Prokurorja e Elbasanit, Zena Lila pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me pretendimet në çështjen e prokurores Zena Lila

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 12 shtator me parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare në çështjen e prokurores së Elbasanit, Zena Lila dhe pasi deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor u tërhoq për të marrë vendim që do ta shpalli më 19 shtator, në orën 14:00. Komisionerja Publike, Irena Nino u shpreh se u qëndronte gjithë shkaqeve në ankim, duke kërkuar shkarkimin e Lilës për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Prokurorja Lila, e përfaqësuar në KPA nga avokati Fatmir Lushi, i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e komisioneres dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të subjektit nga ana e Komisionit, bazuar në frymën e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Nino vërejti se po parashtronte si çështje për gjykim rrethana dhe fakte ligjore, për të cilat çmon se Lila nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me burimet e ligjshme të krijimit të dy pasurive, një shtëpie banimi në Tiranë dhe një depozite bankare.

Si burime krijimi të shtëpisë, subjekti ka deklaruar kursimet e të ardhurave familjare; 500 mijë lekë të përfituara nga shitja e një shtëpie në Gramsh; 1.1 milion lekë nga shitja e një magazine dhe pjesë toke, pa dokumentacion; si dhe të ardhurat familjare nga kursimet dhe interesa bankare nga viti 1997.

Nino konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar në vite shitjen e apartamentit në Gramsh, por vetëm në 2004-ën ka shënuar çeljen e një depozite bankare me sqarimin se është shitur shtëpia.

Në vijim, Komisionerja vërejti se lidhur me shitjen e magazinës dhe të tokës, Lila e ka shënuar këtë burim për herë të parë në deklaratën veting, ndërkohë që nga aktet nuk rezulton të ketë paraqitur ndonjë dokumentacion justifikues mbi posedimin e kësaj pasurie dhe të ardhurat e pretenduara të përfituara.

Gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë të vetingut, Komisioni i kaloi subjekit barrën e provës për pamundësi financiare ndër vite për krijimin e shumës së investuar. Po ashtu, u konstatua se bashkëshorti subjektit derdhte në bankë shuma parash cash, për të cilat deri në fazën e hetimit paraprak mbetej i paprovuar burimi i ligjshëm i tyre.

Sipas Ninos, pas prapësimeve të subjektit, duket se Komisioni, nisur nga mospërputhjet e deklarimeve në lidhje me evidentimin e shumës 1.6 milionë lekë nga shitja e shtëpisë në Gramsh, ka vendosur të riçelë hetimin administrativ për të siguruar informacionin e nevojshëm nga një bankë në lidhje me gjendjen e llogarisë në momentin e shitblerjes së pasurisë në Gramsh.

Në përfundim Komisioni ka arritur në konkluzionin se nuk ka rrethana që mund të dokumentojnë ekzistencën e shitjes së truallit me sipërfaqe ndërtimore të paregjistruara dhe përfitimin e vlerës 1.1 milion lekë në vitin 2005. Është konkluduar se vetëm deklarimi i depozitës, me vlerë 2.3 milionë lekë, me burim shitjen e shtëpisë, është i pamjaftueshëm për të argumentuar ekzistencën e këtyre sipërfaqeve dhe vlerën e pretenduar prej 1.1 milion lekësh për shitjen e tyre.

Nino tha se ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin lidhur me burimin e deklaruar nga shitja e magazinës dhe tokës pa dokumentacion dhe vlerëson se pretendimet e Lilas nuk u provuan me dokumentacion edhe pas riçeljes së hetimit administrativ. Bazuar në këto argumente, Nino tha se burimi 1.1 milion lekë nga shitja e këtyre pasurive mbetet në nivel deklarativ.

Avokati Fatmir Lushi pretendoi se situata është e ndryshme nga sa paraqiti Komisionerja. Sipas tij, pronat nuk janë regjistruar pasi nuk është kryer azhornimi në atë zonë. Ai shtoi se subjekti i ka deklaruar në dy deklarata të mëparshme.

Lidhur me të ardhurat nga shitja e apartamentit, Lushi nënvizoi se subjekti në deklarimin periodik ka shënuar se ka vendosur në bankë një shumë që është përfituar nga shitja e një shtëpie. Ai argumentoi se subjekti nuk ka pasur tjetër shtëpi dhe rezulton qartë se bëhet fjalë për apartamentin në Gramsh.

Lushi sqaroi se me shitjen është marrë djali dhe se për këtë fakt është pyetur dy herë nga ILDKPKI, ku dhe ka dhënë shpjegime.

Sipas avokatit të subjektit, deklarimi i shitjes së shtëpisë, vendosja në bankë e vlerës së përfituar, si dhe deklarimet e djalit në ILDKPKI, bëjnë që të provohet burimi i ligjshëm i atyre të ardhurave.

Për një depozitë bankare në bono thesari në vlerën 3.8 milionë lekë, subjekti ka deklaruar si burim krijimi kursimet nga paga e saj si prokurore dhe ajo e bashkëshortit si mjek.

Në përfundim të hetimit paraprak, KPK ka konstatuar pamundësi të subjektit në masën 1.6 milionë lekë për krijimin e këtyre likujditeteve. Por, Komisioni ka vlerësuar se pamundësia ka ardhur si pasojë e pasaktësive në deklarime të bëra ndër vite të kursimeve cash dhe duke zbatuar parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, ka çmuar se nuk përbën shkak të qëllimshëm të penalizimit me masën disiplinore të shkarkimit.

Nino nuk ndan qëndrim dhe vlerësim të njëjtë me Komisionin dhe vëren se pamundësia rezulton e ndryshme nga ajo e konstatuar prej Komisionit.

Sipas Komisioneres, subjekti ka pretenduar se si burim i depozitës kanë shërbyer kursimet e viteve të mëparshme, vetëm në përgjigje të rezultateve të hetimit administrativ, pas konstatimit të bilancit negativ. Ky pretendim është marrë në konsideratë nga KPK dhe është reflektuar në analizën financiare për periudhën nga viti 2010 e në vijim.

Duke ju referuar jurisprudencës së Kolegjit, Nino vlerëson se arsyetimi i Komisionit mbi trajtimin e kursimeve cash dhe mbulimin e shpenzimeve dhe kursimeve me burime të ligjshme, nuk përputhet me gjendjen që janë aktet në dosje. Ajo tha se analiza financiare e subjektit duhet kryer duke llogaritur për çdo vit kursimet në cash të deklaruara në deklaratat periodike vjetore si shtesa të kursimeve dhe pa pakësuar kursimet e akumuluara në vitet e mëparshme, për sa kohë nuk pasqyrohen si të tilla në deklaratat periodike. Komisionerja kërkoi që kursimet cash të mos konsiderohen si kursim i mbartur dhe i akumuluar, në vitet pasardhëse, nëse nga analiza financiare e vitit respektiv nuk rezulton mbulim i kursimeve cash me burime të ligjshme.

Bazuar në këto argumente, Nino u shpreh se vlerëson se pamjaftueshmëritë e konstatuara për apartamentin dhe depozitën e bëjnë deklarimin e subjektit të pasaktë e të pamjaftueshëm. Në përfundim, Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të prokurores Zena Lila.

Lidhur me depozitën, avokati Lushi pretendoi se, nëse shpenzimet jetike në vitin 2007 dhe kursime në vite do të përllogariteshin ndryshe, atëherë dhe rezultati do të ishte tjetër.

Ai shtoi se nuk qëndron pretendimi i Komisioneres për moszbatimin e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit. Lushi tha se nuk ka pasur ndryshime në deklarimet e subjektit, por se ajo ka deklaruar ashtu si e ka kuptuar.

Sipas avokatit, megjithëse duhej të ishte deklaruar pakësimi i kursimeve për depozitimet në bankë, kjo rrethanë nuk ka sjellë ndonjë fshehje pasurie.

“Nëse do të ishte deklaruar pakësimi i kursimeve, atëherë nuk do të kishte qenë nevoja e aplikimit të parimit të objektivitetit dhe proporcinalitetit”, tha ndër të tjera avokati Lushi dhe theksoi se të ardhurat për këto kursime janë pagat, që janë të matshme dhe të prekshme.

Duke pranuar pasaktësinë në mosdeklarimin e pakësimit të kursimeve, Lushi kërkoi të konsiderohen korrigjimet e kryera në ILDKPKI lidhur me këto likujditete.

Për konstatimin se subjekti ka kryer deklarim të ndryshëm të kursimeve për vitin 2016 nga deklarata veting, Lushi vërejti se në deklaratën periodike është shënuar vlera e disponuar më datë 31 janar, kurse në atë veting gjenjda faktike në momentin e plotësimit të deklaratës.

Lushi pretendoi se vendimi i KPK është në përputhje me provat dhe ligjin dhe se duhet të lihet në fuqi.

Të pyetur nga KPA lidhur me konkluzionet përfundimtare, palët u shprehën se u qëndronin parashtrimeve dhe se nuk kishin diçka për të shtuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *