Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e “El Classicos”

Drejtuesi i Apelit Durrës, Petrit Çeno, i cili ishte pezulluar më parë nga KLD-ja si i dyshuar për korrupsion, u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gloria Çeno, vajza dhe përfaqësuese e gjyqtarit Petrit Çeno dhe avokati i tij, Rafik Gurra para seancës dëgjimore me KPK.

Shkarkohet nga detyra ish-kreu i Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, i cili më parë ishte pezulluar nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pasi dyshohej si i përfshirë në një aferë korruptive. Në seancën e të mërkurës, kryesuesi i treshes gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit(KPK) njoftoi vendimin për shkarkimin e gjyqtait Petrit Çeno.  Çeno nuk ishte i pranishëm, por seancën e ndoqën përfaqësuesit e tij ligjor, vajza Gloria Çeno dhe avokati Ravik Gurra. Ndërkohë në sallë gjendeshin edhe familjarë të tjerë të gjyqtarit Çeno.

Seanca dëgjimore për ish-kreun e Gjykatës së Apelit të Durrësit Petrit Çeno e zhvilluar të hënën, nisi me debat mes përfaqësuesve të tij dhe trupës së drejtuar nga Lulzim Hamitaj, Etleda Çiftja dhe Olsi Komici, pasi pala mbrojtëse pretendoi se nuk ishte njohur me dosjen e KPK-së.

Gloria Çeno, vajza dhe përfaqësuesja e gjyqtarit Petrit Çeno si dhe avokati Rafik Gurra deklaruan në seancën dëgjimore se ndonëse kishin bërë kërkesë paraprake, nuk e kishin marrë dosjen e plotë të rivlerësimit, duke e cilësuar këtë shkelje të gjykimit të drejtë dhe të barazisë së palëve në proces.

Pretendimi u kundërshtua nga kreu i trupës gjykuese, Hamitaj, i cili tha se subjekti ishte njoftuar më 30 janar përmes email-it se kishte 10 ditë kohë për t’u njohur me dosjen, por nuk e kishte ushtruar këtë të drejtë.

Petrit Çeno ka një karrierë 28 vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe prej më shumë se 15 vitesh e ka ushtruar funksionin e tij në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2015, ai është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me gjyqtarët Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, të cilët akuzohen se kanë përfituar një udhëtim falas për të parë ndeshjen e futbollit mes Barcelonës dhe Real Madrid, e njohur si derbi “El Classico”.

Relatorja Etleda Çiftja tha në seancën dëgjimore se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKPKI, kishte dorëzuar një raport negativ mbi burimet financiare të gjyqtarit Petrit Çeno. Edhe gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shkuan në të njëjtën linjë.

Komisioni gjeti probleme me pasuritë e paluajtshme të familjes Çeno; një apartament 98 m2 + garazh, një apartament 79 m2 në Golem si dhe një apartament 144 m2 dhe një garazh në Tiranë. Po ashtu u gjetën pasaktësi edhe në deklarimin e shtesave dhe pakësimeve ndër vite, duke pasur mungesë burimesh financiare prej 3.4 milionë lekësh.

Pikëpyetje u ngritën edhe mbi mënyrën e përfitimit nga ana e bashkëshortes së 5775 metrave tokë në Shkallnuer të Durrësit, një pjesë e së cilës iu dha më pas një kompanie ndërtimi në këmbim të 23% të sipërfaqes së ndërtuar. Lidhur me kompaninë ndërtuese LL.01, relatorja Çiftja deklaroi se Çeno kishte qenë edhe në konflikt interesi për shkak se nuk kishte hequr dorë nga gjykimi i një çështjeje ku ajo ishte palë.

Vajza e gjyqtarit, Gloria Çeno theksoi se kishte hasur vështirësi për të marrë përgjigje nga institucionet shtetërore dhe pretendoi se nuk janë marrë parasysh ndryshimet që ka pësuar ligji për deklarimin e pasurisë duke e quajtur këtë gjë “standard të dyfishtë” nga ana e KPK-së.

Mbrojtja e ish-kreut të Apelit të Durrësit kundërshtoi një për një gjetjet e KPK-së dhe këmbënguli që familja ka pasur burime të ligjshme për pasuritë e blera. Lidhur me dyshimet për konflikt interesi, Çeno u përgjigj se vendimi ndaj kompanisë së ndërtimit kishte qenë i ndërmjetëm dhe jo themeli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *