Gjyqtari Altin Abdiu pas seancës dëgjimore, Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Shtyhet seanca dëgjimore për Altin Abdiun

Seanca dëgjimore publike në funksion të procesit të vetingut të gjyqtarit të Tiranës, Altin Abdiu e përcaktuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për t’u zhvilluar të hënën më 6 qershor u shty, pas një kërkese të përfaqësueses ligjore të subjektit të rivlerësimit.

Kur kryesuesi i trupës së KPK-së, Roland Ilia çeli seancën, gjyqtari Altin Abdiu solli në vëmendje kërkesën për shtyrje të seancës të dorëzuar nga avokatja e zgjedhur prej tij, Antoneta Sevdari, për arsye shëndetësore. Abdiu deklaroi se kishte të drejtën për t’u mbrojtur me avokat. Kryesuesi Ilia sqaroi se trupa kishte marrë vendim më parë për pranimin e kërkesës dhe njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 14 qershor, në orën 13:00.

Gjyqtari Altin Abdiu ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Prej vitit 1995 Abdiu shërben si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Trupa e KPK-së që po kryen rivlerësimin kalimtar të gjyqtarit Abdiu kryesohet nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Etleda Çiftjan. Kjo e fundit është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “deklarim të rremë” dhe “falsifikim”, gjatë procesit të përzgjedhjes së saj si anëtare e Komisionit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *