Prokurorja e Elbasanit, Zena Lila pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA shkarkon nga detyra prokuroren Zena Lila

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 19 shtator vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Elbasanit, Zena Lila, pasi i gjeti të pabazuar në ligj e në prova arsyetimin dhe konkluzionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me pasurinë e këtij subjekt rivlerësimi. Lila nuk ishte e pranishme në seancën e shpalljes së vendimit, por u përfaqësua nga avokati Fatmir Lushi.

Komisioni e konfirmoi Lilan më 10 janar të këtij viti, duke vërejtur se pasuria e familjes së saj përbëhet nga një shtëpi në Tiranë, një makinë dhe depozitë në bono thesari në vlerën 3.8 milionë lekë, e krijuar me punën e pandërprerë nga viti 1992 e në vijim.

Rezultati negativ financiar në 2005 për shkak të mosprovimit të të ardhurave nga shitja e një banese dhe pamundësitë financiare në vitet në vijim, që sipas KPK, dukej se kishin ardhur si pasojë e pasaktësive në deklarimeve të gjendjes cash, në frymën e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit u vlerësuan se nuk përbënin shkak për penalizim. Po ashtu, Lila mori vlerësim pozitiv për figurën dhe profesionalizmin.

Vendimarrja e Komisionit për prokuroren Lila u ankimua nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila kërkoi shkarkimin. Sipas Ninos, mbetej e paprovuar ekzistenca e pasurisë së deklaruar si e shitur, ashtu dhe të ardhurat e pretenduara të përfituara prej saj, në vlerën 1.1 milionë lekë. Sipas Ninos, edhe bilanci negativ për periudhën tjetër ishte më i madh nga kishte konstatuar KPK.

Sipas saj, shpenzimet jetike për vitin 2007 nuk janë përllogaritur bazuar në jurispudencën e Kolegjit. Ndërkohë, gjendjet cash nuk janë deklaruar në vite si burimi krijimi për likujditetet bankare.

Ashtu si Nino, edhe shumica e trupit gjykues të Kolegjit vlerëson se pretendimi për përfitimin e vlerës 1.1 milionë lekë nga shitja e një pasurie, mbeti në nivel deklarativ.

Sipas KPA, rezulton se shpenzimet jetike për 2007-ën janë më të larta nga sa janë konkluduar prej Komisionit. Po ashtu, u vërejt se arsyetimi i Komisionit lidhur me pasaktësitë në deklarime, nuk përputhjet me aktet në dosje. Për rrjedhojë, u çmua se pamjaftueshmëria sipas analizës financiare të kryer në KPA, nuk i nënshtrohet dot parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Në përfundim, Kolegji vendosi me shumicë votash të ndryshojë vendimin e Komisionit dhe shkarkoi nga detyra prokuroren Zena Lila, duke e larguar atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *