Prokurorja Alma Muça kaloi shkallën e parë të procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rekomandoi që kallëzimi i prokurorisë së Vlorës ndaj saj rreth qëndrimit të mbajtur për çështjen e njohur si Masakra e Çoles të mbahet parasysh në vlerësimin periodik.
Prokurorja Alma Muça kaloi shkallën e parë të procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rekomandoi që kallëzimi i prokurorisë së Vlorës ndaj saj rreth qëndrimit të mbajtur për çështjen e njohur si Masakra e Çoles të mbahet parasysh në vlerësimin periodik.
KPK njoftoi vendimin për Muçën të hënën. Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme u hetua, nga treshja e kryesuar nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi me relatore Valbona Sanxhaktari, në të tri kriteret e rivlerësimit.
Gjatë seancës dëgjimore u theksua se Muça nuk kishte probleme me pasurinë dhe as në dy kriteret e tjera, megjithatë trupa gjykuese dhe dhe vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessingh kërkuan sqarime rreth qëndrimit të saj në lidhje me çështjen e njohur si “Masakra e Çoles”.
Në seancë u vu në dukje se kishte një denoncim ndaj prokurores për rolin e saj si Drejtuese në Drejtorinë e Çështjeve Gjyqësore në lidhje me përfaqësimin e akuzës ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa ishin marrë vendime të ashpra në shkallët e tjera të gjyqësorit, Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme në Gjykatën e Lartë ndryshoi cilësimin e veprës penale dhe të akuzuarit përfituan ulje të ndjeshme dënimesh.
Prokurori i çështjes Artur Selmani u shkarkua nga KPK në nëntor të vitit që shkoi bazuar edhe mbi mënyrën e trajtimit të kësaj çështje. Muça i tha Komisionit se nuk kishte pasur dorë në vendimin e prokurorit dhe ligji nuk e lejonte atë të ndikonte në qëndrimin e prokurorit të çështjes.
Në seancë u bë me dije edhe se një pezullim ndaj Muçës i publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte bërë asnjëherë zyrtarë.