Aurel Celibashi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Ndihmësi ligjor, Aurel Celibashi përballet pa probleme me vetingun

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Aurel Celibashi u përball pa probleme me procesin e rivlerësimit kalimtar të martën më 26 mars, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Ai mori vlerësim pozitiv në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe për profesionalizmin.

Procesi i vetingut për Celibashin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Sipas Sanxhaktarit, subjekti është ndarë nga trungu familjar në vitin 2015 dhe ka deklaruar se prej vitit 2019 jeton me bashkëjetuesen dhe vajzën e tyre. KPK i ka gjetur të sakta këto deklarime. Po ashtu, ujanë gjetur pa probleme deklarimet për blerjen e një apartamenti me prindërit në vitin 2004, për një automjet të blerë prej tij në vitin 2003 dhe një tjetër në 2018-ën.

Relatorja konstatoi se edhe analiza financiare e përgjithshme paraprake ka rezultuar me bilanc pozitiv.

Ndihmësi ligjor Aurel Celibashi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Në përfundim të seancës që zgjati e gjitha rreth 20 minuta, ai kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 28 mars, në orën 09:55.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *