Prokurori Erjon Shqarri dhe përfaqësuesja e tij ligjore në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA rrëzon kërkesën për pezullimin e prokurorit Erjon Shqarri

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e rrëzoi si të pabazuar pretendimin e Komisioneres Publike, Irena Nino se prokurori i Vlorës, Erjon Shqarri duhej pezulluar dhe detyruar të ndiqte trajnimin njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës, për problemet e evidentuara në dy çështje të hetuara prej tij.

Erjon Shqarri u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 9 maj, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, rekomandoi ankimimin e kësaj vendimarrje dhe shqyrtimin e dy çështjeve. Rasti i parë kishte të bënte me denoncimin e një vajze ndaj ish-partnerit për përndjekje – çështje që ishte pushuar nga Shqarri. Ky i fundit pretendoi se viktima dhe i kallëzuari kishin qenë në komunikim me njëri – tjetrin. Madje, sipas tij, viktima kishte bërë më shumë telefonata ndaj të kallëzuarit dhe se për të pasur një rast përndjekje, refuzimi i viktimës duhej të ishte kategorik dhe i hapur.

Por ONM dhe Nino arsyetuan se subjekti nuk arrinte të kuptonte veçoritë e krimeve me bazë gjinore dhe duhej të trajnohej në Shkollën e Magjistraturës.

Ky shkak i ngritur nga Komisionerja u gjet i pabazuar nga shumica e trupit gjykues të Kolegjit. Kryesuesi i trupit gjykues të KPA, Sokol Çomo u shpreh se është gjetur i drejtë intepretimi i kryer nga Shqarri për çështjen. Megjithatë, ai shtoi se ashtu si Komisionerja dhe Kolegji konstaton mangësi në arsyetim.

Çështja tjetër për të cilën u kërkua riedukimi i Shqarrit, kishte të bënte me kërkimin e një mase sigurimi personal “detyrim paraqitje” ndaj një personi të hetuar për përkrahje të autorit të krimit, por që kishte qenë i dënuar më parë. Sipas Ninos, subjekti nuk kishte kryer verifikimet e duhura për gjendjen gjyqësore të personit nën hetim, duke kërkuar një masë sigurimi personal me të lehtë, që nuk përkonte me aktet e administruara.

Sipas Shqarrit, kërkesa për caktimin e masës së sigurisë është bazuar në verifikimet e kryera brenda 48 orëve dhe se personi i lënë në detyrim paraqitje nuk ka kryer asnjë vepër tjetër penale deri në momentin e dërgimit të çështjes në gjyq.

Ashtu si Komisionerja, edhe Kolegji arrin në konkluzionin se veprimet verifikuese të subjektit për gjendjen gjyqësore të Shqarrit nuk kanë qenë të plota. Sipas KPA, ai duhej të kishte kryer verifikime më të thella për gjeneralitetet e personit nën hetim, që ishin ndryshuar. Kolegji Vlerëson se verifikimet për gjeneralitetet e të hetuarit, do të kishin ndikuar edhe në konstatimin e gjendjes gjyqësore dhe për rrjedhojë në llojin e masës së sigurimit personal.

Por, kjo mangësi nuk është gjetur përsëritëse dhe për rjedhojë është vlerësuar e pamjaftueshme për të aplikuar masën e pezullimit ndaj Shqarrit dhe detyrimin për ndjekjen e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Në përfundim, Kolegji me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për prokurorin Erjon Shqarri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *