Jualian Xhengo në KPK | Foto: LSA
Analiza KPK Veting

KPK: Julian Xhengo i papërshtatshëm profesionalisht, cënoi besimin e publikut

Prokurori i Tiranës, Julian Xhengo u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 14 shtator 2022 pasi u konkludua i papërshtatshëm për profesionalizmin, ndërsa gjetjet në kriterin pasuror dhe atë të pastërtisë së figurës u konsideruan në vlerësimin tërësor në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Xhengo i kundërshtoi barrat e provës në të tre kriteret e rivlerësimit, por pa mundur t’i përmbysë një pjesë të tyre që sollën dhe penalizimin e tij.

Sipas KPK-së subjekti ka shfaqur mangësi profesionale të përsëritura, ndërsa është përfshirë në një situatë në dukje interesi në gjykimin e një çështje.

Komisioni vlerëson se mosdeklarimi i prindërve si persona të lidhur dhe dyshimet për fshehje të vlerës reale të blerjes së një automjeti nëpërmjet deklarimeve të pasakta dhe kontradiktore është në shkelje të ligjit.

Subjektit gjithashtu iu kaluar barra e proves për mos deklarimin e të emrit të pronarit të një makine me të cilën kishte udhëtuar, i cili rezultonte i proceduar penalisht.

Të gjithë këto probleme sipas KPK-së janë vlerësuar në cënim të besimit të publikut.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Xhengo u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin.

Julian Xhengo i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe punoi fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe në atë të Fierit. Prej vitit 2008 dhe deri në largimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Cënimi besimit

Në vendimin e arsyetuar të KPK konkludohet se dy balanca negative të konstatuara në rivlerësimin e pasurisë, njëra në shumën 397 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2016 dhe pamundësia 735 mijë lekë për mbulimin e shpenzimeve dhe investimeve gjatë periudhës kur Xhengo ka qenë në detyrë, nuk mund të jenë të mjaftueshme për penalizim, nëse do të ishte vlerësuar si konstatim i vetëm i vlerësimit pasuror.

“Por, këto balanca, vlerësuar në raport me rrethana të tjera të evidentuara gjatë procesit të rivlerësimit të pasurisë si: deklarime të pasakta e kontradiktore në përpjekje për të fshehur vlerën reale të paguar për blerjen e automjetit apo mosdeklarimi i prindërve si persona të lidhur në deklaratën Vetting, janë marrë në konsideratë në vlerësimin përfundimtar të çështjes, duke u konsideruar si elemente që cenojnë besimin e publikut te figura e subjektit si pjesë e sistemit të drejtësisë”, çmon Komisioni dhe analizon në mënyrë të detajuar këto gjetje në kriterin pasuror.

Konkretisht, subjekti ka deklaruar se në vitin 2016 ka blerë automjetin e llojit “Mercedes Benz” në vlerën 980 mijë lekë, me burim të ardhura nga shitja e automjetit të mëparshëm dhe një kredi në shumën 500 mijë lekë.

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka konstatuar probleme për këtë pasuri, Komisioni ka gjetur se pala shitëse kishte shpenzuar për blerjen e mjetit vetëm një muaj e gjysmë më parë në Itali dhe zhdoganimin, shumën totale 1 milion e 779 mijë lekë, një vlerë rreth 1.8 herë më të lartë nga sa ka paguar Xhengo.

Subjekti ka shpjeguar se nuk e njeh personalisht palën shitëse dhe se kontratën tek noteri nuk e ka nënshkruar në prani të saj. Lidhur me blerjen e mjetit më lirë ai ka pohuar se makina ishte nxjerrë në shitje për shumën 1.2 milionë lekë nga vajza e palës shitëse, pasi kjo e fundit ishte sëmurur dhe i nevojiteshin të holla për qëllime kurimi – duke u dakortësuar në përfundim për shumën 980 mijë lekë.

Xhengo ka paraqitur edhe dokumente për të vërtetuar se pronarja e mjetit ishte shtruar në spital në atë periudhë, por ka rezultuar se ajo ka dalë rreth 25 ditë para se të shiste makinën dhe se ishte kuruar në spital shtetëror.

Po ashtu, deklarimet e Xhengos se shitja e mjetit është kryer për shkak të sëmundjes së palës shitëse, e cila ishte 74 vjeçe në momentin e blerjes së kësaj pasurie, konsiderohen prej KPK-së në kundërshtim me vetë kontratën e shit-blerjes. Kjo, pasi në kontratë parashikohet se shitësja i ka propozuar Xhengos shitjen e mjetit, dy ditë para se ajo ta blinte vetë – propozim që subjekti e ka pranuar në ditën e lidhjes së kontratës.

Gjatë hetimit paraprak, KPK e ka konsideruar të pajustifikuar financiarisht dhe objektivisht blerjen e mjetit nga subjekti rreth dy herë më ulët se vlera e paguar nga pala shitëse një muaj e gjysmë përpara.

Komisioni sjell në vëmendje dhe faktin se pala shitëse në moshën 74 vjeçare ka qenë në pamundësi për ta drejtuar vetë mjetin dhe për rrjedhojë bëhet i pabesueshëm fakti i blerjes së makinës në emër të saj.

Edhe pas shpjegimeve të subjektit, Komisioni ka vlerësuar se nuk është arritur të kundërshtohet barra e provës, duke i çmuar pretendimet e tij në nivel deklarativ.

Bazuar në këto të dhëna, trupa e KPK shprehet se ka krijuar bindjen se çmimi real i paguar nga subjekti për blerjen e mjetit ka qenë të paktën në vlerën e paguar nga pala shitëse.

Në përfundim, KPK vlerëson se Xhengo ka kryer deklarime të pasakta dhe kontradiktore në përpjekje për të fshehur vlerën reale të paguar për blerjen e automjetit, duke i çmuar ato si elemente që cënojnë besimin e publikut.

Në vitin 2006, në deklaratën para fillimit të detyrës, prokurori Xhengo ka pasqyruar një shtëpi banimi me sipërfaqe 120 m2, në proces legalizimi të blerë në vitin 1999 në vlerën 2.5 milionë lekë, me burim të ardhurat e pirndërve. Në deklarimet e mëvonshme dhe në atë “veting”, subjekti nuk ka kryer shënime për këtë pasuri. Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ ka shpjeguar se kjo banesë është në pronësi të të atit dhe se në 2006-ën ka deklaruar pjesë takuese 25% për shkak të moskuptimit të saktë të deklaratës.

Xhengo ka pretenduar se prindërit e tij nuk kanë qenë persona të lidhur pasi nuk ishin në të njëjtën përbërje familjare gjatë plotësimit të deklaratës “veting” dhe se kjo kishte qenë arsyeja e mos pasyqrimit të kësaj pasurie. Por sipas KPK, ky pretendim është i pabazuar, pasi sipas legjislacionit të vetingut, prindërit e subjektit kanë qenë pjesë persona të lidhur për shkak se ishin pjesë e familjes së tij gjatë periudhës së rivlerësimit tetor 2013 – tetor 2016.

“Shkëputja nga trungu familjar tre muaj më parë se të plotësohej deklarata Vetting, nuk e përjashtonte subjektin nga detyrimi që në deklaratën Vetting të deklaronte personat që kanë qenë në të njëjtin trung me të gjatë periudhës së vlerësimit, e cila ka përfunduar 10 ditë më parë se subjekti të shkëputej nga trungu familjar”, vlerëson KPK dhe e cilëson këtë gjetje si pasaktësi në deklaratën “veting”, që e ka çmuar si element që cënon besimin e publikut te figura e subjektit si pjesë e sistemit të drejtësisë.

Nga hetimi për figurën, ka rezultuar se Xhengo ka udhëtuar me një automjet në pronësi të shtetasit S.Sh., të përfshirë në krimin e organizuar.

KPK konstaton se subjekti ka deklaruar si pronar të mjetit me të cilin ka udhëtuar një tjetër person dhe jo shtetasit S.Sh..

Subjekti ka theksuar se vetëm gjatë hetimit administrativ ka mësuar se mjeti me të cilin kishte udhëtuar në vitin 2013 i përkishte shtetasit S.Sh.. Por, Komisioni vlerëson se Xhengo mundej dhe duhej të verifikonte pronarin e mjetit gjatë periudhës së udhëtimit, ashtu sikurse me saktësi ka verifikuar dhe deklaruar emrat e pronarëve të mjeteve të tjerë me të cilët ka udhëtuar.

Komisioni ngre dyshime se ngatërresa është bërë me qëllim për të fshehur faktin se mjeti ka qenë në pronësi të shtetasit S.Sh., person me precedent penal. Në përfundim të vlerësimit të figurës, KPK vlerëson se nuk mund të arrijë në përfundimin se Xhengo është i papërshtatshëm, por nga hetimi administrativ në lidhje me këtë kriter ka çmuar se ka elemente që cënojnë besimin e publikut.

I papërshtatshëm profesionalisht

Nga të dhënat arkivore ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme, me urdhër të tetorit 2014 ka vendosur dhënien e masës disiplinore “vërejtje” ndaj Xhengos, me argumentin se nga ana e tij janë kryer shkelje për shkak të zvarritjeve të theksuara dhe të pajustifikuara të proceseve gjyqësore për shkaqe të papërligjura në ligj.

Ndaj subjektit ka pasur 6 kallëzime të cilat janë trajtuar nga prokuroritë kompetente dhe në përfundim është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Po ashtu, janë konstatuar edhe 18 praktikë-ankesa trajtuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Nisur nga këto të dhëna, KPK vëren se tetë praktika janë ankesa të paraqitura edhe si denoncime nga publiku.

Në një prej çështjeve të trajtuara është konstatuar se subjekti, pa arsye ligjore, ka regjistruar procedimin penal pas një kohe relativisht të gjatë prej 7 muaj e gjysmë, ndërkohë që në bazë të udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm, kërkohet kryerja e një minimumi verifikimesh dhe afati i regjistrimit të procedimit është maksimumi 30 ditë.

Pas regjistrimit të procedimit subjekti nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për një periudhë mbi 7 muaj dhe pas urdhërimit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për një periudhë mbi 3 muaj. KPK e vlerëson si një mënyrë pune jo efektive që nuk pajtohet me pozicionin e tij. Në vendim thuhet se këto lloj shkeljesh janë të përsëritura dhe janë marrë në konsideratë në vlerësimin tërësor dhe përfundimtar të çështjes.

Një denoncim ka evidentur se Xhengo nuk është paraqitur në 22 seanca gjyqësore, nga të cilat vetëm në një rast rezulton se ka vërtetuar shkakun e mosparaqitjes dhe në një rast tjetër ka rezultuar se nuk është formuar trupi gjykues, duke mbetur të pajisutifikuara shtyrjet e 20 seancave.

Të pandehurit kanë ngritur pretendime për njëanshmëri të prokurorit Xhengo në hetimin e një personi që ishte kushëri i tij. Sipas KPK, subjekti nuk ka provuar pretendimin se është konsultuar me eprorët për këtë pretendim të ngritur nga të pandehurit.

“Nisur nga fakti që shtetasi D. Xh. ka qenë drejtor i faturimeve në shoqërinë ‘CEZ Shpërndarje’ dhe të gjithë të akuzuarit kanë qenë faturistë në varësi të tij, subjekti i ka pasur mundësitë dhe duhet të verifikonte çfarëdolloj lidhje gjinore me këtë shtetas për shkak të mbiemrit të njëjtë”, vlerëson KPK.

Sipas trupës, edhe nëse subjekti nuk do të kishte pasur njohje, pas pretendimeve të ngritura nga të pandehurit e tjerë në seancat gjyqësore, ai duhej të jepte dorëheqjen për të shmangur çdo situatë konflikti interesi, duke e paraqitur me shkrim ku mund të vendoste më pas drejtuesi i prokurorisë.

KPK konkludon se Xhengo në këtë rast është në kushtet e një konflikti në dukje të interesit, fakt që është mbajtur në konsideratë gjatë vlerësimit përfundimtar të aftësive profesionale të subjektit, në drejtim të etikës profesionale.

Në përfundim, në rivlerësimin profesional është konstatuar se Xhengo ka zvarritur në mënyrë të përsëritur hetimin e çështjeve penale pasi, në mënyrë të përsëritur ka kryer regjistrimin e procedimit penal tej afateve ligjore pa shkaqe të justifikuara ligjërisht; për periudha të gjata nuk ka kryer asnjë veprim hetimore; në mënyrë të përsëritur ka zgjatur afatet e hetimeve pa shkaqe ligjore dhe me të njëjtin arsyetim të marrë me ‘copy paste’ nga vendimet e para’; si dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor pas edhe marrjes së këtyre vendimeve.

Bazuar në këto gjetje, KPK konkludon se Xhengo nuk ka treguar aftësi të mira profesionale e organizative; si dhe ka cenuar etikën e prokurorit jo vetëm në gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit duke ushtruar detyrën, por edhe për shkak të mangësive të përsëritura. Këto gjetje janë vlerësuar shkarkuese prej Komisionit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *