Gjyqtari Dritan Banushi pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme Veting

KPA shkarkon gjyqtarin Dritan Banushi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Dritan Banushi për pamundësi financiare në krijimin e pasurisë së tij.

Banushi ishte konfirmua më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 janar të vitit 2020, por vendimi u kundërshtua nga Komisioneri Publik me arsyetimin se KPK nuk kishte vlerësuar drejt pasurinë e subjektit.

Debati gjyqësor në këtë çështje u fokusua në tre elementë, që përfshinin kursimet në vite të gjyqtarit dhe mënyrën si ato ishin deklaruar, shpenzimet e jetesës dhe një apartament të blerë në Gjirokastër nga babai i gjyqtarit, për të cilin u pretendua se nuk ka pasur burime.

Subjekti dhe avokati i tij Viktor Gumi i kundërshtuan qëndrimet e komisioneres Nino. Ata vërejtën se analiza financiare kishte gabime matematikore dhe se zërat e shpenzimeve ishin bazuar në të dhëna jo zyrtare.

Vlerësimi i ankimit ndaj Banushit u shqyrtua nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Kryesuesja Mulaj sqaroi gjatë shpalljes së vendimit se pas vlerësimit të gjithë shkaqeve të ankimit për pasurinë, si dhe akteve të depozituara është konkluduar se gjyqtari Banushi është gjetur në pamundësi për krijimin e disa pasurive.

Sipas Mulajt, subjekti gjendet në pamundësi për blerjen e një automjeti tip Audi në vitin 2007, si dhe për riparimin e tij.

Po ashtu, ka rezultuar në pamundësi për krijimin e një depozite 3 milionë lekë në emër të tij dhe të bashkëshortes në vitin 2014. Kolegji konkludon se ka rezultuar pamjaftueshmëri financiare dhe për krijimin e dy depozitave në emër të subjektit, njëra në shumën 2 milionë lekë dhe tjetra 700 mijë lekë. KPA konstaton balancë negative për krijimin e depozitave në emër të vajzës në shumat rreth 100 mijë lekë dhe 3500 euro. Banushi është gjetur në pamundësi dhe për krijimin e gjendjes cash.

Ndërsa për apartamentin në Gjirokastër ku subjekti jeton, është konkluduar se është blerë dhe përfunduar nga babai i tij në shumën e përcaktuar në kontratë. Për rrjedhojë, Kolegji vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të saktë për këtë pasuri.

Në përfundim, Kolegji çmon se subjekti nuk ka arritur të justifikojë burimet e ligjshme të likujditeteve në sistemin bankar dhe ato në gjendje cash dhe vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin e tij duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *