Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon kreun e Gjykatës Shkodër Arben Zefi

Dorëheqja dy orë përpara se të shpallej vendimi i KPK-së, nuk e ka shpëtuar nga shkarkimi kreun e Gjykatws sw Rrethit Gjyqwsor Shkodwr, Arben Zefi.

Kryetari i Gjykatës se Shkodrës, Arben Zefi, duke dalë pas një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga: LSA

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare, shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit dhe njëkohësisht Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Arben Zefi. Ky i fundit u përball të martën gjatë seancës dëgjimore me gjetjet e Komisionit që konstatoi probleme me deklarimin e pasurisë dhe dyshimet për korrupsion e kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar. Ditën e enjte gjyqtari Arben Zefi nuk ka preferuar të jetë i pranishëm gjatë seancës së shpalljes së vendimit.

Kryesuesja e trupës gjykuese, Firdes Shuli deklaroi të enjten gjatë shpalljes së vendimit, se gjyqtari Arben Zefi kishte paraqitur dorëheqjen nga detyra po këtë ditë, në orën 10:08. Por, kryesuesja Shuli sqaroi se trupa gjykuese e kishte marrë vendimin ditën e mërkurë në mbrëmje. Ajo u shpreh se lidhur me këtë kërkesë dorëheqje Komisioni konstatoi se duhet të paraqitet përpara këshillit përkatës. Sipas legjislacionit përkatës kjo dorëheqje jep efektet ligjore në fund të muajit pasardhës nga dita kur këshilli merr deklarim me shkrim të dorëheqjes.

Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi u përball të martën me akuza për fshehje pasurie dhe përfshirje në korrupsion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës që zgjati më shumë se dy orë, gjyqtari Arben Zefi i cili u përfaqësua edhe nga avokati Ardian Visha i kundërshtoi gjetjet e Komisionit.

KPK konstatoi se gjyqtari Zefi nuk kishte burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti 132.8 m2 në Shkodër për rreth 4.3 milionë lekë në vitin 2005. Problematik është konstatuar edhe deklarimi për blerjen e një autoveture tip BMË në vitin 2007, ku nuk është përshkruar vlera e makinës dhe burimi i parave. Sipas KPK, ai ka përdorur dokumente të pasakta për këtë makinë dhe e ka shitur atë pa e pasur pronësinë.

KPK konstatoi gjithashtu se Zefi nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme edhe për blerjen e një autoveture tip “Benz” në Durrës në vitin 2010. Përveç mungesës së burimeve të ligjshme për pasuritë e mësipërme, Komisioni ka vlerësuar se subjekti kishte përfituar padrejtësisht 800 mijë lekë nga Enti i Banesave si i pastrehë. Ndërkohë, ka rezultuar se Zefi nuk kishte deklaruar dhënien e 50 mijë eurove një kompanie për përfitim të pasurive të paluajtshme dhe nuk ka dorëzuar dokumente për këtë marrëveshje.

Me kompaninë në fjalë, sipas Komisionit, gjyqtari ishte edhe në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ka shqyrtuar një çështje gjyqësore ku kjo kompani ishte palë, ndërkohë që ka qenë në marrëdhënie me të. Probleme të tjera u konstatuan me mosdeklarimin e llogarive në një bankë të nivelit të dytë, deklarime të pamjaftueshme me huatë e dhëna vëllait në Itali, mosdeklarimin e pasurisë së trashëguar nga ish-bashkëshortja dhe mosdeklarimin e marrjes së 100 mijë eurove nga një shtetas.

Sipas raportit të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, por edhe sipas verifikimeve të vetë komisionit, gjyqtari Zefi dushohet se kishte kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar dhe se ishte i përfshirë në korrupsion.

Kreu i Gjykatës së Shkodrës i kundërshtoi gjetjet e komisionit gjatë seancës dëgjimore, duke pretenduar se kishte burime të ligjshme për pasurinë e tij. Ndërkohë, ai i quajti dy raportet e DSIK të hartuara në kundërshtim me ligjin, pasi tek i pari ishte konstatuar përshtatshmëria e tij në detyrë, ndërsa në raportin e dytë ishin shtuar të dhëna që sipas tij nuk ishin të vërteta dhe se po i denigronin figurën e tij në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *