Prokurorja Anita Jella pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
KPA Veting

KPA vendos të verifikojë çështjet për “ndërtim të paligjshëm” të hetuara nga Anita Jella

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten të hetojë një prej 7 denoncimeve të depozituara së fundmi ndaj drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella. Në fillim të seancës publike u sqarua se Kolegji kishte vendosur të mos hetojë në vijimësi 6 prej denoncimeve, ndërsa do të vrifikohet ai ku ngrihen pretendime ndaj vendimarrjeve të subjektit të rivlerësimit për çështjet që kanë pasur si objekt hetimi veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, i parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Trupi gjykues vendosi t’i kërkojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, të gjithë çështjet penale për “ndërtim të paligjshëm” të hetuara apo për të cilat Jella ka disponuar me vendimarrje apo kërkime në gjykatë gjatë periudhës 2018-2021.

Ndërkohë u administruan aktet e dorëzuara nga subjekti për një denoncim të ri ku ngriheshin pretendime se kërkesat e saj për marrje të provave, kryerjen e hetimeve dhe përjashtimin e prokurorëve apo të oficerëve të policisë gjyqësore, ishin rrëzuar pa të drejtë. Subjekti deklaroi në seancë se pretendimet e denoncueses ishin të pabazuara. Komisioneri Publik, Darjel Sina u shpreh se nuk kishe të dhëna apo indicie për të vijuar hetimin e këtij denoncimi dhe KPA vendosi të mbyllë verifikimet.

E pyetur nga relatorja e çështjes, Natasha Mulaj lidhur me ecurinë e hetimeve për një kallëzim të banorëve të një pallati të dëmtuar nga tërmeti nëntorit të vitit 2019, Prokurorja Jella shpjegoi se janë regjistruar 400 procedime penale për shkak të pasojave të tërmetit. Ajo deklaroi se çështja ku kishte pasur dhe pasoja në jetë njerëzish ishte hetuar dhe përfunduar. Për çështjen e denoncuar nw Kolegj, subjekti pohoi se nuk kishte emra në hetim dhe për rrjedhojë nuk kishte afate.

Në përfundim trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për të pritur përgjigjen nga Prokuroria e Durrësit, ndërsa u kërkoi palëve që të përgatiteshin edhe për konkluzionet përfundimtare. Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 7 shkurt, ora 11:00.

Prokurorja Anita Jella u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit 2019, por vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i kërkuan Komisionerit Publik që të apelojë çështjen me arsyetimin se ajo duhej të shkarkohej për mangësi në deklarimin e pasurisë dhe probleme të profesionalizmit.

Ankimimi i Komisionerit Darjel Sina bazohet kryesisht mbi veprimet dhe mosveprimet e Jellës në çështjen ndaj Liridon Pulës, drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës dhe në ato për një gjyqtare të Gjykatës së Apelit Tiranë, që ishte trasferuar për kompetencë në Durrës. Për pasurinë problemet janë fokusuar në një apartament të porositur në vitin 2011 në Durrës, për të cilin Sina konkludon se subjekti ka kryer deklarim të pamjafuteshëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *