Gjyqtari Ramazan Avdiu në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Ramazan Avdiu

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 6 qershor të largojë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin e Elbasanit, Ramazan Avdiu. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPA e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Avdiut kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e shkarkoi atë.

Gjyqtari Ramazan Avdiu u shkarkua nga detyra më 6 maj 2021, pasi Komisioni arriti në përfundimin se kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë si dhe se kishte cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë në disa transaksione huadhënie nga ana e tij, me interesa. Vendimi u disponua me shumicë votash nga kryesuesi i trupit gjykues, Olsi Komici dhe relatorja Valbona Sanxhaktari. Ndërsa anëtarja Xhensila Pine doli me mendim pakice duke çmuar se gjyqtarit Ramazan Avdiu nuk iu ofrua një proces i rregullt ligjor në KPK.

Ramazan Avdiu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar si gjyqtar dhe kryetar në Gjykatën e Gramshit deri në vitin 2007 kur u suprimua kjo gjykatë. Prej vitit 2008 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *