Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ
Korrupsioni Lajme Vendi

Gjyqtari Skënder Damini shmang vetingun dhe largohet me dorëheqje

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën për dorëheqje të gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Skënder Damini – një prej tre gjyqtarëve që u hetua për lehtësimin e dënimit të Dritan Dajtit.

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ
Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të martën të pranojë dorëheqjen e gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Skënder Damini. Nëse ky vendim i KLGJ-së nuk do të ankimohet, atëherë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ashtu si në raste të tjera të ngjashme pritet të ndëpresë procedurën e vetingut për Daminin.

Në mbledhjen plenare të KLGJ-së u sqarua se në kërkesën për dorëheqje nga statusi i magjistratit, Damini shprehej se e kishte pasur nder dhe privilegj që kishte punuar për 28 vite si gjyqtar, por kërkonte të largohej nga sistemi drejtësisë për arsye subjektive, pasi do t’i përkushtohet më shumë familjes së tij. Kërkesa e Daminit u pranua nga Këshilli që vendosi të deklarojë të përfunduar statusin e magjistratit për këtë gjyqtar.

Skënder Damini dhe dy kolegët e tij, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj u hetuan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas vendimit për lehtësimin e dënimit të Dritan Dajtit.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Pak ditë pas vendimit të debatueshëm, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin. Më 14 shkurt 2019, policia kontrolloi shtëpitë e gjyqtarëve Skënder Damini në Vlorë e Tiranë, Aleks Nikolli në Lezhë dhe Petrit Aliajt në Sarandë.

Pas një viti e gjysmë hetime dhe rikthimit të çështjes dy herë për rihetime të mëtejshme, Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve.

Gjyqtari Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj janë shkarkuar më parë nga detyra prej KPK-së për problemet e konstatuara për pasurinë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *