Gjyqtarja Hajrie Muçmata në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Lajme

KPA konstaton shkelje të rënda në vendimin e KPK për gjyqtaren Hajrie Muçmata

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 9 nëntor 2022 me shkaqet e ankimit të ngritura prej gjyqtares së Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata kundër vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e saj nga detyra për probleme në kriterin e pasurisë. Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama shpjegoi se kalimi për shqyrtim i ankimit të Muçmatës në seancë publike u krye me qëllim korrigjimin e shkelje të rënda procedurale të kryera prej KPK-së, të konstatuara gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi.

Muçamataj e cila u përfaqësua në seancë edhe me avokaten Irena Reso doli me dy kërkime, një për shpalljen e vendimit të Komisionit si absulutisht të pavlefshëm me pretendimin se arsyetimi nuk ishte kryer nga relatorja e çështjes, ashtu si e ngarkon ligji, ndërsa në rast të rrëzimit të këtij varianti, u kërkua riçelja e hetimit dhe kryerja e analizës financiare bazuar edhe në provat e reja të depozituara prej subjektit së bashku me ankimin dhe me parashtrimet. Kërkesa e dytë u pranua nga Kolegji që çeli dhe mbylli hetimin gjyqësor gjatë seancës së të mërkurës dhe u tërhoq për vendimarrje përfundimtare.

Gjyqtarja Hajrie Muçmata u shkarkua më 11 nëntor 2019, pasi trupa e Komisionit e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Pamela Qirkon, konkludoi pamundësi financiare për krijimin e dy pasurive të paluajtshme dhe mosdeklarim të një huaje.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK, Muçmata nuk arriti të justifikonte rreth 6.4 milionë lekë, se kishte bërë deklarim të rremë në lidhje me destinacionin e një kredie, si dhe u konstatuan një sërë problemesh dhe pasaktësish në deklarimet vjetore.

Muçmata i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe kërkoi që të rivlerësohej në të tre kriteret. Ajo ngriti pretendime mbi anshmërinë e trupës gjykuese duke kërkuar përjashtimin e saj, por kjo kërkesë u rrëzua prej Komisionit.

Në fillim të seancës të mërkurën në KPA, avokatja Reso vërejti se vendimi i KPK-së është arsyetuar rreth 7 muaj me vonesë dhe se në procesverbal shënohej se relatorja Alma Faskaj nuk kishte nënshkruar për arsye objektive. Sipas saj, fakti se relatorja Faskaj nuk e kishte nënshkruar vendimin, vërtetonte se nuk e kishte kryer ajo arsyetimin dhe për rrjedhojë kjo vendimarje ishte absolutisht e pavlefshme. “Legjislacioni ngarkon relatorin e çështjes për arsyetimin e vendimit”, vërejti Reso dhe shtoi se në asnjë rast tjetër gjatë procesit të vetingut nuk kishte ndodhur që relatori të mos kishte arsyetuar vendimin.

Po ashtu u ngritën prtendime edhe lidhur me procesin e rregullt ligjor, konkretisht për gjykimin nga një trupë e krijuar me ligj. Reso pohoi se kishin depozituar vendime gjyqësore që vërtetonin shkarkimin nga detyra të ish-relatores Faskaj prej ish-Këshillit të Lartë Gjyqësor kohë përpara se të emërohej si komisionere. Sipas Resos, kjo rrethanë kishte egzistuar në kohën e emërimit të Faskajt, duke e konsideruar përzgjedhjen e saj të paligjshme.

Nga sa u relatua në seancë u mësua se, bazuar në një kallëzim të kryer ndaj Faskajt për këtë konstatim, Muçmata ka kërkuar pezullimin e gjykimit në Kolegj, deri në përfundimin e çështjes në Gjykatën e Lartë.

Reso solli në vëmendje edhe edhe jurispudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejttat e Njeriut në çështjen e ish-prokurorit Cani, ku u konstatuan shkelje për sa i përket “të drejtës së një gjykate të krijuar me ligj”, për shkak të zgjedhjes së paligjshme të ish-anëtarit të KPA-së, Luan Daci.

“Vendimi i aryetuar i Komisionit ka në tërësi gabime dhe referenca të gabuara ligjore. Më krijohet bindja se është punuar mbi një vendim tjetër. Këto gabime e mangësi cënojnë vendimin në tërësi”, deklaroi në vijim Reso.

Avokatja cilësoi si të pabazuar dhe të padrejtë analizën financiare të Komisionit për Muçmatën, duke pretenduar se balancat negative kishin ardhur si pasojë e konsiderimit të shpenzimeve jetike në vlera shumë të larta. “Vendimi duket i paracaktuar”, tha ajo dhe pretendoi diskriminim të Muçmatës për shkak se ishin konsideruar shpenzime më të larta jetike të saj si gjyqtare në Kukës, se për gjyqtarët e Tiranës.

“Shpenzimet nuk janë bazuar në prova e dokumente, por sipas dëshirës”, vijoi Reso duke theksuar se nuk ishin përllogaritur të ardhurat e dokumentuara.

Edhe gjyqtarja Muçmata vërejti se ankimi është fokusuar në dy pjesë, njëra që ka të bëjë me pavlefshmërinë absolute dhe tjetra me shqyrtimin e çështjes në themel.

Muçamata vërejti se kishte kërkuar rikryerjen e një analize të re financiare, pasi Komisioni nuk kishte argumentuar se si i kishte konkluduar balancat negative.

Ajo tregoi se gjatë karrierës së saj 25 vjeçare kishte arritur të krijonte vetëm tre pasuri, një apartament në bashkëpronësi; një njësi shërbimi në bashkëpronësi me pjesë takuese ¼ – at dhe një garazh.

Sipas subjektit, në vitin 2004 bashkëshorti kishte porositur një apartamet për të cilin kishte kryer në vijim edhe disa shpenzime. Sipas saj, kjo ishte arsyeja përse kishte ndryshime dhe kërkoi që për shpenzimet për këtë pasuri duhen konsideruar deklarimet e saj dhe kontrata e shitjes. “E vetmja pasaktësi mund të ketë të bëjë me deklarimin në 2004 të gjithë sipërfaqes së apartamentit, që në veting është veçuar sipërfaqja e brendshme e apartamentit me atë të përbashkët”, sqaroi Muçmata dhe pretendoi se kjo rrethanë nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi.

Subjekti vijoi se për të kundërshtuar pretendimin e KPK-së se çmimi i apartamentit ka qenë tjetër nga ai i deklaruar, kishte dorëzuar pesë kontrata të tjera shitje ku rezultonte se çmimi për m2 ishte më i ulët se ai i banesës së saj. “Kjo vlerë i përket faktit se në vitin 2005 kam deklaruar disa punime shtesë”, ritheksoi ajo dhe solli në vëmendje një vendimarrje të Kolegjit për një rast të ngjashëm sipas saj.

Në vijim Muçmata deklaroi se kishte arritur të vërtetonte burimin e një huaje të marrë nga bashkëshorti. Sipas saj, huadhënësit kishin ushtruar aktiviteti privat dhe kishin zotëruar pasuri. “Unë i shikoja çdo ditë që punonin e sfiliteshin dhe nuk kisha menduar t’u kërkoja nëse kishin paguar taksat”, pohoi Muçamata dhe kërkoi që të konsiderohen edhe të ardhurat e huadhënësve nga ish-firmat piramidale. Edhe në këtë rast ajo i kërkoi trupës të bazohej në një vendimarrje të KPA, ku vlerat e disponuara në ish-skemat priamidale ishin vlerësuar si burime financiare të ligjshme.

Sipas Muçmatës, pavlefshmëria e vendimit të KPK-së rezulton edhe nga konkluzioni matematik për balancën financiare. Subjekti theksoi se balancat negative të konstatuara nuk përputhen me të ardhurat dhe deklarimet e saj.

Muçmata u ndal edhe në njësinë e shërbimit për të cilën janë konstatuar probleme prej Komisionit. Sipas saj, njësia e shërbimit ishte blerë me iniciativën e bashkëpronarit, i cili u kishte propozuar të kryenin investim së bashku dhe se kishte qenë ai që i kishte paguar këstet e para.

Subjekti deklaroi se bashkëpronari kishte ndërruar jetë në shkurt të vitit 2022 dhe pas disa muajve kishte marrë dijeni prej bashkëshortes së të ndjerit për gjetjen e disa mandatpagesave të kohës kur ishte blerë lokali.

“Po t’u referohemi mandat-pagesave që janë të zhubrosura nga koha e gjatë, vërtetohet pretendimi im se pagesa e këstit të parë është berë nga bashkëpronari, se ne nuk kishim para”, pohoi Muçmata dhe shpjegoi se bashkëpronari e dinte që familja e bashkëshortit kishte toka në zonën ku do të ndërtohej aeroporti i Kukësit dhe mendonte se kishin burime financiare për shkak të shpronësimit. .

Muçmata këmbënguli se provat e reja që kishte siguruar së fundmi vërtetonin se pagesat e para në shumën rreth 30 mijë euro ishin kryer nga bashkëpronari, ndërsa dy pagesat e fundit në vlerë totale 29 mijë euro prej bashkëshortit. Ajo deklaroi se për pagesën e kësaj shume kishte shërbyer dhurimi i kryer nga babai i bashkëshortit.

“Këtë pasuri bashkëshorti e ka fituar me dhurim dhe mund edhe të mos e deklaroja. Por për transparencë e kam deklaruar”, pohoi subjekti. Për mosdeklarimin e njësisë së shërbimit në vitet 2003 dhe 2004, Muçamta këmbënguli se në atë periudhë nuk gëzonin asnjë të drejtë reale pasi nuk kishin shlyer asnjë vlerë të kësaj pasurie. Ajo deklaroi se pas pagesës së kësteve nga bashkëshorti ishin bërë bashkëpronarë dhe e kishin deklaruar.

Subjekti e cilësoi të pabazuar konkluzionin e Komisionit për deklarim të rremë për destinacionin e një kredie. Ajo e cilësoi si lapsus shënimin në deklaratën “veting” se si burime të njësisë kishin shërbyer një pjesë e dhurimit dhe një pjesë prej kredisë. Ajo pohoi se bashkëshortit i kishte dhuruar i ati 4 milionë lekë, që mjaftonin për shlyerjen e pjesës takuese.

Po ashtu, kundërshtoi konstatimin e Komisionit për mosdeklarimin e një huaje 3 milionë lekë që bashkëshorti kishte marrë në vitin 2005. Sipas Muçmatës huaja ishte marrë dhe shlyer brenda dy muajve të të njëjtit vit kalendarik, e për rrjedhojë nuk kishte pasur detyrim ligjor për ta deklaruar.

“Më vjen habi me vendimin e KPK, se pranohet shlyerja e borxhit me kredi dhe nuk pranohet borxhi. Me duket me keqadashësi. Nuk di çfare logjike ekonomike është përdorur”, pohoi Muçmata.

Ajo pretendoi se konkluzioni i KPK për balancë negative në vlerë mbi 6 milionë lekë, nuk përkonte me vetë analizën e kryer në raportin përfundimtar. “Ka diferencë 2 milionë lekë që mendoj se është lapsus, por që ka efekt financiar”, pohoi Muçamata dhe vërejti se prej këtyre gabimeve ridhte edhe balanca negative.

“Standarti i përdorur në vlerësimin e provave nuk është ligjor dhe i drejtë, por është përdorur vetëm për të nxjerrë një balancë negative”, theksoi subjekti.

Ajo pretendoi se kishte dorëzuar prova pas vendimarrjes së Komisionit, që vërtetojnë gjithçka që ajo kishte deklaruar. Po ashtu, në fund të seancës subjekti dhe avokatja Reso vërejtën se kishin dorëzuar si prova foto që vërtetonin se një pjesë e sipërfaqes së njësisë së shërbimit përbëhej nga ballkone.

Muçamata kërkoi në përfundim që vendimi i Komisionit të shpallej absolutisht i pavlefshëm dhe në rast të mospranimit të kësaj kërkese, të riçelej hetimi gjyqësor e të rikryhej analiza financiare.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtyllën, Natasha Mulajn e Sokol Çomon, vendosi të çeli hetimin gjyqësor dhe administroi të gjitha provat e dorëzuara nga subjekti së bashku me ankimin dhe parashtrimet; si dhe të kryejë analizë financiare në funksion të vendimarrjes përfundimtare.

Ndërkohë, rrëzoi kërkesën për shpalljen e vendimit të KPK absolutisht të pavlefshëm, si dhe refuzoi kërkesën për pezullimin e gykimit deri në përfundimin e shqyrtimit në Gjykatën e Lartë të çështjes penale ndaj Faskajt.

Kolegji, po në seancën e të mërkurës, ftoi Muçmatën për kërkimet përfundimtare, e cila përfundimisht kërkoi prishjen e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin e saj në detyrë. KPA mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit që u njoftua se do të shpallet më datë 15 nëntor, në orën 14:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *