin e kontrollit të figurës, duke u përpjekur të fshehë fakte [revokimi i vizës]; nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë si dhe ka ndërmarrë hapa për të fshehur ose paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij.

Pasi mori fjalën, Beçi kërkoi rishikim të vendimit të KPK-së duke sjellë kryesisht argumente kundër arsyetimit të Komisonit në kriterin e figurës mbi mosdeklarimin e revokimit të vizës nga Ambasada e SHBA.

Prokurori pretendoi se mosdeklarimi në formular i revokimit të vizës kishte qenë një keqkuptim dhe se ai nuk kishte pasur për qëllim fshehjen, pasi bashkë me formularin kishte dorëzuar pasaportën, e cila kishte në një faqe të saj edhe vulën për revokimin e vizës. Beçi po ashtu pretendoi se viza nuk ishte marrë me kërkesë të tij, por i ishte dhënë për shkak të aktiviteteve me OPDAT, (Programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë në ambasadë).

Ai solli si prova të reja një letër nga Shefi për Hetimet Kriminale në Ambasadën e SHBA në Tiranë, që siç tha nuk kishte qenë e mundur të dorëzohej në KPK, pasi ishte vënë në dispozicion të tij pas vendimit nga Komisioni dhe një letër këmbim me zyrën konsullore.

Beçi paraqiti si argumente në favor të tij hetimet e përbashkëta me përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë në Tiranë dhe vlerësimet që kishte marrë në ato raste.

I pyetur nga gjyqtarja Schuetz mbi komentin e ambasadës para revokimit të vizave për një sërë gjyqtarësh dhe prokurorësh, se ajo ishte një lëvizje për të ndihmuar luftën ndaj korrupsionit, Beçi u përgjigj se ai nuk kishte asnjë arsye se pse i ishte revokuar viza.

Ai këmbënguli se nuk kishte pasur arsye për të fshehur këtë revokim dhe se kishte vënë në dijeni KPK që në pyetësorin e parë që kishte marrë.

Edhe pse çështja e tij në Kolegj përfshinte edhe kriterin e pasurisë, Beçi nuk paraqiti argumente shtesë në atë kriter, ndërsa këmbënguli se nuk kishte arsye për shkarkim në asnjë prej kritereve.

Anëtarja e trupës, Schuetz kërkoi megjithatë shpjegime në lidhje me transaksionet mbi një apartament me vlerës 22 milionë lekë. Schuetz i tha Beçit se personi me të cilin kishte bërë ndërrimin e apartamenteve dukej se i kishte falur 7 milionë lekë gjatë transaksionit.

Beçi tha se palët nuk kishin konsideruar çmimin me të cilin ishte rivlerësuar apartamenti në momentin e kontratës dhe këmbënguli se marrëdhënia ishte ndikuar nga lidhja shoqërore. Ai tha se nuk kishte pasur konflikt interesi me personin në fjalë, por se ishte një njohje miqësore e vjetër.

Pas përfundimit të pyetjeve dhe pranimit për të marrë si prova dokumentet shtesë që Beçi solli në kriterin e figurës, Kolegji njoftoi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe caktoi 9 shkurtin si ditën e shpalljes së vendimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *