Rilinda Selimi në KPA | Foto: BIRN
KPA Lajme Veting

KPA mbyll hetimin gjyqësor për ankimin ndaj konfirmimit të Rilinda Selimit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën më 6 qershor të mbylli hetimin gjyqësor lidhur me ankimin e institucionit të Komisionerëve Publikë kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Rilinda Selimi. Mbyllja e shqyrtimit gjyqësor u vendos pasi trupa e KPA administroi si prova aktet e dorëzuara nga Selimi për të kundërshtuar ankimin e ngritur ndaj saj.

Kërkesa e Komisioneres Publike Irena Nino për marrjen e informacioneve shtesë lidhur me shkaqet e ngritura në ankim, u cilësua e panevojshme për hetimin gjyqësor me argumentin se aktet e administruara janë të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjes. Nino nuk pati qëndrim lidhur me provat e subjektit dhe vendimarrjen e KPA-së për administrimin e tyre, ndërsa gjyqtarja Selimi kërkoi mbylljen e hetimit gjyqësor, kërkesë që u pranua nga trupa gjykuese.

Pasi komisionerja Nino kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, KPA vendosi të shtyjë seancën për më datë 20 qershor, në orën 14:00.

Rilinda Selimi u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.

Bazuar në këtë rekomandim, ish-komisioneri Darjel Sina ankimoi çështjen dhe kërkoi rihetim të Selimit në të tri kriteret. Sipas Sinës, edhe në vlerësim të gjendjes që janë aktet, subjekti nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Në seancën parardhëse më 19 maj, Nino u qëndroi gjatë parashtrimeve shkaqeve të ankimit. Ndërsa Selimi e ndau mbrojtjen në disa pjesë dhe fillimisht foli mbi shkaqet e ankimit për pasurinë e saj dhe të bashkëshortit.

Ajo evidentoi se një shumë prej 8 mijë euro nga shitja e një makine, që kërkohej të hetohej sërish nuk ishte përfshirë në analizën financiare në KPK dhe se për këtë arsye kishte rezultuar me një bilanc negativ. Ajo po ashtu përsëriti se nuk kishte pasur detyrim ligjor të paguante tatime për shitjen e kësaj pasurie.

Selimi këmbënguli se dyshimet mbi kontratën e dhënies me qira të një pike karburanti nuk qëndronin. Duke iu referuar pretendimit të Komisionerit Publik për paralelizëm mes kësaj kontrate dhe asaj të lidhur nga ish-prokurori Besnik Cani, Selimi tha se rasti nuk ishte i ngjashëm.

Ajo kundërshtoi pretendimet për përfitime më të mëdha në kontratat e qirasë për këtë karburant duke vënë në dukje se ato ishin të diktuara nga tregu dhe nga vendi ku ndodhej karburanti.

Gjyqtarja kundërshtoi përfshirjen në hetim si person tjetër të lidhur të vjehrrit të saj. Ajo i tha trupës se ai nuk plotësonte asnjë nga kriteret për t’u cilësuar i tillë dhe se bashkëpunimi i tij me bashkëshortin ishte ortakëri, ku palët kishin ndarë detyrimet dhe përfitimet.

Selimi po ashtu mbrojti pozicionin e saj sa i përket mospagesës së tatimeve për disa transaksione, cilësuar nga Komisioneri si shkelje e etikës. Selimi këmbënguli se nuk kishte pasur detyrim për këto pagesa dhe pretendoi se Komisioneri Publik kishte ngatërruar në ankim konceptet mes tatimit dhe taksave.

Lidhur me kriterin e figurës, Selimi pretendoi se F.D., një person që konsiderohej si kontakt i papërshtatshëm i saj, nuk ishte i tillë pasi ishte dënuar vetëm për “moskallëzim krimi”.

Ajo iu kthye një çështje të bashkëshortit Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i cili u shkarkua nga institucionet e rivlerësimit për kontakte të papërshtatshme.

Gjyqtarja Selimi vuri në dukje se ndërsa bashkëshorti ishte shkarkuar për shkak të pretendimit të ONM-së se kishte ndikuar në mos-ekstradimin e një personi me inicialet A.I, i kërkuar për trafik narkotikësh nga një vend fqinj, gjyqtarja që kishte vendosur lirimin e tij ishte konfirmuar nga KPK dhe vendimi nuk ishte ankimuar.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *