Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Konfirmohet në detyrë këshilltari ligjor Adrian Shega

Komisioni i Pavarur i Kualfikimit njoftoi se këshilltari ligjor pranë Gjykatës së Lartë Adrian Shega, u konfirmua në detyrë nga procesi i rivlerësimit.

Këshilltari ligjor Adrian Shega, gjatë një seance dëgjimore të KPK, me datë 10.01.2019 | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualfikimit shpalli të premten vendimin për konfirmimin në detyrë të këshilltarit ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Adrian Shega. Ashtu si edhe pritej pas një seance dëgjimore pa probleme, kryesuesja e trupës gjykuese Genta Tafa i komunikoi kandidatit për magjistrat Adrian Shega, konfirmimin në detyrë.

Këshilltari ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Adrian Shega u përball të enjten me gjetjet e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të përbërë nga Genta Tafa kryesuese, Lulzim Hamitaj relator i çështjes dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj deklaroi se Komisioni kreu rivlerësimin e subjektit për të tri kriteret e vetingut, atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aspektit profesional.

Komisioni ka kryer një hetim të pavarur për pasurinë e Shegës dhe personave të lidhur me të, nga ku konkludoi se kishte të ardhura të mujaftueshme nga burime të ligjshme dhe se nuk kishte fshehje të pasurisë.

Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK e ka gjetur këshilltarin Adrian Shega të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës pasi nuk rezultonte të kishte kontakte me persona të lidhur me krimin e organizuar. Ndërkohë, pranë komisionit nuk ka pasur ndonjë denoncim nga publiku ndaj tij.

Për aspektin profesional, këshilltari ligjor Adrian Shega u vlerësua me “notë” mesatare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *